Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, në debatin zgjedhor në TV21 foli për çështjen e ujësjellësit dhe problemet e furnizimit me ujë, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Ai tha se komuna tashmë ka një plan të qartë për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi, që është theksuar në disa lagje dhe fshatra të Gostivarit.
“Në komunën e Gostivarit kemi plan për përmirësimin e furnizimit me ujë, posaçërisht në disa lagje dhe fshatra ku problemi është më urgjent. Gjatë verës, numri i banorëve në qytet pothuajse dyfishohet, ndërsa përdorimi i ujit shpesh e tejkalon normën e zakonshme,” – deklaroi Limani në TV21.
Sipas tij, është drejt përfundimit projekti i ri për rrjetin e furnizimit me ujë, që përfshin dy rezervuarë të rinj dhe do të mbulojë pothuajse të gjitha vendbanimet e komunës.
“Projekti është drejt përfundimit, mbeten vetëm dy pjesë të vogla për shkak të procedurave administrative. Rrjeti i ri i ujësjellësit me dy rezervuarë do të sigurojë ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet, përfshirë edhe fshatrat. Një ndër problemet më të vjetra, në fshatin Debresh, do të zgjidhet paralelisht me vënien në funksion të këtij sistemi të ri,” – theksoi Limani.
Ai nënvizoi se komuna planifikon edhe një fushatë vetëdijësimi për racionalizimin e përdorimit të ujit gjatë verës, si dhe instalimin e ujmatësve digjitalë për një kontroll më efikas të konsumit.
“Paralelisht do të fillojmë me ujmatësit digjitalë që do të mundësojnë kontroll të saktë të konsumit të ujit dhe detektim të abuzimeve. Po ashtu, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, kemi nisur zbatimin e sistemit SCADA, që detekton automatikisht humbjet e ujit dhe tregon në kohë reale se ku duhet intervenuar,” – shtoi Limani.
Ai përfundoi se me këto masa, Gostivari synon të ketë furnizim të qëndrueshëm dhe modern me ujë për të gjithë qytetarët.