Connect with us

Lajme

Osmani: Më 19 tetor do t’i japim fund ideologjisë “mickoviste” në Çair

Published

on

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte para përkrahësve të tij i paraqiti fitoret kryesore që, sipas tij, do t’i arrijnë qytetarët më 19 tetor.

“E para, brenda disa muajve ta bëjmë komunën tonë më të pastërtën në qytetin e Shkupit. E dyta, ta ndalim mafien urbane, e cila mbi djersën dhe gjakun tuaj e ka mbytur Çairin. E treta, ta bëjmë komunën më të sigurt, ta ndalim korrupsionin dhe të mundësojmë një jetë më të denjë, nëse jo për ne, atëherë për fëmijët tanë”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Ai shtoi se çelësi i fitores në Çair qëndron në faktin se ajo do t’i zhbllokojë të gjitha robëritë e tjera që u kanë ndodhur shqiptarëve.

“Fitorja e katërt është fitorja mbi ideologjinë mickoviste, e cila e ka rrëmbyer skenën politike shqiptare, dhe ky eksperiment ka filluar e është mbajtur pikërisht këtu në Çair. Prandaj fitorja në Çair paraqet shkatërrimin e kodit të asaj ideologjie të rrëmbimit të skenës politike shqiptare,” theksoi Osmani.

Ai i emëroi drejtpërdrejt problemet që për 20 vjet e kanë mbytur komunën korrupsioni, mafia urbane, mungesa e higjienës dhe e sigurisë dhe paralajmëroi masa urgjente që do të nisin menjëherë pas marrjes së funksionit.

“Çairi është i lënë pas dore, është shndërruar në një trup që kërkon ajër. Unë kam hyrë në këtë betejë si mjek për të bërë operacionin më të rëndësishëm të jetës sime, por jo mbi një trup njerëzor, por mbi trupin e komunës sonë të dashur. Kam hyrë për t’i çliruar mushkëritë e komunës sonë nga pluhuri që çdo ditë i mbyt fëmijët tanë, dhe kjo është detyra jonë. Kjo nuk është luks që e kërkojnë qytetarët, kjo është diçka elementare”, tha Osmani.

Ai edhe njëherë theksoi se fitorja në Çair ka një domethënie më të gjerë se sa një sukses lokal dhe paraqet një pikë kthese që mund të ndikojë në politikat kombëtare dhe të ndryshojë qasjen ndaj të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në shtet.

“Qytetarët me të cilët takohem çdo ditë kërkojnë ndryshim të mënyrës se si udhëhiqet Çairi. Sepse për njëzet vjet, një klikë e ka zënë komunën për fyti dhe ia ka mbytur shpresën dhe dinjitetin e komunës sonë të vetme në Shkup. Të udhëheqësh komunën e vetme urbane me shumicë shqiptare në Shkup dhe ta lësh të jetë komuna më e ndotur është turp”, theksoi Osmani.

Osmani i bëri thirrje qytetarëve për dalje masive në zgjedhje dhe për përkrahje aktive të planit që, sipas tij, do të sjellë përmirësime të shpejta dhe konkrete në jetën e përditshme rrugë të pastra, ndalim të ndërtimeve pa leje, shërbime funksionale dhe një komunë që i mbron qytetarët e vet.

Continue Reading