Connect with us

Lajme

Aleanca për Shqiptarët: “Bota Serbe” po shtrihet në Maqedoni me mbështetje shtetërore

Published

on

Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatë të thellë për manifestimin e zhvilluar të dielën e kaluar në rajonin e Shtipit, me rastin e 111-vjetorit të Betejës së Bregallnicës, e cila historikisht shënon pushtimin e Maqedonisë nga ushtria serbe pas përplasjes me ushtrinë bullgare.

Ajo që është më shqetësuese se vetë organizimi i këtij përvjetori është mbështetja shtetërore që ka marrë ky manifestim nga institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – një përkrahje që i jep zë e figurë projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, tashmë të pranishëm në zemër të Maqedonisë. Ironia dhe padrejtësia historike e kësaj qasjeje është e dhimbshme.

Po të imagjinohej një përvjetor i tillë nga shqiptarët – qoftë edhe në formë private – për çlirimin e Shkupit më 13 gusht 1912 nga forcat e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, reaksioni do të ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. E njëjta ndjeshmëri politike do të kishte zënë vend edhe ndaj bullgarëve. Sepse, siç është dëshmuar gjatë dekadave, historiografia maqedonase vazhdon t’i quajë këto momente të historisë “pushtim nga shqiptarët”, ndërsa ndërkaq, me fonde publike dhe me prani zyrtare, përkujton pushtimin serb të vitit 1913 si ngjarje legjitime dhe të lavdishme. Kjo qasje selektive është shkollë klasike e nacionalizmit shtetëror maqedonas, i cili jo vetëm mohon kontributin dhe historinë e shqiptarëve, por edhe i jep hapësirë të plotë narrativës së Serbisë së Madhe.

Është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që institucionet e Maqedonisë së Veriut të përfshihen në organizime që përkujtojnë okupimin e këtyre trojeve, ndërsa një aktivitet shqiptar me përmbajtje historike, kulturore apo ushtarake, do të ishte menjëherë i ndaluar dhe i demonizuar.

Pyetja që lind natyrshëm është se çfarë do të ndodhte nëse një njësi simbolike e Forcave të Sigurisë së Kosovës apo e Ushtrisë së Shqipërisë do të vinte në Shkup për të përkujtuar çlirimin e tij nga shqiptarët? Padyshim që do të kishte “,lumë reagimesh”, ashtu siç po ndodh çdo ditë ndaj përpjekjeve për të rivlerësuar të kaluarën e shqiptarëve.

Në gjithë këtë situatë, VLEN ose nuk e sheh ndikimin e “Botës Serbe” mbi qeverinë në të cilën bën pjesë, ose ka zgjedhur të bëhet pjesë e saj. Vetëm VLEN e konsideron raportin e Komisionit Evropian si “mjegull të UDB-së”, duke mohuar realitetin që është i qartë për të gjithë: me paratë e taksapaguesve shqiptarë po financohen manifestime që përkujtojnë pushtimin serb dhe përforcojnë narrativën hegjemoniste serbe në Ballkan.

VLEN, në vend që të qëndrojë në krah të partnerëve euroatlantikë, i gëzohet kredive hungareze me origjinë kineze, për të cilat vetë Komisioni Evropian ka ngritur shqetësim si shenjë e rritjes së ndikimit rus dhe kinez mbi qeverinë në Shkup.

Ky nënshtrim i heshtur përballë agjendave antiperëndimore dhe antikombëtare është një devijim i rrezikshëm nga rruga e integrimeve evropiane dhe nga partneriteti strategjik me SHBA-të. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë shkeljes së dinjitetit historik të shqiptarëve, instrumentalizimit të institucioneve shtetërore në funksion të projekteve të “Botës Serbe”, dhe shndërrimit të historisë sonë në objekt përçmimi dhe mohimi. Ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin në mbrojtje të të vërtetës historike, të barazisë së shqiptarëve dhe të orientimit strategjik euroatlantik të vendit.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

Lajme

Reagon Komiteti i Helsinkit: Kërkojmë hetim për nëpunësit policorë që nuk e parandaluan sulmin ndaj Arsovskës

Published

on

By

Komiteti i Helsinkut ka reaguar ndaj rastit të sulmit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, njofton Top24.mk.

Nga KH thonë se duhet të hetohen nëpunësit policorë të cilët nuk e parandaluan sulmin në fjalë.

“Ky sulm është edhe një shembull alarmues me të cilat përballen gratë në jetën publike – dhunë, ofendime, kërcënime, shpifje dhe painteresim institucional”, thuhet mes tjerash në reagim.

Nga atje kërkojnë hetim urgjent dhe të paanshëm.

Continue Reading

Lajme

Arsovska: Ai më rrihte me shqelma, më kërcënonte për përdhunim para policisë (Video)

Published

on

By

Më rrahu me shqelma, me shkundi, me kërcënime për përdhunim para policisë, tha kryetarja e komunës, Danella Arsovska këtë pasdite pasi doli nga spitali “8 Shtatori” ku u shtrua pas sulmit në Çair.

Sulmuesi e kërcënoi atë dhe familjen e saj, djalin e saj, se do t’i vriste një nga një, por edhe këshilltarët të cilët pështynë mbi ta dhe i qëlluan me karrige dhe i quajtën me fjalë përçmuese.

Ajo dhe këshilltarët e saj shkuan atje pasi denoncuan një person që po ndërtonte ilegalisht, duke vjedhur energji elektrike, ujë.

“Ai më sulmoi fizikisht duke më rrahur, duke më shkundur, duke më shkelmuar, duke më bërë kërcënime nga më të ligat, për përdhunim, për mua, për familjen time para syve dhe veshëve të policisë. Në vend që ta ndalonin, e lejuan të ofendonte për gjysmë ore, u mblodhën dhjetëra njerëz, pështynë. Ata sulmuan gjithashtu këshilltarin dhe Sekretarin e Qytetit”, tha Arsovska.

Në vend që të ndalohej, për më shumë se gjysmë ore ai u lajmërua në telefon pata policisë dhe theshte se çfarë do t’i bënte asaj dhe familjes së saj. Ata shkuan në vendngjarje me polici, dhe pastaj erdhën dhjetë të tjerë.

Ajo pretendon se ata raportuan 20 herë në 192, ndërsa nga MPB pretendojnë se Arsovska nuk donte të raportonte.

Continue Reading

Lajme

Snopçe kritikon VLEN-in: Gjykata Kushtetuese po humb kuptimin, interpelanca u bllokua politikisht

Published

on

By

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Halil Snopçe, ka reaguar sërish lidhur me pengimin e interpelancës ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar shumicën parlamentare dhe posaçërisht deputetët e koalicionit VLEN se u rreshtuan në anën e gabuar të historisë, shkruan Flaka

“Kjo interpelancë u pengua nga shumica parlamentare. Ne dëshironim vetëm të flasim për të vërtetën. Ajo duhet të dalë në shesh,” – deklaroi Snopçe në një prononcim publik.

Deputeti theksoi se qëllimi i interpelancës nuk ishte delegjitimimi i Gjykatës Kushtetuese, por parandalimi i devijimit të saj nga misioni kushtetues:

“Nuk themi se Gjykata Kushtetuese po bëhet e paligjshme, por me këtë sjellje po bëhet e kotë në ekzistencën e saj.”

Snopçe kritikoi ashpër edhe përfaqësuesit e VLEN-it për mosmbështetjen e interpelancës, duke përdorur një thënie filozofike për të përshkruar qëndrimin e tyre:

“U drejtova atyre që e penguan daljen në dukje të kësaj të vërtete, ku fatkeqësisht u reshtuan edhe deputetët e VLEN-it, duke cituar një thënie filozofike se ‘vetëm për budallenjtë e vërteta është si një pishtar që e ndriçon mjegullën pa mos e shpërndarë atë’.”

Deputeti i ASH-së vuri në dukje dallimin themelor mes gjykimit politik dhe gjykimit juridik, duke nënvizuar se roli i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nuk është të japë deklarata politike:

“Gjykimi politik dhe gjykimi juridik janë dy gjëra të pakrahasueshme. Kryetari i Gjykatës nuk guxon të japë gjykime politike. Deputetëve u takon të flasin për këtë të vërtetë.”

Deklarata e Snopçes vjen në vazhdën e një debati të ashpër mbi kompetencat dhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese në raport me të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe interpretimin e ligjeve për gjuhën dhe simbolet kombëtare. /Flaka/

Continue Reading

TOP Lajme