Connect with us

Lajme

BDI/LSDM, rasti korruptiv “Pacienti”, “Spitali modular” dhe “shqetësimi” i tyre sot për pacientët

Published

on

Shkruan: Luljeta Ajrullai

Nga dita e parë në detyrën Ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka treguar një përkushtim të vazhdueshëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, duke ndërmarrë reforma që kanë qenë të domosdoshme prej kohësh, e të cilën nuk e kanë bërë asnjëherë kritikuesit më të mëdhenj sot – BDI/LSDM.

BDI, parti e cila në biografinë e saj udhëheqëse me këtë ministri e mban turpin e rastit korruptiv të njohur si “Pacienti” sot e bën të shqetësuarën për pacientët! Hipokrizi! Absurd i llojit të vetë! Nga ana tjetër, në kohën e LSDM-së, u zbulua keqpërdorimi i ilaçeve onkologjike, më saktë tregtimi i tyre, ndërsa ky skandal me përmasa epike rrezikonte jetën e pacientëve. Kjo, shkaktoi edhe revoltë qytetare e cila shpërtheu me protesta disa javëshe.

Rasti tragjik ku u dogjën për së gjalli 14 njerëz në Spitalin Modular, e i cili ndodhi në kohën e qeverisjes BDI/LSDM akoma është i freskët dhe i dhimbshëm për të gjithë ne. Askush nuk u përgjigj atëherë, as nuk dha dorëheqje.

Ndërkohë që çdo vendim mund të përballet me kritika, është e rëndësishme të theksohet se sot, Arben Taravari, ka prioritizuar shëndetin e qytetarëve mbi interesat politike, apo të ndonjë grupi të caktuar.

Oponentët politikë, më saktë BDI dhe LSDM, po bëjnë akuza të pabazuara, duke e kthyer një fushë kaq të rëndësishme si shëndetësia në arenë të debatit politik. Megjithatë, faktet flasin ndryshe. Nën udhëheqjen e kësaj ministrie nga ana ministrit Taravari, ka plot nisma për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, rritja e buxhetit për shëndetësinë, rritja e pagave të mjekëve, punësimi i specializantëve, dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.

Çdo reformë ka sfidat e veta, por në vend që BDI/LSDM, të kritikojnë në mënyrë destruktive, është koha për mbështetje. Nëse nuk mund ta bëjnë këtë, të paktën le të heshtin! Shëndetësia nuk guxon në asnjë rast të jetë fushë për përfitime politike, por prioritet kombëtar, i të gjithëve. Ministri i Shëndetësisë meriton vlerësim për përpjekjet e tij, dhe çdo kritikë duhet të bazohet në fakte dhe jo në spekulime politike, dhe kurrë në kurriz të pacientëve.

Së fundmi, BDI/LSDM, nuk kanë të ndalur duke kërkuar dorëheqjen e tij, duke përdorur qasjen obstruktive të tyre për sulme politike. Ministri, Arben Taravari, në vazhdimësi që nga dita e parë si ministër, ka treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe për të vepruar, dhe këto përpjekje duhet të mbështeten, jo të minohen, e assesi të obstruktohen.

Në rastin e Onkologjisë, ajo që ishte e dukshme, dhe e rëndësishme të theksohet, është se Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht ministri Taravari, dhe të gjitha strukturat përkatëse institucionale, janë të angazhuar vazhdimisht për të garantuar kujdesin dhe terapitë e nevojshme për pacientët onkologjikë.

BDI/LSDM, pa e harruar rastin e famshëm “Pacienti” dhe Spitalin modular, është mirë që ta kuptojnë se nuk bëhet politikë me qytetarët që kanë nevojë për mbështetje gjithëpërfshirëse. Ato, BDI/LSDM, duhet ta dinë se në trajtimin e çështjeve që lidhen me pacientët, është thelbësore të shmanget krijimi i panikut, pasi kjo mund të ndikojë negativisht te shëndeti mendor i pacientëve.
Komunikimi publik dhe Komunikatat politike të BDI/LSDM, për përfitime të ulëta politike, nuk i shërbejnë askujt, aq më pak pacientëve!

Përhapja e dezinformatave, dhe reagimet politike jo të sinqerta, e dëmtojnë moralin e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Prandaj, është detyrë e të gjithëve, edhe e BDI/LSDM, që të tregojnë përgjegjshmëri në trajtimin e këtyre temave delikate. Pacientët kanë nevojë për mbështetje, qetësi dhe siguri, jo për alarm të panevojshëm, dhe as për përhapjen e pasigurisë dhe panikut.

*Autorja magjistre e shkencave sociologjike

Continue Reading

Lajme

Maqedonia e Veriut rrezikon humbjen e 134 milionë eurove, ka zbatuar vetëm 40% të reformave

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor, ku Maqedonia e Veriut tregon progres modest, ndërsa Shqipëria dhe Serbia shënojnë ngecje të plotë.

Sipas raportit zyrtar të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes, Maqedonia ka arritur të përmbushë vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, që përfaqëson 40% të detyrimeve të saj. Për këtë, vendi mori rreth 8.5 milionë euro nga BE.

Megjithatë, situata për vitin 2025 paraqitet edhe më problematike.

“Asnjë nga 19 reformat e planifikuara për vitin 2025 nuk është zbatuar,” thuhet në raportin e KE-së, duke paralajmëruar se Maqedonia rrezikon të humbasë 134 milionë euro, ndërsa në rrezik është vënë edhe një total prej 205 milionë eurosh mbështetje evropiane.

Në muajt e ardhshëm, vendi duhet të zbatojë deri në 48 reforma – të reja dhe të prapambetura. Këto përfshijnë riorganizimin e sistemit hekurudhor, rritjen e numrit të inspektorëve të punës, përforcimin e Agjencisë së Konfiskimit të Pasurive, reformimin e sektorit të energjisë, modernizimin e ndërtesave qeveritare, sigurinë kibernetike, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe masat kundër korrupsionit.

“Maqedonia gjithashtu duhet të digjitalizojë shkollat, të zvogëlojë punësimin informal, të përmirësojë prokurimin publik dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe të prezantojë kontrollin e shpenzimeve përmes auditimeve të brendshme,” theksohet në dokument.

Raporti kërkon gjithashtu miratimin e një Kodi të ri Penal, pajisjen e Prokurorisë me staf ekspert për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimin e procedurave transparente për emërimin e menaxherëve të ndërmarrjeve publike.

Pavarësisht rezultateve të dobëta, Maqedonia nuk është më e fundit në rajon.

“Shqipëria dhe Serbia nuk kanë zbatuar asnjë nga hapat e planifikuar – me performancë zero për qind dhe pa asnjë shpërndarje të fondeve evropiane,” vlerëson KE.

I vetmi vend që ka shënuar një ritëm relativisht të kënaqshëm është Mali i Zi, me një normë përfundimi prej 50%.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, u miratua më 8 nëntor 2023 nga Komisioni Evropian. Ai bazohet në katër shtylla: integrimi në tregun unik të BE-së, forcimi i bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për mbështetjen e tyre.

Burimi: Portalb

Continue Reading

Lajme

Komunat në krizë financiare, Snopçe: Kjo është pasojë e mungesës së decentralizimit

Published

on

By

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për mosrealizimin e premtimit kyç për decentralizimin e pushtetit, një ndër zotimet më të theksuara të koalicionit shqiptarë qeveritar VLEN gjatë fushatës zgjedhore para më shumë se 15 muajsh.

Sipas Snopçes, qeveria ka dështuar të ofrojë strategji konkrete për forcimin e pushtetit lokal, duke lënë komunat pa burime të qëndrueshme financiare dhe pa mbështetje institucionale.

“Fatkeqësisht, decentralizimi mbeti vetëm një fjalë goje. Qeveria nuk ka vullnet politik dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap të rëndësishëm për zbutjen e problemeve që përballen komunat,” deklaroi Snopçe.

Ai theksoi se institucionet ndërkombëtare tashmë kanë konstatuar mungesën e vullnetit të qeverisë për një decentralizim të mirëfilltë, çka rrezikon të thellojë edhe më shumë pabarazitë mes rajoneve dhe të dëmtojë funksionimin e demokracisë lokale.

Deputeti Snopçe ngriti shqetësimin edhe për faktin se burimi kryesor financiar i komunave urbane janë lejet e ndërtimit, një praktikë që po çon drejt mbingarkesës urbane dhe shkatërrimit të hapësirave publike.

“Nëse vazhdohet kështu, në të ardhmen nuk do të kemi kushte normale për jetë, as infrastrukturë cilësore për qytetarët,” paralajmëroi ai.

Në fund, Snopçe i bëri thirrje qeverisë që të mos e lërë më tej në harresë këtë çështje jetike për funksionimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Decentralizimi nuk është luks, është nevojë urgjente,” përfundoi ai.

Continue Reading

Lajme

Flamur Gjoleka – Kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim për Kryetar të Komunës së Dollnenit

Published

on

By

Aleanca Kombëtare për Integrim ka konfirmuar kandidaturën e z. Flamur Gjoleka, nga fshati Cërnlishtë i Dollnenit, për Kryetar të Komunës së Dollnenit.

Z. Gjoleka përfaqëson një brez të ri profesionistësh shqiptarë që, përmes angazhimit dhe punës së palodhur, kanë arritur sukses jashtë vendit. Si biznesmen i suksesshëm në Slloveni, ai ka dëshmuar se vizioni strategjik, përgjegjësia dhe vendosmëria janë elementë thelbësorë për çdo arritje. Këto përvoja dhe vlera tani synon t’i vërë në shërbim të vendlindjes së tij.

I pajisur me energji rinore, përvojë menaxheriale dhe vizion zhvillimor, z. Gjoleka shihet si kandidat me potencial real për të sjellë ndryshime pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm në Komunën e Dollnenit. Objektivi i tij kryesor është që Dollneni të bëhet një hapësirë atraktive për jetesë, punësim dhe investime, duke krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe duke e pozicionuar komunën si model të menaxhimit efikas dhe transparent.

Kandidatura e tij përfaqëson një kombinim të përkushtimit personal, eksperiencës ndërkombëtare dhe ambicies për ta bërë Dollnenin një komunë me perspektivë moderne dhe europiane.

Continue Reading

TOP Lajme