Connect with us

Lajme

Kishë e re, 5-6 drejtorë, mbështetje për “Vojvodët”… A është kjo marrëveshja Mickoski-Kasami për votat në Tetovë?

Published

on

Një mesazh telefoni po qarkullon me shpejtësi në grupet e maqedonasve të Tetovës, në të cilin bëhet thirrje për mbështetje ndaj kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasami, në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
Në mesazh thuhet se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka arritur “një marrëveshje serioze” me Kasamin, përmes së cilës maqedonasve të Tetovës do t’u jepen disa privilegje dhe funksione në administratën komunale dhe institucionet lokale.

Sipas tekstit të mesazhit, “si kthim” për mbështetjen në vota, Kasami do të sigurojë:
• 5-6 pozita drejtorësh në ndërmarrje publike dhe shkolla fillore e të mesme,
• ndërtimin e një kishe të re në një nga lokacionet e Tetovës,
• mirëmbajtjen dhe ndriçimin e kryqit në Popova Shapka (Kodër të Diellit),
• mbështetje për klubin e futbollit “Teteks” dhe tifozët e tij “Vojvodi”,
• si dhe punësim dhe avancim të maqedonasve në administratën komunale të Tetovës.

Mesazhi përfundon me thirrjen: “Të dalim me mbështetje të madhe për z. Kasami, sepse bëhet fjalë për ne, për Maqedoninë”.

Nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë, e cila e ka denoncuar publikisht këtë komunikim, thonë se mesazhe të tilla po qarkullojnë prej disa ditësh dhe se janë shpërndarë edhe në rrjete sociale përmes faqeve të ndryshme që mbështesin partitë opozitare maqedonase.

Ndërkohë, nga koalicioni VLEN kanë reaguar duke akuzuar partinë Levica se po shpërndan materiale të falsifikuara dhe po tenton të manipulojë opinionin publik në Tetovë.

Në anën tjetër, disa aktivistë maqedonas kanë bërë thirrje që të mos mbështetet asnjë kandidat shqiptar, duke e konsideruar këtë mesazh si tentativë për “blerje politike” të elektoratit maqedonas.

Ky zhvillim ka ndezur debat në opinionin publik, ndërsa ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga VMRO-DPMNE apo nga vetë Bilall Kasami lidhur me përmbajtjen e mesazhit që po qarkullon, përcjellë Koha.mk

Continue Reading