Connect with us

Lajme

Danimarka mori kryesimin me BE-në, a ndodhet zgjerimi i Maqedonisë dhe Ballkanit në prioritetet e saj?

Published

on

Më 1 korrik 2025, Danimarka mori presidencën e radhës të Këshillit të BE-së me prioritetet “Evropë e sigurt” dhe “Evropë konkurruese dhe e gjelbër”. Ndër çështjet kryesore është zgjerimi i BE-së, ku përmendet përparimi me Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk përmendet në mënyrë të veçantë si Ukraina dhe Moldavia, çka nuk tregon ndonjë përkushtim të veçantë ndaj saj. Danimarka angazhohet për forcimin e sigurisë, mbështetjen për Ukrainën, tranzicionin e gjelbër, forcimin ekonomik të BE-së dhe zbatimin e politikave të migracionit dhe azilit, raporton Portalb.mk.

Sipas një dokumenti të publikuar në Parlamentin Evropian, Presidenca daneze ka dy prioritete kryesore: Evropë të sigurt dhe Evropë konkurruese dhe të gjelbër. Të dy qëllimet shfaqen në shumicën e prioriteteve të saj sektoriale.

Prioritetet politike të Presidencës daneze

Mbrojtja – Danimarka do të punojë për përmirësimin e aftësisë së BE-së për të mbrojtur veten dhe demokracitë e saj “deri më së voni në vitin 2030”. Me fokus në sigurinë evropiane, Danimarka i jep përparësi detyrave të tilla si frenimi i migracionit të parregullt, forcimi i kufijve të jashtëm, forcimi i qëndrueshmërisë dhe parandalimit të BE-së, ruajtja e vlerave evropiane dhe zvogëlimi i rreziqeve për ekonominë.

Ukraina – Si pjesë e qëllimeve të saj të sigurisë, Danimarka kërkon të sigurojë mbështetjen politike, ekonomike, civile dhe ushtarake të BE-së për Ukrainën. Ajo propozon integrimin e industrisë mbrojtëse ukrainase në atë evropiane, për të forcuar të dyja. Përveç kësaj, dëshiron të mbështesë Ukrainën në politikat sektoriale të BE-së, të tilla si tregtia dhe transporti. Paralelisht, Presidenca do të punojë për të ruajtur sanksionet më të ashpra të mundshme kundër Rusisë.

Zgjerimi – Danimarka përpiqet për përparim të konsiderueshëm në zgjerim, veçanërisht me Ukrainën, por edhe me Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Klima – Tranzicioni i gjelbër mund dhe duhet të nxisë rritjen ekonomike, dhe politikat për klimën dhe energjinë duhet të jenë të lidhura ngushtë me politikat e konkurrueshmërisë, deklaron presidenca daneze, duke e sjellë tranzicionin e gjelbër në një pozicion të barabartë me konkurrueshmërinë. Duke pasur parasysh këtë, ajo synon të rrisë pjesën e energjisë së gjelbër dhe të përmirësojë aksesin në të. Danimarka është zotuar të punojë për të arritur një marrëveshje politike mbi një objektiv klimatik të BE-së për vitin 2040 (i propozuar në Ligjin për Klimën, të publikuar më 2 korrik) dhe prej tij të nxjerrë kontributin e BE-së për vitin 2035 të përcaktuar në nivel kombëtar shumë kohë para COP30 (10-21 nëntor 2025), në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Mjedisit më 18 shtator.

Ekonomia – Presidenca synon të mbrojë zbatimin efektiv të rregullave fiskale të BE-së dhe të nxisë reformat në shtetet anëtare, të krijojë rrethanat financiare për gatishmërinë e mbrojtjes evropiane, të sigurojë përparim në fushën e tregut të vetëm, unionit të kursimeve dhe investimeve, si dhe unionit të tregjeve të kapitalit, dhe të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës.

Tregtia – Danimarka do të punojë për të zgjeruar rrjetin e marrëveshjeve tregtare të BE-së dhe për të ratifikuar marrëveshjet e Mercosur dhe Meksikës.

Buxheti – Duke pasur parasysh ciklin vjetor institucional, projektbuxheti i përgjithshëm për vitin 2026 do të negociohet midis presidencës daneze dhe Parlamentit. Përveç kësaj, Presidenca e konsideron përparësi fillimin e punës për buxhetin e ardhshëm afatgjatë evropian (që do të paraqitet në dy pjesë më 16 korrik dhe 17 shtator), të cilin dëshiron ta shohë të fokusuar, të thjeshtë dhe efektiv në shërbim të prioriteteve të politikave në zhvillim të BE-së. Do të fillojë negociatat për të gjitha propozimet e ardhshme legjislative sektoriale që lidhen me MFF-në dhe synon të dorëzojë një draft të parë negociues për të udhëhequr negociatat e ardhshme. Megjithatë, ajo nuk i ka vënë vetes qëllimin e arritjes së marrëveshjes në Këshill mbi burimet e veta.

Synime tjera gjatë presidencës daneze

Për të forcuar bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së Evropës, negociatat do të vazhdojnë mbi Programin Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP) kur Danimarka të marrë presidencën e rradhës. Sa i përket financimit të ReArm Europe, si Parlamenti ashtu edhe Këshilli duhet të punojnë ende mbi pozicionet e tyre fillestare. Duke lidhur mbrojtjen me energjinë, Danimarka synon të arrijë në një qëndrim të përbashkët brenda Këshillit, pastaj në një marrëveshje me Parlamentin mbi propozimin për të hequr gradualisht importet e gazit natyror rus.

Duke iu drejtuar ndërhyrjeve të huaja, Presidenca do të punojë mbi qëndrimin e saj mbi dosjet në paketën e mbrojtjes së demokracisë (duke përfshirë përfaqësimin e interesave në emër të vendeve të treta), paralelisht me punën në Parlament.

Në fushën e tregtisë, Presidenca kërkon të përfundojë bisedimet me Parlamentin mbi skemën e përgjithshme të preferencave tarifore, marrëveshja për të cilën rezultoi e pamundur gjatë Presidencës polake, dhe shqyrtimin e investimeve të huaja. Danimarka ka mbështetur një qëndrim më të rreptë ndaj migracionit, duke mbajtur kanalet hapur për të rekrutuar punë ndërkombëtare në profesione ku ka mungesa.

Presidenca do të përqendrohet në zbatimin e Paktit për Migracionin dhe Azilin, duke eksploruar se si të thyhen strukturat nxitëse që fshihen pas migracionit të parregullt. Do të punojë për të gjetur një qëndrim të Këshillit mbi konceptin e vendeve të treta të sigurta dhe mbi Direktivën e Kthimit.

Gjithashtu, do të fillojë punën për tre dosje që lidhen me kontrabandën e migrantëve duke gjetur një qëndrim të Këshillit mbi aspektin e transportit, i cili nuk ka ndryshuar në Këshill që nga viti 2021; duke filluar trilogjet mbi parandalimin e hyrjeve të paautorizuara, sapo Parlamenti të jetë gati; dhe, së fundmi, duke vazhduar trilogjet mbi rolin e Europolit në hetimet që lidhen me kontrabandën e migrantëve. Këshilli dëshiron të vazhdojë punën nga ana e tij mbi aplikacionin e Udhëtimit Digjital të BE-së, paralelisht me punën e Parlamentit mbi qëndrimin e vet.

Danimarka mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do ta mbajë këtë detyrë deri më 31 dhjetor 2025. Ajo mori kryesimin nga Polonia dhe do t’ia dorëzojë stafetën Qipros.

Kujtojmë se nga janari e deri në qershor, presidencën e mbajti për herë të dytë Polonia, mandati cili shënoi fillimin e një tresheje të re presidence që përfshin Danimarkën dhe Qipron. Edhe gjatë presidencës polake për zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, nuk iu kushtua ndonjë rëndësi e veçantë Maqedonisë së Veriut.

“Qëllimi ynë është të bëjmë përparim në lidhje me Ukrainën, Moldavinë, si dhe me Ballkanin Perëndimor. Progresi në procesin e anëtarësimit duhet të jetë proporcional me përfshirjen e vendeve kandidate për në BE. Për më tepër, Presidenca polake do të mbështesë aspiratat pro-evropiane të shoqërisë gjeorgjiane. Ne llogarisim në përmbysjen e prirjes anti-evropiane që iu imponua Gjeorgjisë nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të standardeve të dyshimta. Ne gjithashtu do të donim që Bashkimi Evropian dhe Turqia të ndërmarrin hapa konkretë drejt një afrimi. Turqia është partneri ynë shumë i rëndësishëm, strategjik, jo vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, por edhe në ekonomi”, tha atëkohë shefi i MPJ-së polake.

Continue Reading

Lajme

Në 7 vitet e fundit 17 mijë nxënës dhe 7 mijë studentë më pak në Maqedoninë e Veriut

Published

on

By

“Në shtatë vitet e fundit, numri i nxënësve është zvogëluar për 17.000 dhe ai i studentëve për 7.000. Klasat dhe amfiteatrot po zbrazen. Nëse kjo nuk ndalet, shteti nuk mund të shpresojë në një të ardhme perspektive, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën e sotme me titull “Sfida demografike dhe zgjidhjet e mundshme”.

“Arsimi dhe shkenca nuk duhet të jenë faktorë që nxisin emigrimin. Ato duhet të jenë fusha që u ofrojnë të rinjve një proces cilësor të edukimit personal, por edhe mundësi për angazhim profesional, si në institucionet arsimore ashtu edhe në ato shkencore,” tha Janevska, duke shtuar se këtë vit buxheti i ministrisë është më i madhi deri tani për më shumë mundësi arsimore dhe shkencore.

“Po e forcojmë standardin e nxënësve dhe studentëve. Kemi futur masa dhe mbështetje financiare që më parë nuk ekzistonin, veçanërisht për fëmijët e talentuar që të marrin pjesë në gara të mëdha. E kemi rritur vëllimin e bursave dhe kemi zgjeruar të drejtat për më shumë nxënës dhe studentë. Po e harmonizojmë arsimin me nevojat e tregut të punës, në mënyrë që të rinjtë të mund të punësohen shpejt dhe të bëhen ekonomikisht të pavarur,” theksoi ministrja.

Ajo informoi gjithashtu se është në fazë përgatitjeje një ligj i ri për arsimin e lartë, i cili do të parashohë punësimin e studentëve më të mirë nga çdo gjeneratë në universitetet shtetërore.(INA)

Continue Reading

Lajme

Mesazh nga terreni: A po përgatitet Blerant Ramadani për Sarajin?

Published

on

By

Blerant Ramadani, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga emrat e përfolur si kandidat i mundshëm për Komunën e Sarajit me përkrahje edhe nga Fronti Evropian, ka lëshuar një sinjal të qartë nga terreni, shkruan Flaka

“Në parkun e bukur të Sarajit! Edhe më të bukur për Gjeneratat e Reja!”, ka shkruar Ramadani në një postim publik, duke shoqëruar mesazhin me fotografi bashkë me fëmijët e tij, në një nga hapësirat publike të kësaj komune.

Mesazhi është parë si një paralajmërim për projekte të mundshme zhvillimore në këtë komunë, me fokus tek gjeneratat e reja dhe investimet në infrastrukturën publike. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar për kandidaturën, lëvizjet e fundit të Ramadanit në terren dhe retorika e përdorur e forcojnë profilin e tij si pretendent serioz për garën lokale.

Nëse kandidon me përkrahje nga Fronti Evropian, gara në Saraj mund të jetë një nga më të ndjekurat në zgjedhjet e ardhshme lokale. Flaka

Continue Reading

Lajme

Fetai u jep zë sulmeve ndaj ambasadorit, portali “Fol” sulmon Meidanin – Ky i fundit: Fake news!

Published

on

By

Portali Fol, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me koalicionin VLEN dhe zyrtarin Arben Fetai, ka publikuar një editorial të ashpër me qëllim për të përbaltur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.

Në editorialin me autorësinë e Latif Arifit, i cili mban funksione zyrtare brenda grupacionit të Fetait, thuhet që qasja e ambasadorit Meidani në rastin e shkollës së Nerovës, ku pa kurrfarë kontributi konkret tentoi t’i atribuojë vetes merita për një çështje që kishte filluar shumë më herët nga faktorë lokalë dhe qeveria për t’u zgjidhur, është një shfaqje e ulët e diplomacisë militante.

“Nuk është aspak sjellje dinjitoze për një përfaqësues të shtetit shqiptar që të përfshihet në propagandën e një partie tashmë në opozitë, e njohur gjerësisht si një prej strukturave më të kriminalizuara politike në Evropë”, vijon editoriali.

Përgjigja e ambasadorit Meidani nuk ka munguar. Me një koment të shkurtër dhe të prerë, ai ka reaguar: “Fake News”, duke e demaskuar editorialin si një tentativë të ulët për manipulim publik.

Ironikisht, vetë Arben Fetai, i cili aktualisht duket se po u jep zë sulmeve ndaj ambasadorit, kishte dalë në mbrojtje të tij vetëm pak muaj më parë. Në shkurt, kur eksponentë të VLEN-it e akuzuan Meidanin për ndërhyrje në vendimin e Arben Taravarit për të tërhequr Aleancën për Shqiptarët nga koalicioni, Fetai kishte shkruar:

“Këto ditë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani, është bërë shënjestër e sulmeve nga ata që shqetësohen nga puna e tij e pandalshme dhe vizioni i tij i qartë. Për herë të parë, kemi një ambasador shqiptar që jo vetëm se e di saktësisht çfarë bën, por që e bën më së miri, me profesionalizëm të lartë dhe një qasje që imponon respekt. Denion Meidani është një diplomat me përgatitje të jashtëzakonshme, i vlerësuar në qarqet më të larta diplomatike. Ai nuk është thjesht një përfaqësues i Shqipërisë, por një figurë që me dinamizmin dhe vendosmërinë e tij po vendos standarde të reja në diplomacinë shqiptare. Ne kemi shprehur publikisht mbështetjen tonë për të dhe e ritheksojmë edhe sot: Ambasadori Meidani ka mbështetjen tonë të plotë! Ai është një model dinjiteti për diplomacinë shqiptare në rajon”.

Ky ndryshim i beftë i qëndrimit ngre pikëpyetje mbi motivet reale të sulmeve ndaj ambasadorit Meidani dhe rolin që po luajnë strukturat e VLEN-it në diskreditimin e një diplomati që gëzon respekt në qarqet vendore dhe ndërkombëtare. Flaka

Continue Reading

TOP Lajme