Connect with us

Lajme

Pse të sapodiplomuarit e sotëm janë në telashe?

Published

on

Tregu i punës është tronditur nga themelet, shkruan The Economist. Duhet të na vijë keq për të rinjtë ambiciozë. Për dekada me radhë, rruga drejt një jete të mirë ishte e qartë: shko në universitet, diplomohu, gjej një punë, pastaj shijo përfitimet. Por të rinjtë e sotëm, ndonëse punëtorë e të përkushtuar, duken sikur kanë më pak mundësi sesa më parë. Të ndjekësh një karrierë në sektorin e teknologjisë? Kompanitë e mëdha po shkurtojnë vende pune. Në sektorin publik?

Nuk ka më prestigjin që kishte dikur. Inxhinier? Shumica e inovacionit, nga automjetet elektrike tek energjitë e rinovueshme, tani po ndodh në Kinë. Avokat? Inteligjenca Artificiale së shpejti do t’ua zërë vendin. E as që bëhet fjalë të bëhesh gazetar. Në mbarë Perëndimin, të rinjtë e sapodiplomuar po humbasin pozicionin e privilegjuar që gëzonin; në disa raste, e kanë humbur tashmë. Të dhënat për punësimin e sinjalizojnë këtë ndryshim.

Matthew Martin nga shoqëria e konsulencës Oxford Economics, ka analizuar amerikanët e moshës 22 deri në 27 vjeç me diplomë bachelor ose më të lartë. Për herë të parë në histori, shkalla e papunësisë për ta është më e lartë se mesatarja kombëtare. Rritja e papunësisë në mesin e të diplomuarve të rinj vjen kryesisht nga ata që kërkojnë punë për herë të parë.

Ky trend nuk kufizohet vetëm në Amerikë. Në Bashkimin Europian, shkalla e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë po afrohet me nivelin e përgjithshëm për grupmoshën e tyre, që përfshin edhe të rinjtë pa arsim të lartë (shih grafikun 1). Britania, Kanadaja, Japonia duket se po ndjekin të njëjtën prirje. Edhe të rinjtë më elitarë, si të diplomuarit me MBA (master në administrim biznesi), po e pësojnë.

Në vitin 2024, vetëm 80% e të diplomuarve në shkollën e biznesit të Stanford kishin gjetur punë tre muaj pas diplomimit, nga 91% në vitin 2021. Deri pak kohë më parë, “primi i diplomimit në universitet”, fakti që të diplomuarit fitonin më shumë sesa të tjerët, ishte në rritje (shih grafikun 2). Por së fundmi ka rënë, përfshirë në SHBA, Britani dhe Kanada.

Duke përdorur të dhëna të Rezervës Federale të Nju Jorkut për të rinjtë amerikanë, llogaritet se në vitin 2015 të diplomuarit në universitet kishin një pagë mesatare 69% më të lartë se ata me vetëm shkollë të mesme. Deri vitin e kaluar, primi ishte ulur në 50%.

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre?

Edhe kënaqësia nga puna është më e ulët. Një sondazh gjithëpërfshirës sugjeron se në SHBA “hendeku i kënaqësisë së të diplomuarve”, diferenca në nivelin e kënaqësisë në punë midis të diplomuarve dhe jo të diplomuarve, është tani rreth tre pikë përqindjeje, nga një diferencë afatgjatë prej shtatë pikësh.

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre? Nga ana etike, jo domosdoshmërisht. Asnjë grup nuk ka të drejtë të jetë mbi mesataren. Por praktikisht, ndoshta po. Historia tregon se kur njerëzit e zgjuar, ose ata që mendojnë se janë të tillë, performojnë më keq nga sa besojnë se meritojnë, ndodhin gjëra të këqija.

Peter Turchin, shkencëtar nga Universiteti i Connecticut, argumenton se “mbiprodhimi i elitës” ka qenë shkaktari i drejtpërdrejtë i çdo lloj trazire ndër shekuj, me “kundërelitat” që udhëheqin revoltën. Historianët identifikojnë “problemin e tepricës së njerëzve të arsimuar” si një nga faktorët që çuan në revolucionet e vitit 1848 në Europë.

Luigi Mangione do të ishte pjesë e kësaj kundër-elite. Mangione, i diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, duhej të kishte një jetë shumë të mirë. Por sot ai është i akuzuar për vrasjen e drejtorit të një kompanie sigurimesh shëndetësore. Më domethënës është fakti që shumë njerëz mirëkuptojnë dhe ndajnë ndjenjat e përjashtimit që ai përjetoi: ai ka marrë mbi 1 milion dollarë donacione.

Pse po e humbasin të diplomuarit statusin e tyre?

Ndoshta për shkak të zgjerimit të pranimit masiv të universiteteve, që uli standardet. Nëse universitetet pranojnë aplikantë më pak të talentuar dhe bëjnë një punë më të dobët në formimin e tyre, punëdhënësit me kalimin e kohës mund të presin më pak diferencë mes të diplomuarve dhe jo-diplomuarve. Një studim i fundit, nga Susan Carlson e Universitetit Shtetëror të Pittsburg dhe kolegë të saj, sugjeron se shumë studentë sot janë analfabetë funksionalë.

Një numër shqetësues i studentëve të letërsisë angleze nuk arrijnë të kuptojnë romanin “Bleak House” të Charles Dickens. Shumë prej tyre ngatërrohen që në rreshtin e parë: “Michaelmas term lately over, and the Lord Chancellor sitting in Lincoln’s Inn Hall.” Sigurisht, disa universitete ofrojnë degë studimi pa vlerë për kandidatë që nuk duhet të jenë aty. Nga ana tjetër, ka pak lidhje mes numrit të të diplomuarve dhe primit të pagës në afat të gjatë: të dy u rritën në SHBA gjatë viteve ‘80.

Për më tepër, nëse flisni me studentët në shumicën e universiteteve, sidomos ato elitare, do të kuptoni që nuk janë budallenj. Studentët në Stanford janë jashtëzakonisht të zgjuar. Dikur, disa studentë në Oxford dhe Cambridge e pranonin me kënaqësi edhe një notë të ulët, mjaft që të kalonin. Sot, kjo është e paimagjinueshme.

Një artikull i ri nga Leila Bengali e degës së San Franciskos të Rezervës Federale dhe kolegët e saj ofron një arsye tjetër për të vënë në dyshim tezën “të diplomuarit janë më pak të zotë”. Ata zbulojnë se ndryshimi në primin e universitetit “reflekton kryesisht faktorë të kërkesës, konkretisht ngadalësimin e ritmit të ndryshimit teknologjik që favorizon aftësitë”. Me fjalë të thjeshta, punëdhënësit sot mund të gjejnë punonjës pa diplomë universitare për të bërë punë, që më parë u përkisnin vetëm të diplomuarve.

Diplomë me rezultate të shkëlqyera? Nuk i intereson askujt

Kjo vlen veçanërisht për ato punë që kërkojnë njohuri bazë teknologjike. Deri së fundmi, shumë persona mund të mësonin përdorimin e kompjuterit vetëm në universitet. Sot, të gjithë kanë një smartphone dhe ata pa diplomë universitare janë gjithashtu të aftë në teknologji. Pasojat janë të qarta. Në pothuajse çdo sektor të ekonomisë, kërkesat arsimore po bëhen më pak strikte, sipas të dhënave të faqes së punësimeve Indeed.

Sektori amerikan i shërbimeve profesionale dhe biznesit punëson më shumë persona pa arsim të lartë sesa 15 vite më parë, edhe pse numri i tyre në popullatë është ulur. Punëdhënësit kanë shkurtuar gjithashtu vendet e punës në industritë, që zakonisht favorizonin të diplomuarit. Në BE, numri i të rinjve 15-24 vjeç të punësuar në sektorin e financës dhe sigurimeve ka rënë me 16% nga 2009 në 2024. Në SHBA ka vetëm pak më shumë punë në “shërbimet ligjore” sesa në vitin 2006.

Për një student britanik që shpresonte të fitonte para, rruga e qartë ishte një punë në një bankë. Por që nga viti 2016, numri i të rinjve në sektorin ligjor dhe atë financiar ka rënë me 10%. Deri në sezonin e tretë të serialit “Industry”, që tregon jetën e disa të sapodiplomuarve nga universiteti në një bankë londineze, shumica e personazheve kryesorë janë larguar ose kanë ndërruar jetë.

Nuk mund të fajësohet Inteligjenca Artificiale për rënien e mundësive. Kjo teknologji duket se mund të automatizojë punë të nivelit fillestar të njohurive, si arkivimi ose punët e thjeshta ligjore. Por tendencat e përshkruara në këtë artikull kanë nisur para ChatGPT. Ka shumë faktorë që ndikojnë. Shumë industri që tradicionalisht punësonin njerëz me diplomë universitare, kanë pasur vështirësi kohët e fundit. Vite aktiviteti të vakët në bashkime e blerje kompanish kanë ulur kërkesën për juristë. Bankat e investimit nuk janë më aq agresive sa para krizës financiare globale të viteve 2007-2009.

A ka më vlerë universiteti?

Amerikanët duket se po vendosin për “jo”. Nga 2013 deri në 2022, numri i të regjistruarve në programet bachelor ra me 5%, sipas të dhënave nga OECD. Por në shumicën e vendeve të pasura, ku arsimi i lartë është më i lirë sepse financohet pjesërisht nga shteti, të rinjtë vazhdojnë të dynden drejt universiteteve. Përjashtuar SHBA-në, regjistrimet në vendet e OECD u rritën nga 28 milionë në 31 milionë në dekadën deri më 2022. Në Francë, numri i studentëve u rrit me 36%; në Irlandë me 45%.

Qeveritë po subvencionojnë diploma të padobishme, duke nxitur të rinjtë të humbin kohë me studime pa vlerë. Studentët mund të mos jenë duke zgjedhur as degët e duhura. Jashtë SHBA-së, përqindja e studentëve në art dhe shkenca sociale është kryesisht në rritje. Po ashtu, në mënyrë të pashpjegueshme, edhe regjistrimi në degët e gazetarisë. Nëse këto prirje pasqyrojnë pritshmëritë e të rinjve për të ardhmen e punës, atëherë ata vërtet janë në telashe./ Monitor/

Continue Reading

Lajme

Xhelili: Opozita shqiptare dyfish më e fortë se VLEN – Bashkimi opozitar pritet të riformatojë skenën politike

Published

on

By

Zudi Xhelili, analist politik, në një prononcim për agjencinë informative Flaka, ka komentuar rezultatet e sondazhit më të fundit të realizuar nga portali MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë “Market Vision”, i cili ka matur përkrahjen për liderët dhe partitë politike në Maqedoninë e Veriut.

“Sondazhi i fundit dëshmoi qartë se përkrahja për opozitën shqiptare është më shumë se dyfish në krahasim me koalicionin qeveritar VLEN. Ky është një tregues i qartë i humbjes së legjitimitetit nga ana e partive që vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri pa mbështetjen e shumicës shqiptare”, theksoi Xhelili.

Ai nënvizon se VLEN ka humbur pothuajse gjysmën e elektoratit që nga momenti kur Aleanca për Shqiptarët (ASH) u largua nga koalicioni. “Në të njëjtën kohë, dy liderët kryesorë të opozitës shqiptare – duke iu referuar Arben Taravarit dhe drejtuesve të tjerë të Frontit Kombëtar – gëzojnë një përkrahje të lartë dhe në rritje. Për dallim nga kjo, tre liderët e VLEN-it mbeten në kuota minimale, nga vetëm 1 deri në 2%, çka tregon mungesën e besimit të qytetarëve ndaj tyre”, deklaroi Xhelili për FLAKA.

Sipas tij, largimi i ASH-së nga qeveria ka qenë një sinjal i fortë politik. “Ai tregoi se margjinalizimi dhe përjashtimi i shqiptarëve nga proceset vendimmarrëse duhet të marrë fund. Ky hap ka sjellë ndjeshëm një ripozicionim të elektoratit shqiptar.”

Xhelili shton se paralajmërimet për një bashkim të mundshëm mes Frontit Europian dhe Frontit Kombëtar për zgjedhjet lokale e rrisin ndjeshëm mundësinë për fitore të sigurt në shumë komuna. “Një bashkëpunim i tillë do të ketë ndikim të madh në riformatimin e skenës politike shqiptare dhe do të sigurojë një përfaqësim më të drejtë e më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore.”

Ai përfundoi se sondazhet janë një pasqyrë e asaj që ndodh në terren, por dinamika e re politike, veçanërisht bashkimi opozitar, do të jetë vendimtar në ndërtimin e një alternative të fuqishme dhe legjitime për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Continue Reading

Lajme

ASH: Vendi po shkon në drejtim të gabuar – Qeveria të ndalë lidhjet me rrjetin ruso-serb dhe të reflektojë ndaj BE-së dhe SHBA-ve

Published

on

By

Sipas rezultateve të fundit nga një sondazh i realizuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë e specializuar për hulumtime të opinionit publik Market Vision, qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten të ndarë sa i përket drejtimit të vendit.

Në pyetjen “Në cilin drejtim mendoni se po shkojnë punët në Maqedoninë e Veriut?”, 40.5% e të anketuarve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar, krahasuar me vetëm 34.3% që besojnë të kundërtën.

Ky perceptim negativ, sipas Aleancës për Shqiptarët (ASH), konfirmon shqetësimet e kahmotshme të ngritura nga kjo parti, se Maqedonia e Veriut po largohet nga rruga euroatlantike dhe po afrohet rrezikshëm me ndikime të huaja, sidomos me rrjetin ruso-serb.

“Këto shqetësime nuk janë vetëm të brendshme. Ato u artikuluan qartë edhe në Raportin e fundit të Parlamentit Evropian, i cili thekson ndikimin gjithnjë e më të madh të fushatave të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Maqedoninë e Veriut – duke vënë në dukje rolin destabilizues të qeverive të Hungarisë dhe Serbisë në avancimin e interesave strategjike të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Përballë këtij realiteti alarmant, Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje drejtuesve shtetërorë që të reflektojnë me përgjegjësi të plotë dhe të ndalin çdo qasje destruktive ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, kërkojmë që të ndërpriten menjëherë të gjitha lidhjet dhe komunikimet me “botën serbe” dhe aksin ruso-kinez, të cilat rrezikojnë integritetin demokratik dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Kjo thirrje drejtohet sidomos ndaj përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, përkatësisht liderëve të koalicionit VLEN, të cilët janë të obliguar të reflektojnë mbi këtë gjendje të rëndë dhe të tërhiqen nga një qeveri pa legjitimitet etnik, pa përkrahje shumicë dhe me orientim konfliktuoz ndaj Perëndimit.

Qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët është i qartë, nuk synojmë pushtetin por kërkojmë ndalimin e politikave antishqiptare dhe antiperëndimore të kësaj qeverie. Ajo që kërkojmë është presion politik dhe qytetar mbi qeverinë aktuale që të ndalë orientimin e rrezikshëm dhe të kthehet në rrugën e integrimeve evropiane.

Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e qeverisë, por zgjodhi të largohet kur ky kurs u deformua. Të gjithë të tjerët që ndihen të kërcënuar nga zëri opozitar, duhet të kuptojnë se ne nuk ua zëmë vendin – por ua tregojmë drejtimin.

Se jemi në rrugë të drejtë dhe në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve, këtë e dëshmojnë qartë edhe sondazhet më të fundit, të realizuara nga agjenci relevante dhe profesionale, të cilat flasin në mënyrë të padiskutueshme në favor të Aleancës për Shqiptarët dhe në dizfavor të thellë për përfaqësuesit e koalicionit VLEN. Ky është momenti që ata të reflektojnë me seriozitet, të kthehen te populli, dhe të ndjekin zërin e shumicës shqiptare, që sot kërkon qartazi orientim të vendosur pro-perëndimor dhe përfaqësim dinjitoz në skenën politike”, thekson ASH.

Continue Reading

Lajme

Me Fake News, Arben Fetai tenton të kryesojë mbi liderët e tjerë të VLEN-it

Published

on

By

Një tjetër përpjekje për manipulim të opinionit publik po vjen nga portale të afërta me grupin e Arben Taravarit dhe koalicionin VLEN, të cilat kanë publikuar lajme të fabrikuara, duke pretenduar se zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, është politikani më i preferuar në shumicën e komunave shqiptare.

Në lajmin e botuar nga portali FOL, thuhet se sipas një ankete të realizuar nga agjencia kosovare UBO Consulting, Arben Fetai gëzon përkrahjen më të madhe në komunat si Gostivar, Dibër, Kumanovë, Likovë dhe Tearcë, duke lënë pas liderë të tjerë të VLEN-it si Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Zeqirja Ibrahimi dhe Bekim Qoku.

Por asnjë element metodologjik i sondazhit nuk është publikuar. Nuk ka të dhëna për kampionin, pyetësorin, përqindjet, moshat, apo ndarjen gjinore dhe rajonale të të anketuarve. Madje, burime nga media të ndryshme theksojnë se nuk ka asnjë publikim zyrtar nga UBO Consulting që të konfirmojë një anketë të tillë gjatë periudhës 1–7 korrik 2025, siç pretendohet. Më shqetësuesja është se i njëjti sondazh, në versione të tjera të shpërndara nga portale pro-VLEN, është prezantuar si anketë për zgjedhjet lokale, dhe jo për liderët më të preferuar – një mospërputhje që zbulon nivelin e manipulimit dhe fabrikimit të lajmit.

Kjo duket si një tentativë e hapur nga Arben Fetai për të forcuar pozitat e tij brenda koalicionit VLEN, përmes një “ankete” që më shumë se çdo gjë tjetër synon të diskreditojë figurat tjera të VLEN-it si Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi. Kjo qasje, për analistë të ndryshëm, vlerësohet si shenjë e qartë e tensioneve të brendshme në koalicion, ku në vend të sinergjisë politike, po zhvillohet një luftë e ftohtë për dominim personal.

“Në vend që të fokusohen në një alternativë të vërtetë për qytetarët shqiptarë, disa brenda VLEN po merren me ‘anketa’ që s’kanë asnjë bazë dhe shërbejnë vetëm për të rritur egon personale”, thonë burime të brendshme nga vetë strukturat e VLEN-it.

Arben Fetai, i vetëshpallur si trashëgimtar politik i ASH-së brenda koalicionit VLEN, nuk ka arritur të matet as në nivelin minimal të përkrahjes në mesin e liderëve shqiptarë, sipas anketës më të fundit të realizuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë Market Vision. Kjo e bën rolin dhe peshën e tij politike brenda VLEN-it praktikisht të papërfillshme, sidomos në krahasim me rejtingun që gëzon ASH-ja e Arben Taravarit pas ndarjes nga koalicioni.

Analistë të ndryshëm e kanë lexuar këtë si përpjekje të Fetait për të ngritur artificialisht profilin e tij brenda një koalicioni që po përballet me rënie të mbështetjes dhe përçarje të brendshme. Në vend që të fokusohet në ndërtimin e alternativës, VLEN po përballet me një garë të brendshme për dominim, në të cilën fake news dhe propagandat personale po zëvendësojnë bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët.

Continue Reading

TOP Lajme