Kur parimi është më i rëndësishëm se pushteti: Taravari zgjodhi të largohej nga një qeverie që i përdor shqiptarët si dekor politik
Editorial nga PressOnline.al
Kur Arben Taravari zgjodhi të largohej nga Qeveria dhe të mos bëhej pjesë e konfigurimit të ri politik me VMRO-DPMNE-në, shumëkush e paragjykoi. Por sot, me një realitet të zymtë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, është më se e qartë: Taravari kishte të drejtë, shkruan PressOnline.al
Qeveria e re VMRO-VLEN nuk është qeveri e barazisë, as e reformës, dhe sigurisht as e përfaqësimit të denjë të shqiptarëve. Është një qeveri ku shqiptarët janë të pranishëm vetëm numerikisht – por të përjashtuar nga vendimmarrja. Janë aty si stoli politik, jo si faktor shtetformues. Pikërisht këtë e paralajmëroi Taravari që në momentin e ndarjes nga projekti VLEN.
Sot, lideri i Aleancës për Shqiptarët e thotë troç: VLEN si projekt ka dështuar, dhe ajo pjesë e shqiptarëve që kanë mbetur në qeveri janë thjesht lajkatarë të pushtetit. Me fjalë të tjera, ata nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por mbrojnë një agjendë që shërben tjetërkund – aty ku fuqia dhe ndikimi vijnë nga qendrat e vendimmarrjes maqedonase.
Në vend që të luftojnë për barazi, për rol real në qeverisje, për drejtësi e zhvillim për shqiptarët, ata janë kthyer në zëdhënës të interesave të huaja politike. Kjo, siç thotë vetë Taravari, nuk është vetëm dëm për shqiptarët – është dëm për të gjithë qytetarët, sepse “kur shqiptarët janë keq, të gjithë janë keq”.
Shqiptarët, sipas Taravarit, po kalojnë ditët më të errëta në Maqedoninë e Veriut. Dhe me të drejtë paralajmëron se faktori ndërkombëtar tashmë ka filluar të shqetësohet për ndikimin rus dhe serb në rrjedhat politike të vendit – një alarm që nuk mund të injorohet. Në këtë kontekst, heshtja e përfaqësuesve të VLEN në qeveri është dëshmi e një kapitullimi të plotë politik.
Më e rënda? VLEN ka harruar pse erdhi në pushtet. Harroi fjalët e mëdha për “ndryshim”, “dinjitet” dhe “barazi”. Harroi qëllimin për të ndërtuar një shtet më të mirë për shqiptarët. Sot, pjesëmarrja e tyre në qeveri është shndërruar në legjitimim të një sistemi që i mban shqiptarët të margjinalizuar.
Në këtë dritë, Taravari nuk është thjesht opozita shqiptare – ai është zëri i arsyes dhe parimit. Ai nuk pranoi të bëhet pjesë e një fasade. Ai kërkoi jo përfaqësim numerik, por ndikim real në vendimmarrje. Dhe kjo është ajo që i takon shqiptarëve si shtetformues në këtë vend.Sot, kur realiteti politik flet vetë, shqiptarët duhet ta kuptojnë qartë një gjë: largimi i Taravarit nga kjo qeveri nuk ishte një akt i dobësisë, por një akt i guximit dhe përgjegjësisë. Ai refuzoi të bëhet pjesë e një mashtrimi dhe sot e ka fituar të drejtën morale dhe politike për të thënë: e paralajmërova këtë, por nuk më dëgjuat.(PressOnline.al)