Burime të larta të sigurta të PressOnline.al pranë Frontit Europian, por edhe Frontit Kombëtar të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, hedhin poshtë kategorikisht çdo spekulim për largimin e deputetëve nga këto struktura politike.
“Jo vetëm që nuk ka asnjë largim, por ne jemi në konsolidim të mëtejshëm të radhëve tona. Deputetët janë të bashkuar dhe të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët – mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe përshpejtimin e integrimit europian të vendit”, kanë deklaruar burimet tona.
Sipas këtyre burimeve, Fronti Europian dhe ai Kombëtar e konsiderojnë veten si platforma të hapura për çdo deputet shqiptar që është kundër diskriminimit etnik dhe politikave që pengojnë rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut.
“Dera jonë është e hapur për çdo deputet që nuk e pranon përuljen e shqiptarëve dhe që refuzon stagnimin eurointegrues të vendit. Ky është një front politik i vlerave, jo i interesave të ngushta personale”, thuhet më tej në qëndrimin e siguruar nga PressOnline.al
Ky zhvillim vjen në një kohë kur skena politike shqiptare në vend është nën zhurmën e spekulimeve për ndarje dhe formacione të reja politike, por duket se brenda Frontit mesazhi është i qartë: unitet dhe orientim drejt Perëndimit.(PressOnline.al)