Connect with us

Lajme

Komisioni Evropian vlerësoi se Qeveria në Shkup ndërhyn dhe bën presion ndaj gjyqësorit

Published

on

Pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten plagë të hapura në hapësirën më të gjerë shoqërore të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht përpjekjeve të deklaruara të autoriteteve dhe reformave të vazhdueshme për përmirësimin e gjendjes. Kështu mund të përmblidhen në një fjali vërejtjet dhe vëzhgimet e theksuara në Raportin e ri të Komisionit Evropian (KE) mbi sundimin e ligjit në vend për vitin 2025, i cili u publikua para dy ditëve, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Ky është raporti i dytë i këtillë nga organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian, pasi vitin e kaluar Komisioni përfshiu Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për herë të parë në raportet speciale në të cilët bëhet analiza e gjendjes me sundimin e ligjit në nivelin e Bashkimit Evropian.

“Maqedonia e Veriut vazhdon t’i zbatojë reformat e saj në gjyqësor”, është fjalia e parë nga përmbledhja e Raportit.

Por, menjëherë te e dyta thuhet se “ndërhyrja dhe presioni nga autoritetet e tjera shtetërore ngrenë shqetësime serioze lidhur me pavarësinë e gjyqësorit“.

Raporti i trajton në detaje ngjarjet që vitin e kaluar, gjegjësisht nga muaji korrik i vitit 2024, e shënuan dhe kanë ndikuar në gjendjen në gjyqësor dhe që përkojnë me ardhjen e qeverisë së re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, por gjithashtu kthehet prapa edhe në vendimet e marra më parë dhe pasojat negative të të cilave vazhdojnë të ndjehen në gjyqësor, sidomos në fushën e praktikimit të së drejtës.

Perceptimi

Kur bëhet fjalë për perceptimin e nivelit të pavarësisë së gjyqësorit Komisioni Evropian thekson se ajo vazhdon të jetë shumë e ulët si tek publiku i gjerë ashtu edhe në sektorin e biznesit, edhe pse ka pasur një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.

Analiza e perceptimit të pavarësisë së gjyqësorit, kushtimisht, e zbërthen vërejtjen e përdorur shpesh nga aktorët politikë në vend se besimi në gjyqësor është dy përqind.

Kështu, sipas vlerësimit të përgjithshëm në Raport të shprehur në përqindje, 28 përqind e popullatës së përgjithshme dhe 26 përqind e kompanive nivelin e pavarësisë së gjykatave dhe gjykatësve e perceptojnë si “mjaft të mirë ose shumë të mirë”.

“Pavarësia e perceptuar e gjyqësorit mbetet e ulët, por është rritur krahasuar me vitin 2024 si tek publiku i gjerë (25% në vitin 2024) ashtu edhe tek kompanitë (20% në vitin 2024)“, thuhet në Raport.

Pjesa më e madhe e publikut që është e mendimit se gjyqësori dhe gjykatësit nuk janë të pavarur, siç theksohet në dokument, e bazon këtë qëndrim në perceptimin se ka ndërhyrje ose presion nga Qeveria dhe politikanët dhe ndërhyrje nga interesa ekonomike ose të tjera konkrete.

Në këtë drejtim në dokument thuhet se ndërhyrja dhe presioni nga bartësit e tjerë të pushtetit shtetëror ngrenë shqetësime serioze lidhur me respektimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Masat e ashpra” të qeverisë dhe pavarësia e gjyqësorit

Këtu, Komisioni Evropian në Raport i numëron njoftimet e Qeverisë aktuale për “masa të ashpra” në gjyqësor si pjesë e luftës kundër korrupsionit, por në një kontekst tjetër.

Konkretisht, Komisioni thekson se iniciativa të tilla në disa raste kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe parimin e ndarjes së pushtetit.

“Ky është rasti lidhur me njoftimet nga niveli më i lartë qeveritar për planet për ta ‘shpërbërë’ Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve. Pas deklaratave publike nga zyrtarët qeveritarë që vazhdimisht bënin thirrje për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, në muajin mars të vitit 2025 Kuvendi votoi për ‘interpelanca’ kundër pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që nuk janë gjykatës dhe që zgjidhen nga Kuvendi. Edhe pse këto propozime nuk ofrojnë një bazë ligjore për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ato në fakt përbëjnë vota politike mosbesimi dhe si të tilla rrezikojnë ta dëmtojnë legjitimitetin dhe pavarësinë e anëtarëve të Këshillit. Arsyet e dhëna për interpelancat parlamentare ishin kryerja joprofesionale e detyrave që e zvogëluan besimin tashmë të ulët të publikut në gjyqësor. Përveç kësaj, zyrtarët qeveritarë kanë bërë thirrje publikisht se këto votime duhet të çojnë në dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit. Përdorimi i interpelancave është kritikuar nga palët e interesuara“, thuhet në Raport.

Gjykatësit dhe prokurorët, siç thuhet në Raport, po përballen edhe me presion dhe shpifje në rritje përmes fushatave publike në mediat tradicionale dhe online, përfshirë këtu edhe nga zyrtarë të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe nga politikanë.

Në këtë kontekst Raporti thekson dorëheqjen e Vesna Damevës si kryetare e Këshillit Gjyqësor dhjetorin e kaluar dhe kontrollet që Ministria e Punëve të Brendshme i kreu menjëherë pas kësaj në ambientet e Këshillit.

Në mënyrë të pashmangshme dokumenti i Komisionit Evropian i referohet edhe procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit, Ljupço Kocevski, e cila u iniciua nga Qeveria në mars të këtij viti. Kjo, siç thuhet në Raport, zbuloi mangësi në normat ligjore për shkarkim, por edhe rrezik nga politizimi.

Komisioni përkujton se më 26 mars Qeveria njoftoi se po ndalonte procedurën për shkarkimin e prokurorit publik me qëllim sigurimin e vazhdimësisë në punën e prokurorëve pas zjarrit tragjik në klubin e natës në Koçan.

Fonde të kufizuara dhe mungesë kuadrosh

Në Raport theksohet edhe një mospërputhje kur bëhet fjalë për njoftimet e qeverisë për luftë kundër korrupsionit, ndërsa nga ana tjetër nuk ndan një shumë minimale fondesh nga buxheti për funksionimin optimal të gjyqësorit dhe Prokurorisë.

“Burimet e kufizuara financiare të ndara për gjyqësorin vazhdojnë të ndikojnë në autonominë e tij financiare. Buxhetet e gjyqësorit dhe prokurorisë publike mbeten nën minimumin e përcaktuar me ligj. Për sistemin gjyqësor në vend të 0,8% të PBB-së të përcaktuar me ligj, buxheti vjetor për vitin 2025 ndau 0,31% të PBB-së. Për Prokurorinë Publike buxheti i shprehur si përqindje e buxhetit të përgjithshëm është 0,22%, në vend të 0,4% të përcaktuar me ligj. Gjykatat dhe Prokuroritë ende kanë nevojë për miratim formal nga Ministria e Financave për ndarjet e brendshme të buxhetit, si vendimet për burimet dhe personelin, gjë që nuk u lejon atyre autonomi buxhetore“, thuhet në Raport.

Në këtë segment ku diskutohet efikasiteti i gjyqësorit dhe prokurorisë, në Raport theksohet edhe mungesa e kuadrove. Komisioni Evropian thekson se deficiti i burimeve njerëzore në gjyqësor është zgjidhur pjesërisht me punësime të reja, por vazhdon të mbetet i pamjaftueshëm dhe shqetësues.

Një faktor shtesë shqetësues, thekson Raporti, është se trajnimi i gjykatësve dhe prokurorëve të rinj për momentin nuk po zbatohet.

“Procesi i pranimeve në Akademi, i cili filloi më shumë se dy vjet më parë dhe synon të rekrutojë 130 praktikantë, mbetet në stand by, për arsye që mbeten të paqarta”, thuhet në Raport.

Sa i përket pjesës për luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian në dokumentin për vitin 2025 thekson se perceptimi midis ekspertëve, qytetarëve dhe sektorit të biznesit është se niveli i korrupsionit në sektorin publik është i lartë.

“Eurobarometri Special i vitit 2025 mbi Korrupsionin tregon se 89% e të anketuarve besojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së është 69%), ndërsa 31% e të anketuarve ndihen të prekur personalisht nga korrupsioni në jetën e tyre të përditshme (mesatarja e BE-së 30%). Sa i përket kompanive, 91% e tyre besojnë se korrupsioni është i përhapur (mesatarja e BE-së 63%), ndërsa 54% besojnë se korrupsioni është problem gjatë bërjes së biznesit (mesatarja e BE-së 35%). Pastaj, 34% e të anketuarve besojnë se ka mjaftueshëm ndjekje penale të suksesshme për t’i penguar njerëzit nga praktikat korruptive (mesatarja e BE-së 36%), ndërsa 50% e kompanive besojnë se njerëzit dhe kompanitë e kapura duke i dhënë ryshfet një zyrtari të lartë ndëshkohen në mënyrë adekuate (mesatarja e BE-së 33%)”, thuhet në Raport.

KSHPK është më pak aktive

Ajo që është interesante është se Komisioni Evropian thekson se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) vazhdon të fokusohet në parandalimin dhe në bashkëpunimin institucional, por është më pak aktiv në zbulimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit.

Sipas Raportit Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili që nga fillimi i vitit të kaluar ka funksionuar me një përbërje të re, shpesh mbështetet në raportet mediatike kur identifikon raste të mundshme të korrupsionit.

Në të thuhet edhe se Memorandumi i ri për Përmirësimin e Bashkëpunimit midis KSHPK-së dhe Prokurorisë Publike, i cili u përgatit në vitin 2024, nuk është zbatuar sepse nënshkrimi i tij u shty pas fillimit të procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit.

Raporti thekson edhe se mbetet problem edhe mungesa e burimeve për verifikimin efikas të fletëve anketuese për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë.

“Në vitin 2024 janë dorëzuar 3.620 fletë anketuese për deklarimin e pasurisë, ndërsa janë zbuluar 109 raste parregullsish, shumica e të cilave ishin për shkak të mosdeklarimit të pronës. Numri i kontrolleve sistematike të pronave u ul nga viti 2023 deri në vitin 2024. Falë mbështetjes ndërkombëtare është arritur njëfarë progresi në zbatimin e zgjidhjeve softuerike për të mundësuar qasje në bazat e të dhënave të institucioneve publike”, thuhet në Raport.

Sipas dokumentit rreziqet nga korrupsionit janë të larta në shëndetësi dhe prokurime publike, ndërsa ndikimi politik në përpjekjet për luftë kundër korrupsionit është theksuar si shqetësim.

E përderisa në shëndetësinë publike para së gjithash flitet për korrupsion të vogël, i cili gjithsesi ndikon në cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve shëndetësore, korrupsioni në sektorin publik lidhet kryesisht me ndikimin e partive politike dhe zbatimin jokonsistent të punësimit të nëpunësve shtetërorë bazuar në meritë, pra sipas një merit – sistemi.

“Palët e interesuara kanë shprehur shqetësime se hetimet dhe ndjekjet penale për korrupsion mund të shihen si selektive, me disa raste që potencialisht nxiten nga konsiderata politike, e jo nga një qasjeje gjithëpërfshirëse për ta luftuar korrupsionin nga të gjitha partitë“, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Përveç kësaj, në pjesën për luftën kundër korrupsionit theksohet se mbrojtja e “whistleblowers”- ëve mbetet e dobët, gjë që i dekurajon qytetarët ta raportojnë korrupsionin, ndërsa ligji i ri që duhet të rregullojë këtë çështje ende nuk është miratuar, megjithëse është përgatitur që në vitin 2023.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal

Siç thuhet në Raport, në luftën kundër korrupsionit ende ndihet efekti i ndryshimeve në Kodin Penal nga shtatori i vitit 2023, të cilat çuan në vjetërsimin ose përfundimin e procedurave për korrupsion të nivelit të lartë.

“Zbatimi i Kodit Penal të ndryshuar vazhdon të rezultojë me ndërprerje të rasteve të tjera në vazhdim, sidomos ato të ish-Prokurorinë Speciale Publike (PSP). Disa raste u desh të ndërpriteshin në fazën e hetimit ose gjykimit, ose sepse ato vjetërsoheshin për shkak të uljes së dënimeve penale, ose sepse vepra të caktuara penale u hoqën nga Kodi Penal. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare të sakta se sa raste korrupsioni preken nga këto ndryshime”, thuhet në Raport.

Në këtë drejtim theksohet se ndryshimet në Kodin Penal janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi t’i japë Kuvendit gjashtë muaj për ta shprehur mendimin e tij mbi dispozitat e kontestuara, pas të cilave Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse do t’i shfuqizojë apo anulojë ato.

Komisioni Evropian përkujton se Ministria e Drejtësisë formoi një pune për përgatitjen e ndryshimeve në Kodin Penal ekzistues me të cilat do të duhet të anulohen ndikimet negative të ndryshimeve të bëra në shtator të vitit 2023.

Continue Reading

Lajme

Bujar Osmani: Aleanca Kombëtare për Integrim po ngrihet në një forcë të bashkuar, të fortë dhe inspiruese

Published

on

By

Kandidati për kryetar komune të Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, sonte ka folur para aktivistëve të kuvendit vendor “Fehmi Lladrovci”, ku ka bërë thirrje për mobilizim strukturor dhe rezistencë që po forcohet çdo ditë e më shumë.

Postimi i plotë i Bujar Osmanit:

Lëvizja për rilindjen e Çairit po shpërthen mbi pritshmëritë tona dhe dëshmia më e gjallë ishte sot në hapjen e Shtabit në Këshillin Vendor “Fehmi Lladrovci”.

Të lodhur nga premtimet boshe, projektet e parealizuara, ambienti i papastër dhe mungesa e sigurisë, qytetarët e Çairit po i thonë mjaft stagnimit. Zëri i tyre nuk është thjesht kritikë, por rezistencë që po forcohet çdo ditë e më shumë.

Aleanca Kombëtare për Integrim po ngrihet në një forcë të bashkuar, të fortë dhe inspiruese. #besëlidhja #AKI

Continue Reading

Lajme

Blerant Ramadani takon banorët e Krushopekut, zotohet për investime në infrastrukturë dhe sport

Published

on

By

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar komune të Sarajit, Blerant Ramadani, së bashku me shefin e shtabit komunal, Senehat Murtezani, zhvilloi një takim me banorët e Krushopekut.

Ramadani theksoi se gjatë bashkëbisedimit u diskutua për disa projekte me rëndësi jetike për fshatin, si asfaltimi i rrugës që lidh komunën me Krushopekun, asfaltimi i rrugës që lidh Krushopekun me Nerezin, si dhe bekatonizimi i rrugicave të mbetura brenda vendbanimit.

Ramadani gjithashtu paralajmëroi se një prioritet tjetër do të jetë ndërtimi i kanalizimit atmosferik, për të zgjidhur përfundimisht problemet e ujërave të shiut dhe përmbytjeve. Po ashtu, u zotua se do të angazhohet për nisjen e punimeve të sallës së sportit pranë shkollës, e cila tashmë ka të kompletuar dokumentacionin.

“Banorët e Krushopekut dëshmuan edhe njëherë mikpritjen dhe besimin e tyre. U premtoj se këto kërkesa do të kthehen në projekte konkrete që do të ndryshojnë realisht jetën e këtij vendbanimi”, theksoi Ramadani.

Postimi i plotë i Blerant Ramadanit:

“Sot, bashkë me shefin e shtabit komunal, Senehat Murtezani, zhvilluam një takim të frytshëm me banorët e Krushopekut.

Diskutuam për projektet që janë jetike për fshatin: asfaltimin e rrugës nga komuna deri në Krushopek, asfaltimin e rrugës që lidh Krushopekun me Nerezin si dhe bekatonizimin e rrugicave të mbetura brenda fshatit.

Një tjetër prioritet do të jetë ndërtimi i kanalizimit atmosferik, i cili do të zgjidhë përfundimisht problemet e ujërave të shiut dhe përmbytjeve. Po ashtu, do të angazhohemi që salla e sportit pranë shkollës e cila ka të gjithë dokumentacionin e përfunduar të nisë më në fund punimet.

Banorët e Krushopekut dëshmuan edhe njëherë mikpritjen dhe besimin e tyre. U premtoj se këto kërkesa do të kthehen në projekte konkrete që do të ndryshojnë realisht jetën e këtij vendbanimi”, ka përfunduar Ramadani.

Continue Reading

Lajme

Bajram Rexhepi së bashku me rinistët e AKI vizituan Rrugën e Butiqeve në Tetovë

Published

on

By

Kandidati për kryetar komune të Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, sot së bashku me rinistët kanë vizituar rrugën e Butiqeve në Tetovën e vjetër. Rexhepi tha se në këtë rrugë të vjetër tetovare, shihen qartë vlerat dhe tradita e bizneseve të Tetovës.

Postimi i plotë i Bajram Rexhepit:

#Bashkë me të rinjtë e Aleancës Kombëtare për Integrim, sot ishim në Rrugën e Butiqeve, zemra e artizanatit dhe e bizneseve të vogla në Tetovën e vjetër. Vizituam dyqane, punëtori dhe u takuam me qytetarë që na pritën me ngrohtësi dhe me shumë interes për të dëgjuar ofertën tonë për Tetovën, por edhe për të ndarë idetë dhe sugjerimet e tyre që të bëhen pjesë e programit tonë zhvillimor.

Në këtë lagje tipike të qytetit shihen qartë vlerat dhe tradita e Tetovës, por njëkohësisht edhe sfidat e përditshme të bizneseve. Do t’i japim fokus të veçanrë stimulimit të këtyre veprimtarive, që mbajnë gjallë ekonominë lokale dhe ruajnë traditën në qytetit tonë.

#BashkëPërTetovën
#RiniaAKI ✅

Continue Reading

TOP Lajme