Connect with us

Lajme

Limani prezanton “Urën e Harmonisë” mbi lumin Vardar

Published

on

Në një atmosferë festive para qytetarëve të Gostivarit, kryetari i Komunës dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, prezantoi projektet kryesore të programit zgjedhor. Në prani të lideretit të ASh-së Arben Taravari, bartësit të listës Valdet Xhaferi, kandidatëve për këshilltarë komunalë, deputetit Talat Xhaferi, si dhe strukturës partiake e zgjedhore, Limani shpalosi vizionin për një Gostivar modern, duke theksuar se çdo premtim do të shoqërohet me përgjegjësi.

Në këtë prezantim, ai zbuloi projektin madhor për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Vardar, të cilën e quajti simbol të bashkimit dhe modernizimit të qytetit.

“Është një vepër e vërtetë urbane, e dizajnuar me inxhinieri bashkëkohore. E kemi quajtur Ura e Harmonisë për të theksuar virtytin e banorëve të Gostivarit. Dhëntë Zoti të jemi bashkë kur ju do ta përuroni!”, tha Limani.

Sipas tij, ky projekt do t’i japë një pamje evropiane qytetit dhe do të mbetet si vlerë e përhershme për gjeneratat e ardhshme.

Parking i ri dhe shesh i gjelbëruar në zemër të Gostivarit

Një tjetër projekt i rëndësishëm i paralajmëruar nga Limani është ndërtimi i një parkingu modern në qendër të qytetit, i cili do të kombinohet me hapësira të gjelbra për qytetarët.

“Do të kemi më shumë vende parkimi dhe mbi të gjitha një shesh të gjelbëruar pa makina. Si çdo projekt tjetër, edhe ky do të realizohet nga ekipet tona, por do të përurohet nga ju”, deklaroi ai.

Limani shtoi se ky projekt do të lehtësojë qarkullimin urban dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet. Ai theksoi gjithashtu se asnjë vendbanim nuk do të anashkalohet, pasi për çdo fshat janë parashikuar projekte zhvillimore që adresojnë nevojat më urgjente të tyre.

Rinia me mbështetje të veçantë: 60 mijë denarë për startup-e

Në programin e tij, kryetari i Gostivarit i kushtoi një rëndësi të veçantë të rinjve, duke paralajmëruar mbështetje konkrete financiare për nismat e tyre biznesore.

“Për çdo të re apo të ri deri në 30 vjeç, ne do të mbështesim me 60 mijë denarë bizneset e tyre. Çdo vit do të përkrahim 30 prej tyre dhe do të jemi të lumtur të japim një dorë të vogël ndihmese në hapat e parë. Mezi pres që ta fillojmë këtë bashkëpunim! Jam i bindur që mendjet gjeniale të rinisë do të realizojnë biznese të mrekullueshme që do t’i shërbejnë atyre dhe Gostivarit”, tha Limani.

Sipas tij, ky projekt synon të nxisë sipërmarrjen dhe të motivojë të rinjtë të qëndrojnë në vendlindjen e tyre.

Gratë sipërmarrëse, pjesë e programit të zhvillimit

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e programit të Limanit është mbështetja për gratë dhe vajzat që duan të hapin bizneset e tyre.

“Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse përfshin gratë. Ende trashëgojmë mentalitet patriarkal dhe të drejtat e nënave, motrave apo grave tona janë më të pakta, vetëm sepse ato janë gra. Kjo është një anomali e pajustifikueshme shoqërore. Çdo vit, prej vajzave dhe grave që do të aplikojnë, 30 të parat do t’i mbështesim me 60 mijë denarë në iniciativat e tyre të biznesit. Do të jemi të lumtur që të përkrahim pjesën më të zgjuar dhe më të ndjeshme të shoqërisë sonë”, theksoi Limani.

Ky vendim, sipas tij, synon të thyejë barrierat tradicionale dhe të sigurojë përfshirje të barabartë të grave në zhvillimin ekonomik të qytetit.

“Faleminderit Gjyshër”: projekt unik për pensionistët që kujdesen për nipërit

Në fund të prezantimit, Valbon Limani shpalosi një iniciativë të veçantë sociale të quajtur “Faleminderit Gjyshër”, si shenjë mirënjohjeje për pensionistët që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre.

“Zakonisht në fushata dhe programe politike, shumë vend u jepet të rinjve ose fëmijëve. Por unë kam një ndjeshmëri të madhe për më të moshuarit. Zoti më ka falur tre vajza, dhe sa herë që me bashkëshorten time kemi pasur angazhime, kanë qenë gjyshërit ata që na kanë ndihmuar. Mirënjohja ndaj tyre është e përjetshme dhe e pafundme, por ne kemi menduar që me të marrë mandatin, të gjithë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat, sepse fëmijët e tyre janë në punë, do të marrin një shumë simbolike prej 30 mijë denarësh në vit nga Komuna. Le të jetë Gostivari vendi i parë që bëhet model i këtij projekti, duke uruar që shumë të tjerë ta ndjekin”, tha Limani.

Ai e përmbylli prezantimin me falënderime për qytetarët dhe me një thirrje për unitet:
“Me Gostivarin n’❤️!”

Continue Reading