Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar ka reaguar me një demant të ashpër ndaj, siç e cilëson, manipulimeve të grupimit politik VLEN.
“BDI është fuqi, është energji e pashtershme, është mobilizim, entuziazëm dhe strukturë e mirëfilltë organizative. Pikërisht këtë e dëshmon edhe gjesti i shëmtuar dhe manipulativ i grupimit politik VLEN, i cili, i përballur me murin e gjallë të shqiptarëve dhe pa kapacitet për të mbledhur as një autobus me njerëz, ka shpikur metoda mashtruese për të mbushur sallat dhe sheshet,” thuhet në reagim.
Sipas degës së BDI-së, VLEN ka përdorur një ftesë të sajuar për të thirrur qytetarët e Gostivarit në hapjen e shtabit të tyre. “Për të futur qytetarët në mjegullim – ashtu siç janë edhe vetë në politikë dhe qeverisje – nuk kanë treguar as emrin e kandidatit dhe as subjektin politik, por vetëm lokacionin, duke dëshmuar edhe një herë se politika e tyre bazohet në mashtrim dhe manipulim,” thekson BDI.
Në reagim, VLEN akuzohet se është i izoluar dhe i braktisur nga qytetarët: “Por vasalët e Mickoskit kanë harruar një gjë: qytetarët tashmë i kanë zbuluar dhe i kanë izoluar. Përgjigja më e mirë do të vijë më 19 tetor, kur edhe zyrtarisht do të diskualifikohen nga skena politike.”
BDI shprehet se aktivitetet e VLEN-it reduktohen vetëm në një numër të vogël njerëzish. “Prej kohësh, në zyrat dhe aktivitetet e tyre shfaqen vetëm një grusht njerëzish sipas një formule të njohur: disa zyrtarë të VLEN-it të shoqëruar me nga 3-4 anëtarë të familjes së tyre,” nënvizohet në demant.
Në fund, dega e BDI-së kujton se selia e saj është e pandryshueshme prej më shumë se dy dekadash. “Selia e BDI-së në Gostivar dihet se ku ndodhet prej më shumë se dy dekadash. Është adresa e shqiptarëve, adresa e besimit dhe e përkushtimit, ku prej kohësh nuk ka vend për pakurrizorë, për manipulatorë të djersës së aktivistit dhe për vasalët e Mickoskit të sotëm,” përfundon reagimi. Flaka