Connect with us

Lajme

Gjeodeti mbeti pa licencë, profesori Faton Murseli ka dorëzuar dokumente të dyshimta në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Published

on

Agjencia e Kadastrës ia ka marrë licencën e punës kompanisë gjeodezike “Geopollog” nga Tetova dhe menaxherit të saj Ajdin Nuredini, që përgatitën një elaborat gjeodezik të paligjshëm për legalizimin e një shtëpie të ndërtuar pa leje në Kodrën e Diellit, e cila është në pronësi të Faton Murselit, profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Për këtë rast për të cilin IRL ka raportuar disa herë që nga fillimi i vitit po heton edhe policia edhe Prokuroria, ndërsa Komuna e Tetovës ka ngritur procedurë disiplinore kundër kryeinspektorit për ndërtim, Gëzim Ganiu, për shkak të parregullsive në procedurën e legalizimit, transmeton Portalb.mk.

“Ju informojmë se pas një procedure të zhvilluar nga Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Patundshme është marrë vendim për marrjen e licencës të personit Ajdin Nuredini dhe vendim për marrjen e licencës së Shoqërisë Tregtare për Punë Gjeodezike “Geopollog” – Tetovë”, informuan nga Agjencia e Kadastrës në Shkup.

Por, nga atje deklaruan se vendimet për marrje e licencës u sollën për një elaborat tjetër të përgatitur nga e njëjta kompani gjeodezike, sepse lënda për ndërtimin e paligjshëm në Kodrën e Diellit ishte tashmë e vjetëruar.

Në vitin 2019 gjeodeti Nuredini ka qenë i akuzuar për keqpërdorim sepse kishte përgatitur elaborat për një objekt inekzistent

Gjeodeti Ajdin Nuredini është gjykuar për një rast që përfshinte legalizimin dhe privatizimin e të paligjshëm të tokës shtetërore në Tetovë. Sipas informacionit nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ai këtë vepër e ka kryer në periudhën nga viti 2011 dhe 2012, ndërsa hetimi ka filluar në vitin 2019 dhe ka rezultuar me ngritjen e akuzave. Në aktakuzë thuhet se dy të pandehur e kanë bindur Nuredinin të përgatisë një elaborat gjeodezik në të cilin do të paraqitej një objekt që në realitet nuk ka ekzistuar. Me ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, procedura u ndërpre për shkak të vjetërsimit të veprës.

Nga fundi i muajit mars Agjencia e Kadastrës i konfirmoi gjetjet e IRL-së sipas së cilave në procedurën e legalizimit për objektin në Kodrën e Diellit kishte parregullsi.

IRL vërtetoi se elaboratit gjeodezik, i cili ishte pjesë e dokumentacionit të nevojshëm për legalizim, i mungonte data dhe ora e nënshkrimit elektronik të Ajdin Nuredinit, menaxherit të “Geopollog”. Ky dokument dyshohet se ishte përgatitur nga kompania e tij në vitin 2017.

Por, pas kontrollit në sistemin e vet, nga Kadastra për IRL-në thanë se nënshkrimi elektronik në dokument nuk ishte i vlefshëm.

Përveç kësaj, në të njëjtin elaborat është gjetur një faqe që u ngjan të dhënave origjinale nga matja në terren. Por, nuk është dorëzuar asnjë provë elektronike që gjeodetët e “Geopollog” vërtetë kanë qenë në Kodrën e Diellit më 22 shtator të vitit 2017 dhe kanë bërë matjet për shtëpinë për të cilën personi Sali Iseni kishte dorëzuar kërkesë për legalizim. Përkundrazi, në elaborat thuhet se në atë kohë në parcelën me një sipërfaqe prej 132 metrash katrorë ka pasur një objekt.

Por, shërbimi i Kadastrës konfirmoi se të dhënat e tyre nuk tregojnë për kurrëfarë matjesh në terren të kryera nga “Geopollog” atë ditë në Kodrën e Diellit, edhe pse Nuredini për IRL deklaroi se gjeodetët kanë qenë në qendrën e skijimit.

Hetimi filloi kur IRL zbuloi se profesori i Katedrës së sociologjisë në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Tetovës, Faton Murseli, në vitin 2024 është bërë pronar i një vikend-shtëpize në Kodrën e Dillit të fituar si dhuratë. Procedura e legalizimit ka filluar në vitin 2016 nga Sali Iseni, një i afërm i Murselit nga fshati Nerashtë, i cili më pas ka dorëzuar një kërkesë dhe me një deklaratë të noterizuar ka konfirmuar se objekti ishte ndërtuar para vitit 2011 – një kusht kyç në Ligjin për Legalizimin e Ndërtimeve të Paligjshme, sipas së cilit mund të legalizohen vetëm objektet e ndërtuara para vitit 2011.

Por, IRL vërtetoi se deri në vitin 2024 në atë parcelë nuk ka pasur asnjë objekt, ndërsa këtë e konfirmojnë edhe imazhet satelitore të lokalitetit të marra nga “Google”. Hetimi zbuloi abuzime serioze – një elaborat gjeodezik të pasaktë, raport inspektimi të falsifikuar dhe një njoftim nga MPB-ja në të cilën thuhej se Faton Murseli është një autor potencial i veprës penale “arbitrarizëm”.

Ndaj tij ngrihet procedurë disiplinore, por ai sërish emërohet udhëheqës i inspektoratit ndërtimor

Si rezultat stories hulumtuese Komuna e Tetovës ka ngritur procedurë disiplinore kundër udhëheqësit të sektorit të inspektoratit ndërtimor komunal, Gëzim Ganiu. Por, siç na informuan nga komuna, ai aktualisht është në pushim mjekësor, pas çka do të shfrytëzojë ditë të pushimit vjetor.

“Për këtë arsye komisioni disiplinor ende nuk ka mbajtur seancë për ta shqyrtuar rastin konkret sepse prania e punonjësit është e domosdoshme në përputhje me Ligjin për Nëpunësit Administrativë”, deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Komisioni disiplinor do të mbajë një seancë pas kthimit të inspektorit nga pushimi

Ndërkohë IRL zbuloi se Ganiu ishte shkarkuar përkohësisht nga pozicioni i tij si udhëheqës i sektorit të inspektoratit ndërtimor komunal dhe në 5 maj ishte emëruar udhëheqës i njësisë për mjedisin jetësor. Por, ai ka dorëzuar ankesë për këtë gjë dhe vetëm pas një muaji kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka nënshkruar një vendim me të cilin Ganiu është kthyer në të njëjtin pozicion – udhëheqës i sektorit të mbikëqyrjes inspektoriale nga fusha e urbanistikës dhe ndërtimtarisë.

“Lidhur me çështjen e caktimit të përkohshëm të punonjësit në një vend tjetër pune, ju informojmë se çdo ndryshim i tillë zbatohet me një akt të veçantë administrativ dhe është brenda kompetencës ligjore të Kryetarit të komunës”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Procedurat disiplinore kundër Ganiut u ngritën pasi dokumentet nga inspektimi i ndërtimit pa leje të Murselit në Kodrën e Diellit të cilat IRL i mori nga Komuna e Tetovës ishin të ndryshme dhe të korrigjuara. Në njërin prej tyre mbikëqyrja inspektuese ishte regjistruar si “e rregullt”, ndërsa në një tjetër ishte shkruar fjala “e jashtëzakonshme”.

Kishte dallime në përgjigjet e pyetjeve nëse ishin regjistruar parregullsi. Në njërin nga versionet thuhej se “u vunë re parregullsi”, ndërsa në tjetrin thuhej se “nuk ishin konstatuar parregullsi”.

Mbikëqyrja inspektuese dallonte edhe tek versioni i raportit në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe dhe kishte deri në tre variante të ndryshme të asaj të dhëne.

Përndryshe, inspektori ka shënuar se investitori Faton Murseli kishte ndërtuar një vikend-shtëpizë, se aktivitetet e ndërtimit ishin në fazën përfundimtare dhe se kur ata kontrolluan nëse dikush po ndërtonte ilegalisht në tokë shtetërore në Kodrën e Dillit atje po kryheshin punime në fasadën e jashtme.

Profesorit i është dërguar ftesë për t’u paraqitur pranë inspektoratit komunal të ndërtimit më 10 shtator të vitit 2024 dhe për ta dorëzuar dokumentacionin teknik për vikend-shtëpizën. Por, ai nuk u paraqit atje në atë datë, por shumë më vonë.

Në raportin e dytë të inspektimit të cilin IRL e siguroi nga Komuna e Tetovës nuk thuhej se kishte ndonjë korrigjim, edhe pse përmbajtja ishte ndryshe.

Çështja është përcjellë në Departamentit të Krimit Ekonomik pranë MPB-së

Për rastin e ndërtimit të paligjshëm të profesorit nga Ministria e Punëve të Brendshme na u përgjigjën se ai ishte përcjellë në Departamentin e Krimeve Ekonomike pranë MBP-së.

Na informuan se më 13 shkurt të këtij viti Murseli kishte dorëzuar pranë policisë së Kodrës së Diellit dokumente shtesë, të cilat sipas nëpunësve të policisë “ishin të dyshimta”. Për këtë arsye më 17 mars policët janë konsultuar me Prokurorinë Publike në Tetovë. Është vendosur që i gjithë rasti t’i dorëzohet Departamentit të Policisë Kriminale në Tetovë për përpunim të mëtejshëm dhe sigurim provash.

“Pas kësaj, rasti i lartpërmendur është në kompetencë të Departamentit të Policisë Kriminale – Seksioni për Krime Ekonomike në SPB Tetovë dhe nëpunësit e policisë janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim sigurimin e provave materiale, ndërsa pas përfundimit të procedurës do të dorëzohet një parashtresë përkatëse në Prokurorinë Publike të Tetovës”, na informuan nga MPB-ja.

Por, nga Prokuroria theksojnë se deri më sot nuk është dorëzuar asnjë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Tetovës.

“Sa i përket legalizimit të objektit, prokurori publik kompetent po vepron sipas një njoftimi, në bazë të të cilit prokurori lëshoi ​​urdhër për mbledhjen e provave dhe dokumentacionit të caktuar në procedurën para-hetimore”, shtuan nga Prokuroria.

Nga Inspektorati Shtetëror Administrativ, nga ana tjetër, na thanë se kanë marrë një kërkesë nga MPB-ja me të cilën kërkojnë të dhëna mbi inspektimet e kryera në Komunën e Tetovës, të cilat kanë të bëjnë me vikend-shtëpizën e ndërtuar të pushimit dhe të njëjtat janë dorëzuar.

“Për shkak të rrethanave të reja ne nuk jemi në gjendje të japim informacion shtesë për pyetjet tuaja për shkak të mundësisë së zbulimit të fakteve dhe provave që do të ndikonin ose që do mund të ndikonin në rrjedhën e procedurës që zhvillohet para një autoriteti kompetent”, thanë nga Inspektorati.

Murseli filloi të ndërtojnë një ndërtesë në Tetovë

Krahas vikend-shtëpizës në Kodrën e Diellit profesori Faton Murseli në vitin 2024 mori edhe një tjetër dhuratë të vlefshme. Më 14 shkurt të vitit të kaluar ai u bë pronar i një të katërtës së një parcele në bllokun urban 74 në Tetovë me një marrëveshje për dhuratë.

Ajo ndodhet midis dy ndërtesave të vjetra, ndërsa në afërsi të saj ka garazhe nëntokësore dhe një strehimore.

Në maj të këtij viti Komuna e Tetovës lëshoi leje për ndërtimin e një ndërtese banimi në atë parcelë – me bodrum, kat përdhes, katër kate dhe një papafingo. Në mesin e pesë investitorëve është edhe profesori Faton Murseli, i cili në fund do të fitojë një apartament prej 72 metrash katrorë dhe një garazh prej 14 metrash katrorë. Bashkëinvestitorë janë tre të afërm të tij dhe një kompani nga Zhelina.

Ndërtimi u bë i mundur pasi Komuna e Tetovës më 22 tetor të vitit 2024 miratoi një propozim – plan përfundimtar për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Detajuar Urbanistik (PDU) për një pjesë të bllokut urban 74, i cili e përfshin edhe këtë parcelë.

Bashkëshortja e profesorit, Revide Ramani Murseli, është kryetare e Komisionit të Planifikimit Urbanistik, organ kompetent kryerjen e ekspertizës në procedurën për hartimin dhe miratimin e planeve urbanistike.

Që në vitin 2017 kryetarja e atëhershme e komunës, Teuta Arifi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) filloi procedurën për ndryshimin dhe plotësimin e PDU-së për bllokun urban 74. Por, Komuna e Tetovës e miratoi propozim – planin përfundimtar për periudhën 2017-2027 në tetor të vitit 2024.

“Atë lëndë unë e gjeta në fazën përfundimtare. E nënshkrova në fazën përfundimtare, pra, pas të gjitha filtrave që i kaloi plani”, u përgjigj Ramani Murseli këtë pranverë në pyetjen nëse kishte konflikt interesi që ajo, si kryetare e Komisionit të Planifikimit Urbanistik në Komunën e Tetovës, të nënshkruante një dokument që lejon ndërtimin e një ndërtese në një parcelë që është pjesërisht në pronësi të bashkëshortit të saj.

Continue Reading

Lajme

Europe Elects vulos sondazhin e së shtunës: Opozita Shqiptare – BDI e ASH 15%, VLEN 8%

Published

on

By

Sipas një ankete të re të realizuar nga agjencia Market Vision për platformën Europe Elects, VMRO-DPMNE vazhdon të kryesojë bindshëm në skenën politike të Maqedonisë së Veriut me 53% të mbështetjes elektorale.

Në vendin e dytë renditet BDI me 12%, duke kaluar LSDM-në që aktualisht ka vetëm 11%. Kjo përforcon pozicionin e BDI-së si forca më e madhe politike shqiptare, por edhe si forca e dytë në nivel republikan sipas këtij sondazhi.

Rezultatet e tjera:

LEVICA: 6%
ZNAM: 5%
Aleanca për Shqiptarët (ASH): 4%
Lëvizja BESA: 4%
Lidhja Demokratike (LD): 2%
Alternativa: 2%
Sondazhi është zhvilluar në periudhën 20 qershor – 4 korrik 2025, me një mostër prej 1.200 të anketuarve në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Ndarja e ASH-së së Taravarit, e cila aktualisht matet veçmas dhe ka rejting 3.6%, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në shpërbërjen e bazës elektorale të VLEN-it, duke e zvogëluar ndikimin e tij në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kjo rënie e rejtingut ngre pikëpyetje të mëdha për fuqinë reale të VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme dhe shtron nevojën për ristrukturim apo riformatim të qasjes politike të këtij koalicioni tashmë të fragmentuar. Flaka

Continue Reading

Lajme

Pas Edi Ramës, edhe Presidenti Bajram Begaj injoron VLEN-in: Takohet vetëm me Ali Ahmetin

Published

on

By

Pas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka anashkaluar takimet me përfaqësuesit e koalicionit VLEN gjatë vizitës së tij në Ohër, në kuadër të ftesës zyrtare të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Presidenti Begaj ka publikuar dy albume fotografish nga vizita në Maqedoninë e Veriut. Në njërin, ai informon për takimin bilateral me Presidenten Siljanovska-Davkova, ndërsa në tjetrin, dokumenton takimin me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” ka shkruar Begaj në postimin e tij.

Mungesa e takimeve me liderët e VLEN-it vjen në një kohë kur raportet diplomatike mes Tiranës dhe përfaqësuesve të këtij koalicioni janë të tensionuara. Kujtojmë se edhe Edi Rama, gjatë samitit të fundit në Shkup, zgjodhi të takohej vetëm me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me nënkryetarin dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, si dhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tashmë pjesë e opozitës shqiptare.

Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani, disa herë është akuzuar, injoruar dhe përbuzur nga përfaqësues të koalicionit VLEN.

Ky zhvillim i fundit duket se konfirmon një linjë konsistente të Tiranës zyrtare, që ka zgjedhur të komunikojë vetëm me aktoret politikë që e konsideron legjitimë dhe të besueshëm, duke lënë jashtë VLEN-in – një mesazh diplomatik që tashmë po lexohet me vëmendje në Shkup. Flaka

Continue Reading

Lajme

Xhezairi për Flaka: VLEN-i i përkrahur nga Kurti ka dështuar – Mickoski po realizon Maqedoninë e maqedonasve

Published

on

By

Gazetari dhe analisti politik Seladin Xhezairi, në një prononcim për Flaka, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe efektet e bashkëqeverisjes së koalicionit VLEN me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in. Sipas tij, grupimi politik që gëzon përkrahjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dështuar në përmbushjen e pritshmërive, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Driton Zenku

“Në gjykimin tim, grupimi politik që ka mbështetjen e Prishtinës zyrtare, të LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, dështoi si në planin e brendshëm – kemi një degradim të interesave shqiptare – ashtu edhe në atë të jashtëm,” thekson Xhezairi.

Ai nënvizon se negociatat për anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian vijojnë të mbeten të bllokuara, për shkak të mungesës së ndryshimeve kushtetuese, përfshirë futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Negociatat për aderim me të drejta të plota në BE vazhdojnë të mbeten të bllokuara për mungesë të ndryshimit të Kushtetutës dhe futjes edhe të bullgarëve në të,” shton ai.

Në vlerësimin e Xhezairit, ndërsa VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë pa pengesa programin e tyre shtetformues, katër partitë politike shqiptare në pushtet nuk po arrijnë të mbrojnë interesat e komunitetit që përfaqësojnë.

“Fitohet përshtypja se partia VMRO-DPMNE dhe kreu i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë në plotëni programin e tyre parazgjedhor, duke e bërë Maqedoninë – të maqedonasve, ndërsa katër subjektet politike shqiptare duket se u vetëmjaftojnë vetëm postet që ushtrojnë!” përfundon Xhezairi.

Ky vlerësim i ashpër i analistit vjen në një kohë të tensionuar politike, kur rezultatet e sondazheve të fundit po tregojnë një zhgënjim të qartë të elektoratit shqiptar me përfaqësuesit e tij në pushtet. Flaka

Continue Reading

TOP Lajme