Në debatin e parë televiziv mes kandidatëve për kryetar të Komunës së Gostivarit, i zhvilluar sonte në TV21, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Valbon Limani, ka dalë pa dyshim fitues, duke marrë vëmendjen me një ofertë publike befasuese dhe njëkohësisht goditëse ndaj kundërkandidatit të pavarur, Visar Ademi.
Gjatë debatit, Limani i drejtoi Ademit një ftesë të drejtpërdrejtë për të marrë përgjegjësi reale dhe për të kontribuar në mënyrë konkrete për qytetin, pas kritikave të vazhdueshme të këtij të fundit lidhur me Ndërmarrjen Publike “Komunalec”.
> “Profesor, më 20 nëntor do të pres në zyrë dhe do të emëroj drejtor i NP Komunalec. Besoj se do të japësh kontribut dhe do ta ringjallësh ndërmarrjen, pasi shihet se ajo është preokupimi yt kryesor”, u shpreh Limani para publikut dhe moderatorit.
Kjo deklaratë e papritur ka kapur në befasi Visar Ademin, i cili gjatë gjithë fushatës është marrë me kritikimin e funksionimit të ndërmarrjes “Komunalec”, pa ofruar zgjidhje konkrete apo program të qartë zhvillimor.
Reagimi i tensionuar i Ademit pas ofertës tregon se kjo lëvizje politike e Limanit jo vetëm që i prishi skenarin kundërshtarit, por edhe e vuri përballë një sfide serioze: të tregojë se a ka vërtet vullnet për të ndihmuar qytetin apo thjesht ka ndërtuar fushatë mbi kritika boshe.
Me këtë lëvizje të zgjuar, Limani jo vetëm që dëshmoi qetësi, vizion dhe lidership, por edhe arriti ta shndërrojë debatin në një moment të rëndësishëm fushate ku ai doli më i fuqishëm dhe më i besueshëm për qytetarët e Gostivarit.