Deputetja e VLEN, Imerlije Saliu, përmes një postimi në rrjetet sociale ka shpërndarë mesazhin se “fryma e ndryshimit me VLEN po ndihet gjithandej”, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’u thonë lamtumirë “qeverisjeve të vjetra që s’prodhuan asgjë më shumë se sa pasurimin e tyre”.
Por ky mesazh, që pretendon të përfaqësojë freski dhe ndryshim, bie në kontradiktë të plotë me realitetin politik në Gostivar, prej nga vjen vetë deputetja Saliu.
Në këtë komunë, VLEN garon me kandidatin për kryetar komune Sebaedin Dauti, një emër i njohur për emërimet e tij të shumta në institucione publike gjatë dekadave të fundit – pra, një figurë e qartë e sistemit të vjetër që VLEN dhe deputetes iu duket fytyrë e re.
Ndërkohë, bartës i listës për Këshillin Komunal në Gostivar është Bashkim Hasani, gjithashtu një emër i konsumuar në politikën lokale, me funksione të mëhershme në nivelin vendor dhe bashkëpunëtor i Nevzat Bejtës, i cili dominoi politikën lokale në Gostivar dy dekada.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi sinqeritetin e mesazhit për “ndryshim”. A mund të ketë ndryshim të vërtetë me njerëz të vjetër që janë bërë pjesë e çdo pushteti? Apo kemi të bëjmë me një riciklim të zakonshëm të elitave të vjetra politike nën një petk të ri?
Qytetarët e Gostivarit tashmë janë më të vetëdijshëm se kurrë dhe dinë ta dallojnë propagandën nga realiteti. Thirrjet për ndryshim nuk mjaftojnë, kur pas tyre qëndrojnë të njëjtët emra të konsumuar që s’kanë sjellë ndryshim as kur kanë pasur mundësinë ta bëjnë.