Connect with us

Shëndeti

FDA miraton pilulën e parë për kancerin më të përhapur të mushkërive në stad të avancuar

Published

on

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar tabletën e parë për trajtimin e karcinomës së mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC) në fazë të avancuar

Sunvozertinib (Zegfrovy) është i destinuar për të rriturit me NSCLC të avancuar dhe vepron tek ata pacientë që kanë një ndryshim të caktuar gjenetik, mutacion me insertion në eksonin 20 të EGFR.

Kur dhe si përdoret ky ilaç?

Ilaçi përdoret kur kanceri përparon gjatë ose pas kimioterapisë. Merret në formë tablete, një herë në ditë, gjë që ua lehtëson pacientëve ndjekjen e terapisë, e cila shpesh zgjat për një kohë të gjatë.

NSCLC është tipi më i zakonshëm i kancerit të mushkërive, duke përbërë rreth 80-85% të rasteve. Ky kancer është shpesh i vështirë për t’u trajtuar, pasi mutacionet ndryshojnë nga një person te tjetri, duke e bërë të vështirë gjetjen e trajtimeve efektive.

Rezultatet e studimeve

FDA e ka miratuar ilaçin mbi bazën e një studimi klinik me 85 persona me NSCLC të avancuar dhe me mutacion insertion në eksonin 20 të EGFR, të cilëve kanceri u ishte përkeqësuar pavarësisht kimioterapisë. Pacientët e merrnin ilaçin një herë në ditë dhe rezultatet treguan se rreth 46% e tyre u përgjigjën ndaj trajtimit, me përfitime që zgjatën mesatarisht më shumë se 11 muaj, transmeton Telegrafi.

Si vepron Zegfrovy?

Zegfrovy vepron duke bllokuar proteinat problematike EGFR, të cilat ndihmojnë rritjen e qelizave kanceroze. Ai është krijuar për të synuar lloje të ndryshme të ndryshimeve në EGFR, përfshirë mutacionet insertion të eksonit 20, duke kursyer në masë të madhe qelizat e shëndetshme.

Barnat mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e disa ndryshimeve të tjera të rralla të EGFR dhe mutacioneve HER2 të eksonit 20.

Çfarë është karcinoma e mushkërive me qeliza jo të vogla?

Karcinoma e mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC) është forma më e shpeshtë e kancerit të mushkërive. Shenjat e hershme mund të jenë fishkëllima në kraharor, kollë, vështirësi në frymëmarrje, por mund të shfaqen edhe simptoma të tjera si dhimbje në nyje dhe kocka, ënjtje e duarve dhe fytyrës, humbje peshe etj.

Dy format kryesore të kancerit të mushkërive

1. Karcinoma e mushkërive me qeliza të vogla (SCLC) – forma më agresive, zakonisht e lidhur me pirjen e duhanit.
2. Karcinoma e mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC) – më e zakonshmja, rreth 85% e rasteve.

Krahasuar me SCLC, NSCLC rritet dhe përhapet më ngadalë. Të dyja format ndajnë simptoma të ngjashme: kollë, dhimbje në kraharor, fishkëllimë në gjoks, zë i ngjirur. Fatkeqësisht, kanceri i mushkërive shpesh nuk jep simptoma në fazat e hershme, derisa përhapet në organe të tjera.

Tre nënllojët kryesorë të NSCLC

▪ Adenokarcinoma – zakonisht shfaqet në shtresat e jashtme të mushkërive; po shtohet te gratë, edhe tek ato që nuk kanë pirë kurrë duhan.
▪ Karcinoma e qelizave skuamoze – formohet zakonisht në qendër të mushkërive, pranë bronkeve.
▪ Karcinoma e qelizave të mëdha – mund të formohet kudo dhe shpesh rritet më shpejt se dy llojet e tjera.

Katër stadet e sëmundjes

NSCLC ndahet në katër stade, sipas përhapjes:

▪ Stadet 0-1: kanceri është vetëm në mushkëri.
▪ Stadet 2-4: kanceri përhapet në nyjet limfatike dhe në organet e largëta si mëlçia, truri ose mushkëria tjetër.

Si çdo formë kanceri, edhe NSCLC mund të jetë fatal, por zbulimi i hershëm përmirëson shumë prognozën.

Simptomat e hershme të NSCLC

Simptomat zakonisht lidhen me mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes:

▪ Kollë e vazhdueshme ose që përkeqësohet
▪ Fishkëllimë në gjoks
▪ Vështirësi në frymëmarrje që përkeqësohet
▪ Zë i ngjirur
▪ Dhimbje kraharori
▪ Infeksione të shpeshta respiratore (bronkit, pneumoni)
▪ Nxjerrje gjaku me kollë

Simptoma të tjera janë humbja e pashpjegueshme e peshës, humbja e oreksit dhe lodhja.

Simptomat në kocka, nyje dhe muskuj

Ndërsa NSCLC fillon të përhapet në pjesë të tjera të trupit, simptomat bëhen gjithnjë e më serioze. Meqenëse ky lloj kanceri shpesh zbulohet në faza të avancuara, në rreth 20% të rasteve tashmë shfaqen shenja të përhapjes në kocka në momentin e diagnostikimit.

Në këtë fazë, simptomat mund të përfshijnë:

▪ Dhimbje ose ndjeshmëri në kocka e nyje (më shpesh në legen e shpinë)
▪ Sindroma Pancoast – dhimbje në shpatulla, krahë, mpirje e dobësi muskulore
▪ Atrofia e thenarit – humbje e muskujve në gishtin e madh dhe pëllëmbën e dorës që ndikon në lëvizjen dhe funksionin.
▪ Osteoartropatia hipertrofike – ënjtje e dhimbshme e kyçeve ose gishtave
▪ Deformime të thonjve.

Simptoma në kokë dhe qafë

Kur kanceri përhapet, mund të shtypë vena dhe nerva të mëdhenj. Sindroma e venës së sipërme kava shkakton ënjtje të fytyrës dhe venat fryhen. Përhapja në nerva mund të shkaktojë sindromën Horner – kapak i varur, bebëza e ngushtuar dhe djersitje e reduktuar në njërën anë të fytyrës.

Simptoma neurologjike

Në fazat e vonshme, nëse përhapet në tru (më shpesh me adenokarcinomën NSCLC):

▪ Dhimbje koke
▪ Të vjella
▪ Shikim i turbullt
▪ Dobësi, lëvizje të pavullnetshme ose humbje e kontrollit të muskujve
▪ Ndryshime ndjeshmërie (mpirje).

Simptoma digjestive

Edhe pse më e zakonshme tek SCLC, edhe NSCLC mund të shkaktojë hiperkalcemi (kalcium i lartë në gjak) në faza të vonshme, që mund të prekë gjëndrat paratiroide. Kjo mund të shkaktojë:

▪ Dhimbje kockash
▪ Lodhje
▪ Të përziera, të vjella, kapsllëk
▪ Humbje oreksi dhe etje të shtuar /e.t

Continue Reading

Shëndeti

Ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj ajrit të kondicionuar mund të shkaktojë infeksion

Published

on

By

Kryetari i Departamentit të Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike të Fakultetit të Mjekësisë pranë Universitetit të Ankarasë (AU), prof. dr. Serhat Birengel thotë se bakteret legionella të transmetuara përmes kondicionerëve mund të shkaktojnë pneumoni.

Birengel në një deklaratë për Anadolu foli për problemet shëndetësore që mund të lindin për shkak të ekspozimit ndaj ajrit të kondicionuar dhe rritjes së sëmundjeve infektive gjatë muajve të verës.

Duke tërhequr vëmendjen te përdorimi në rritje të kondicionerëve gjatë muajve të verës, Birengel tha se kalimet e papritura nga i nxehti në të ftohtë mund të ndikojnë negativisht në sistemin imunitar.

“Përderisa temperaturat rriten për shkak stinës, si konsumi i lëngjeve ashtu edhe përdorimi i kondicionerëve mund të shkaktojnë dobësi të trupit për shkak të dallimeve midis të nxehtit dhe ftohtit.

Bakteret legionella të transmetuara përmes kondicionerëve mund të shkaktojnë pneumoni.

Ndërsa trupi dobësohet, bëhet më e lehtë që viruset e tjera të frymëmarrjes të bëjnë vend”, paralajmëroi ai duke shtuar se nuk duhet qëndruar përballë kondicionerit veçanërisht kur njeriu djersitet.

– “Temperatura ideale për ajër të kondicionuar në mjediset e punës është 18-21 gradë”

Mjeku turk foli edhe për përdorimin e kondicionerit në mjediset e punës. “Temperatura ideale për ajër të kondicionuar në mjediset e punës është 18-21 gradë.

Nëse uleni afër ajrit të kondicionuar, ndryshimet e papritura të temperaturës mund të shkaktojnë edemë të mukozës së sinuseve dhe sinusitit tek ata me alergji.

Kjo vlen edhe për kondicionerët e automjeteve; është e dobishme të mbroheni nga ndryshimet e papritura të temperaturës”, tha ai.

Ai dha informacion rreth shkaqeve kryesore të infeksioneve të verës.

“Konsumimi i pijeve të ftohta në veçanti mund të ketë efekte negative në sistemin gastrointestinal, ndërsa pijet e përgatitura në mjedise johigjienike ose pirja e ujit nga burime të papaketuara mund të shkaktojnë infeksione të zorrëve”, u shpreh Birengel./ AA.

Continue Reading

Shëndeti

Studimi zbulon se muaji që keni lindur ndikon në mënyrën se si trupi juaj ruan yndyrën

Published

on

By

Një studim i ri ka hedhur dritë mbi një lidhje të habitshme midis mënyrës se si trupat tanë ruajnë yndyrën.

Ndërsa nuk është sekret që dieta dhe ushtrimet luajnë një rol të madh në formësimin e fizikut tonë, një studim i ri i botuar në revistën Nature Metabolism sugjeron që temperatura ndaj së cilës jemi ekspozuar në lindje mund të jetë gjithashtu një faktor kyç.

Studiuesit besojnë se lidhja mund të qëndrojë në mënyrën se si trupat tanë zhvillojnë lloje të ndryshme të yndyrës në përgjigje të mjedisit në të cilin lindim. Indi dhjamor ngjyrë kafe, i cili është veçanërisht aktiv tek të porsalindurit, ndihmon në gjenerimin e nxehtësisë dhe është thelbësor për mbajtjen e trupit ngrohtë në klimat më të ftohta.

Në të kundërt, indi dhjamor i bardhë vepron si një rezervë energjie afatgjatë dhe tenton të grumbullohet më shumë në kushte më të ngrohta. Ai shërben gjithashtu si një organ që sekreton hormone . Ky ndryshim sezonal në ekspozimin e hershëm ndaj temperaturës mund të formësojë sasinë e secilit lloj yndyre që zhvillojmë – dhe potencialisht të ndikojë në modelet e ruajtjes së yndyrës edhe në moshë madhore.

Studiuesit studiuan dendësinë e indit dhjamor kafe, gjenerimin e nxehtësisë dhe aktivitetin te 683 burra dhe gra midis moshës tre dhe 78 vjeç, prindërit e të cilëve ishin të ekspozuar ndaj temperaturave të ngrohta ose të ftohta gjatë ngjizjes ose lindjes.

Ato të ngjizura në stinë më të ftohta çuditërisht kishin aktivitet më të lartë të indit dhjamor kafe, i cili lidhet me akumulim më të ulët të yndyrës së brendshme, shpenzim më të lartë të energjisë së trupit dhe gjenerim të nxehtësisë, si dhe BMI më të ulët si të rritur.

“Këtu raportojmë se individët, nënat e të cilëve kanë ngjizur gjatë stinëve të ftohta, shfaqin aktivitet më të lartë të indit dhjamor kafe, termogjenezë adaptive, rritje të shpenzimeve totale ditore të energjisë dhe indeks më të ulët të masës trupore dhe akumulim më të ulët të yndyrës viscerale”, kanë ndarë studiuesit.

Studimi shtoi: “Temperaturat më të ulëta të jashtme dhe luhatjet më të mëdha të temperaturave ditore gjatë periudhës së fekondimit janë përcaktues kryesorë të aktivitetit të indit dhjamor kafe.”

Studiuesit janë të etur ta eksplorojnë më tej lidhjen përmes studimeve të ardhshme.

Continue Reading

TOP Lajme