Kandidati i AKI për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në një konferencë për media ka denoncuar kontratën 15-vjeçare që Komuna ka nënshkruar me një operator privat për ndriçimin publik të qytetit, duke e cilësuar atë si një nga marrëveshjet më skandaloze në historinë e Tetovës.
Sipas tij, kontrata e nënshkruar më 17 nëntor 2023 parashihte që brenda gjashtë muajve të zëvendësoheshin 8.720 llamba ekzistuese me llamba smart LED, por ky afat ka kaluar prej kohësh dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturat pa ndriçim modern.
Rexhepi theksoi se nga 12 milionë denarë në muaj që mblidhen për ndriçim publik, 85% shkon në xhepat e operatorit privat dhe vetëm 15% mbetet për Komunën. Kjo do të thotë 144 milionë denarë në vit, ose 2,34 milionë euro, ku afër 2 milionë euro çdo vit i shkojnë kompanisë private. Në 15 vite, kjo kompani do të inkasojë mbi 29 milionë euro nga paratë e qytetarëve, ndërkohë që investimi fillestar është vetëm 4,4 milionë euro.
Ai paralajmëroi se kontrata sjell rrezik për rritjen e çmimit të energjisë në kurriz të Komunës, monopolin 15-vjeçar në ndriçim publik, vonesën në kalimin e pajisjeve në pronësi të Komunës dhe mundësinë e transferimit të saj te kompani të tjera.
“Kontrata nuk ka asnjë legjitimitet publik. Ne do ta shfuqizojmë shumë shpejt, sepse nuk do të lejojmë që pasurimi i një kompanie dhe individëve të vihet mbi interesin publik dhe mbi të ardhmen e Tetovës,” deklaroi Rexhepi.
Ai përfundoi se “Tetova u takon qytetarëve, Tetova nuk shitet e as blihet” dhe theksoi se pazareve me pasurinë publike po u vjen fundi.
Fjalimi i plotë i Bajram Rexhepit
Sot jemi para jush për të denoncuar një nga kontratat më të turpshme dhe skandaloze të nënshkruara ndonjëherë në Komunën e Tetovës, kontratën 15-vjeçare me një operator privat për ndriçimin publik të Tetovës, të nënshkruar më 17 nëntor 2023.
Sipas kontratës, operatori privat ka qenë i obliguar që brenda 6 muajve nga nënshkrimi të zëvendësonte 8.720 llambat ekzistuese me llamba smart LED. Ky afat ka kaluar prej kohësh, por Tetova sot ende nuk ka ndriçim të modernizuar dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturat e ndriçimit si më parë.
Çfarë ndodh ndërkohë me paratë e qytetarëve?
• Nga 12 milionë denarë në muaj që mblidhen nga taksa për ndriçim publik, 85% shkon në xhepat e operatorit privat, ndërsa vetëm 15% mbetet për Komunën.
• Kjo do të thotë rreth 144 milionë denarë në vit ose 2,34 milionë €, ku afër 2 milionë € çdo vit i shkojnë kompanisë private.
• Rrjedhimisht nga kjo mund të përfundojmë se për periudhën 15-vjeçare, kjo kompani do të inkasojë mbi 29 milionë € nga paratë e qytetarëve të Tetovës, ndërkohë që investimi i saj fillestar është vetëm 4,4 milionë €. Një plan I pastër për pasurim të padrejtë mbi kurrizin e qytetarëve.
Kjo kontratë është skandaloze për disa arsye të tjera:
1. Rreziku I rritjes së çmimit të energjisë – nëse çmimi i energjisë rritet mbi 20%, faturën e paguan Komuna, pra qytetarët. Kur kursimet janë më të mëdha, fitimin e merr operatori privat.
2. Monopol 15-vjeçar i garantuar – për një dekadë e gjysmë, ndriçimi publik i Tetovës është i bllokuar tek një operator i vetëm, pa asnjë mundësi për alternativa apo teknologji më të reja.
3. Pasuria publike në rrezik – pajisjet kalojnë në pronësi të Komunës vetëm pas 15 viteve, ndërkohë që gjatë gjithë periudhës Tetova mbetet peng i një kompanie private që kontrollon rrjetin e ndriçimit.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, kontrata përmban edhe një nen skandaloz që lejon transferimin e saj nga një kompani tek një tjetër, me pëlqimin e Komunës. Pra, ndriçimi publik i Tetovës kthehet në mall tregu mes operatorëve privatë.
Nga këtu dua të jap mesazhin e qartë! Kjo kontratë nuk ka asnjë legjitimitet publik. Ajo do ta shfuqizojmë shumë shpejt, sepse ne nuk do të lejojmë që pasurimi i një kompanie dhe individëve të vihet mbi interesin publik dhe mbi të ardhmen e Tetovës.
Pazareve me pasurinë publike të kësaj udhëhqësie të kriminalizuar komunale po u vjen fundi!
Tetova u takon qytetarëve, Tetova nuk shitet e as blihet!