Connect with us

Lajme

ASH: Mexhiti po riciklon bixhozin – nuk mbyllet, vetëm legalizohet

Published

on

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti, ka filluar të sulmojë opozitën me akuza boshe, duke thënë se kritikojmë ligje që nuk i kemi lexuar. Por ne e pyesim publikisht: a e ka lexuar vetë Izet Mexhiti Ligjin për Lojërat e Fatit? Sepse nëse e ka lexuar dhe përsëri del në opinion për të thënë se ky ligj do ta mbyllë bixhozin, atëherë po mashtron hapur ose nuk e kupton çfarë firmos.

Ky ligj nuk mbyll asgjë. Përkundrazi, ai garanton vazhdimësinë e industrisë së bixhozit në një formë të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga struktura që tashmë janë të kapura. Ky nuk është ligj kundër bixhozit, por një rikonstruktim i perandorisë së lojërave të fatit, të lidhur ngushtë me oligarkë që në mënyra të ndryshme rezultojnë bashkëpunëtorë të vetë Izet Mexhitit.

Nëse Izet Mexhiti do të ishte vërtet kundër bixhozit, nuk do të lejonte që bastoret të qëndrojnë pranë shkollave. Ligji i ri e ndalon distancën vetëm për kazinotë dhe lojërat elektronike, por bastoret janë përjashtuar. Ato mund të vazhdojnë të funksionojnë pranë shkollave pa asnjë problem. Dhe nëse flet për distancën prej 500 metrash, duhet të sqarojë pse matja i lihet kompanive private, dhe jo institucioneve shtetërore, komunave apo vetë shkollave. Ky është mashtrim i pastër.

Në vend të mbrojtjes së qytetarëve, Izet Mexhiti ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël klienteliste. Emërimi i Ahmet Miftarit si zëvendësdrejtor, të cilin vetë e paraqiti si kuadër të VMRO-së, është në fakt një bashkëpunëtor i afërt i vetë Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike. Për më tepër, përfshirja e familjarëve të tij në Bordin e Lotarisë tregon qartë se institucioni është kapur plotësisht për interesa personale dhe politike.

Heshtja e Mexhitit në rastin e shkatërrimit të pyjeve në malin Kozhuf është një tjetër dëshmi e lidhjeve të tij me industrinë e bixhozit. Kompania “Sportlife”, në pronësi të oligarkut Gjoko Sterjoski, po shkatërron hapur ekosistemin dhe biodiversitetin në atë zonë, ndërsa ministri që duhet të kujdeset për mjedisin, nuk flet asnjë fjalë. Kjo nuk është pasivitet, kjo është kompromis.

E gjithë kjo tregon se retorika e Izet Mexhitit për “luftë kundër bixhozit” është një mashtrim klasik. Ai nuk është armik i bixhozit, por garantuesi i tij më i heshtur. Dhe ky ligj që ai po mbron nuk e ndalon industrinë, por e sistemon atë në mënyrë që të vazhdojë të funksionojë për vite të tëra, nën kontrollin e po të njëjtëve oligarkë dhe struktura të kapura.

Aleanca për Shqiptarët kërkon mbyllje reale, të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të të gjitha formave të bixhozit pranë shkollave dhe zonave të banuara. Jo me përjashtime, jo me kritere të rreme dhe as me matje nga kompani private. Ky është minimumi që duhet të garantojë një shtet normal.

Në vend të transparencës kemi klientelizëm. Në vend të reformës kemi riciklim figurash të vjetra. Në vend të mbrojtjes së interesit publik kemi kapje të institucioneve dhe heshtje të blerë. Dhe në qendër të kësaj hipokrizie është Izet Mexhiti.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

Lajme

Fushata e fundit e Ministrisë së Bujqësisë është fyerje për shqiptarët, reaguan nga ASH-ja e Taravarit

Published

on

By

Aleanca për Shqiptarët nga Arben Taravari ka reaguar në lidhje me fushatën e Ministrisë së Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut. Ata fushatën “Më e mira maqedonase: tradita jonë, krenaria jonë”, transmeton Portalb.mk.

“Fushata e re e Ministrisë së Bujqësisë me sloganin “Македонско најдобро: Наша традиција, наша гордост” përbën një fyerje të hapur për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha komunitetet jomaqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, reaguan nga ASH-ja.

Ata vlerësojnë se përmes fushatës me epitet “makedonsko”, bëhet përpjekje për ta shndërruar Maqedoninë e Veriut në një shtet monoetnik.

“Si mund të quhen “produkte maqedonase” domatet e Dibrës, djathi i Sharrit, lakra e Begovinës, qepa e Gostivarit, perimet e Likovës, rrushi i Vrapçishtit apo gruri i Karadakut, pa përmendur asnjëherë shqiptarët që i punojnë dhe i prodhojnë ato? Kjo është nacionalizëm institucional i ambalazhuar si promovim ekonomik”, deklaruan nga Aleanca.

Aleanca fajësoi zëvendësministrin Albrim Hoxhën se përmes heshtjes është bashkëfajtor.

“Koalicioni shqiptar në qeveri, që premtuan barazi dhe dinjitet, është zhdukur nga çdo reagim publik. Kur shqiptarët përjashtohen nga koncepti i identitetit prodhues dhe nga simbolet shtetërore, FLEN nuk thotë asgjë. Kur shteti përdoret për të promovuar vetëm një etni, FLEN sërish hesht”, deklaruan nga Aleanca.

Continue Reading

Lajme

Rexhepi: VLEN hoqi edhe përfaqësimin shqiptar nga Fondi Shëndetësor

Published

on

By

Bajram Rexhepi nga BDI ka dalë me reagim në lidhje me situatën në Fondin për Sigurim Shëndetësor, njofton Top24.mk

Ai thotë se me votimin e VLEN që në këtë Fond të hiqet përfaqësimi i shqiptarëve, është goditur barasia institucionale.

“Përjashtimi i shqiptarëve nga bashkëdrejtimi i Fondit për Sigurim Shëndetësor është goditje e drejtpërdrejtë ndaj barazisë institucionale.

Deputetët e VLEN-it zgjodhën të votojnë për një strukturë të centralizuar që heq përfaqësimin shqiptar në një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit, Fondin për Sigurim Shëndetësor.
Për këtë nuk ka justifikim. Ka vetëm heshtje dhe servilizëm”, shkruan Rexhep

Continue Reading

Lajme

I burgosuri për rastin e Kumanovës, tani e 10 ditë nuk dërgohet në spital

Published

on

By

I burgosuri për rastin e Kumanovës, Nasuf Beqiri i cili vuan dënim me burg në Idrizovë, tanimë dhjetë ditë me radhë po përballet me mos trajtim nga stafi mjekësor i burgut, pasi ankohet për dhimbje të dhëmbit, përcjell Alsat.

Pas vizitës së familjes sot në burg, na njoftuan se Beqiri është me dhimbje të mëdha të dhëmbit ndërsa rrezikon që t’i përhapen edhe infeksione të tjera.

Beqiri ka kërkuar që të dërgohet në trajtim spitalor por nga burgu i janë përgjigjur se nuk ka policë të mjaftueshëm të cilët do ta organizonin transportin e tij deri në spital.

Nga burgu i kanë ofruar vetëm tableta të cilat familjarët thonë se nuk i ndihmojnë. Alsat dërgoi pyetje deri te Drejtoria për Kryerje të Sanksioneve për atë se pse i burgosuri Beqiri nuk dërgohet për trajtim mjekësor por nga atje asnjë përgjigje.(INA)

Continue Reading

TOP Lajme