Burime të afërta me negociatat brenda koalicionit qeveritar VLEN bëjnë të ditur për Flaka se tashmë është arritur një ndarje preliminare e komunave për zgjedhjet lokale të tetorit. Sipas informacioneve, Lëvizja Besa ka siguruar për vete kandidaturat për Saraj, Tearcë, Tetovë dhe Zhelinë, duke konsoliduar dominimin në rajonin e Pollogut.
Në Çair, pas skandaleve që përfshinë emrin e Visar Ganiut dhe përplasjet me Izet Mexhitin, VMRO-DPMNE thuhet se po insiston në një kandidat të pavarur për të shmangur ngarkesën politike që vjen me emra të konsumuar.
Në Bërvenicë, burimet tona konfirmojnë se VLEN ka rënë dakord të mbështesë kandidatin e VMRO-DPMNE-së, në një kompromis që po shihet si tregues i thellimit të marrëveshjeve jashtë koalicionit shqiptar.
Në ndërkohë, grupimi i Arben Fetait dhe partia Alternativa e Zeqirja Ibrahimit sipas të gjitha gjasave nuk do të kenë kandidatë për kryetarë komunash. Më tej, edhe në listat për këshilltarë komunalë, këto struktura do të rradhiten pas vendit të dhjetë – një zhvillim që nënvizon përjashtimin e tyre nga vendimmarrja reale.
Likova, një tjetër bastion i rëndësishëm shqiptar, do të ketë me shumë gjasa një kandidat të pavarur të mbështetur nga VMRO-DPMNE, ndërsa në Haraçinë është tashmë “punë e kryer” – kandidatura i është lënë grupit të Izet Mexhitit, i cili do të garojë nën logon e VLEN-it.
Në Dibër, Strugë dhe Gostivar, VLEN nuk do të garojë me kandidatë të vet, por planifikon të mbështesë kandidatë të pavarur, si pjesë e një strategjie më të gjerë për “pazare lokale” dhe ruajtje të pozitave përmes aleancave të heshtura.
Kjo ndarje, sipas analistëve politikë, po dëshmon për një VLEN të copëtuar dhe të kontrolluar nga një bërthamë e ngushtë, ku Besa ka marrë pjesën më të madhe të tortës, ndërsa strukturat e tjera ose janë zbehur krejtësisht, ose janë detyruar të pranojnë pozita simbolike.