Shërbimet e Përbashkëta duhet t’i paguajnë kompanisë “Hacat” 665.000 euro për ushqimin dhe vaktet që u ka shpërndarë pacientëve të shtruar në spital në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” dhe punonjësve të klinikave, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Supreme më 22 maj konfirmoi se faturat për vaktet që “Hacat” ua ka shpërndarë klinikave, të cilat duhet të paguhen nga Shërbimet e Përbashkëta – nuk janë paguar.
Prandaj, Gjykata Supreme i ngarkoi Shërbimet e Përbashkëta që t’i paguajnë paratë, si dhe të paguajnë kamatë. Është e paqartë se si do të realizohet kjo pa një injeksion financiar nga Qeveria, sepse sipas informacioneve jozyrtare të “Slloboden Peçat”, llogaria e Shërbimeve të Përbashkëta është e bllokuar dhe borxhi ndaj “Hacat” për ushqimin është edhe më i madh se këto 665.000 euro.
Nëse shihet arkivi në portalin e gjykatës, evidente është se kjo nuk është hera e parë që “Hacat” ka paditur për shkak se nuk është paguar për ushqimin e shpërndarë. Kjo kompani i ka furnizuar spitalet në Qendrën Klinike me vakte për pacientët dhe punonjësit për më shumë se 2 dekada.
Në letër ekzistojnë mbi 32 lloje dietash për pacientët, kështu që çdo klinikë bën kërkesa për ushqim, gjegjësisht vakte varësisht nga simptomatologjia dhe nevojat specifike të pacientëve, gjegjësisht sëmundjet e tyre.
Por në praktikë, ushqimi spitalor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” është nën standardet dhe me çmime shumë të ulëta – 256 denarë për tre vakte. Vitin e kaluar pati një rast kur mjekët nga Klinika e Dermatologjisë kërkuan që të mos u dorëzohej ushqimi i “Hacat”-it dhe në vend të kësaj, paratë të depozitoheshin në llogarinë e tyre bankare si pagesë për ushqim. Herë pas here, edhe mjekët publikojnë foto të asaj që kanë marrë për ushqim gjatë turnit të tyre, ndërsa vakte të shumta, si shpërndahen në klinika, ashtu kthehen mbrapsht – të paprekura.
Sidoqoftë, ushqimi dorëzohet rregullisht, por Shërbimet e Përbashkëta e paguajnë atë në mënyrë të parregullt. Për shkak të kësaj, nga buxheti grumbullohet kamatë, shpenzime gjyqësore dhe për avokat, të cilat në fund paguhen. Rasti më i fundit është ai i 665.000 eurove që do të mblidhen në këtë mënyrë, me kamatë, për vakte të papaguara deri më tani. Kompania ka faturuar, ndërsa Shërbimet e Përbashkëta, në vend që të përmbushin detyrimet e tyre, nuk kanë reaguar.
Marrëveshja e parë midis Shërbimeve të Përbashkëta – institucionit që kujdeset për furnizimin e Qendrës Klinike dhe kompanisë “Hacat” është lidhur më 26 mars të vitit 2004.
Objekt i marrëveshjes ka qenë “rregullimi i të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella në lidhje me sigurimin dhe furnizimin me ushqim për pacientët dhe punonjësit e Qendrës Klinike”. Në nenin 8 të marrëveshjes është paraparë që Shërbimet e Përbashkëta ta bëjnë pagesën për shërbimet e kryera brenda 15 ditëve nga dorëzimi i faturës.
Më 15 prill të vitit 2009 Shërbimet e Përbashkëta kanë lidhur një aneks të marrëveshjes me të cilin janë paraparë çmime të reja për shërbimet, ka qenë e përcaktuar që kjo marrëveshje të lidhej për një periudhë të pacaktuar kohore dhe se për gjithçka që nuk ndryshohej me këtë marrëveshje, mbeten të vlefshme kushtet e mëparshme kontraktuale.
Për shërbimet e ofruara për sigurimin dhe furnizimin me ushqim në përputhje me kontratat e lidhura, paditësi “Hacat” e ka ngarkuar palën e paditur Shërbimet e Përbashkëta me fatura për shuma individuale në data të përcaktuara saktësisht, gjegjësisht në bazë të të gjitha faturave paditësi i ka ngarkuar të paditurit një shumë totale prej 40.703.564,00 denarësh. Të gjitha faturat janë pranuar në mënyrë të rregullt nga pala e paditur përmes arkivit të tyre, deklaron Gjykata Supreme në vendimin me të cilin e urdhëron kryerjen e pagesës.
Pas konstatimeve të Gjykatës Supreme, gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë konstatuar saktë se Shërbimet e Përbashkëta i detyrohen “Hacat”-it një çmim total të faturuar për shërbimet e ofruara në shumën prej 40.703.564,00 denarësh me kamatë.
Arsyeja është se “Hacat” i ka përmbushur detyrimet kontraktuale në një mënyrë të tillë që për nevojat e “Shërbimeve të Përbashkëta” ka furnizuar me ushqim pacientët dhe punonjësit dhe për shërbimet e kryera e ka përgatitur dhe ngarkuar të paditurin me fatura, të cilat i padituri i ka pranuar rregullisht përmes arkivit të tij.
Përveç kësaj, i padituri gjatë procedurës nuk ka paraqitur prova se i ka kundërshtuar faturat as në bazë as në shumë, as nuk ia ka kthyer ato paditësit, dhe nuk ka paraqitur prova se ai përfundimisht i ka paguar ato, deklaron Gjykata Supreme.
Ne u drejtuam edhe pranë Shërbimeve të Përbashkëta për të pyetur se cili është problemi që ky institucion nuk i ka shlyer detyrimet ndaj “Hacat” në kohën e duhur brenda 15 ditëve, me çka kanë filluar të grumbullohen kamata, a kanë mundësi si institucion ta ndërpresin kontratën me “Hacat” dhe nëse po a janë duke e shqyrtuar këtë mundësi, dhe për cilat institucione shëndetësore publike janë faturat e kontestuara. Gjithashtu pyetëm nëse kanë mundësi financiare për t’i paguar këto 665.000 euro dhe ku do t’i gjejnë gjithë ato para.
Deri në kohën kur u publikua ky tekst nuk morëm asnjë përgjigje.