Nafie Selmani, aktiviste dhe ish-mbështetëse e koalicionit VLEN, ka dalë me një reagim të ashpër publik, duke e cilësuar këtë formacion politik si “një shpresë të humbur” dhe “një zhgënjim të thellë” për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Përplasjet e brendshme në VLEN, për të cilat kam paralajmëruar muaj më parë, sot janë bërë aq të dukshme sa nuk mund të mbulohen më as me fotografi të buzëqeshura e poza të inskenuara në Fejsbuk,” shkruan Selmani, duke shtuar se “propaganda e fotografive ka humbur fuqinë, sepse realiteti politik që jetojmë është tepër i zymtë për t’u fshehur pas filtrave.”
Ajo akuzon drejtimin e VLEN-it për premtime të pambajtura, thyerje të besimit dhe humbje të shpresës për ndryshim:
“Shumë prej atyre që dikur e mbronin VLEN-in me pasion, sot ndihen të mashtruar e të lënë pas dore. Disa kanë guxim të flasin hapur, disa të tjerë shprehin mllefin në rrethe të ngushta, nga frika e ndonjë hakmarrjeje.”
Selmani kujton se në zgjedhjet parlamentare, VLEN-i e shfrytëzoi maksimalisht popullaritetin e Albin Kurtit, por “sot kjo kartë nuk ka më vlerë”. Ajo kritikon ashpër Koordinatorin e VLEN-it, Bekim Qoku, i dërguar i Vetëvendosjes, për mungesë performance si deputet:
“Ka mbetur një nga figurat më të zbehta dhe më të padukshme në Kuvendin e RVM-së. Emri i tij u lakua jo për ndonjë nismë ligjore, por si deputeti më i paguar për udhëtime, për të cilat as vetë nuk është i sigurt nëse i ka bërë.”
Sipas saj, zhgënjimi do të reflektohet fuqishëm në zgjedhjet lokale të tetorit:
“Shqiptarët ose nuk do të dalin fare në votime, ose do të prishin fletët e votimit, ose do t’i drejtohen forcave opozitare. Në VLEN do të mbeten kryesisht votat e punësimeve familjare, të nipave e tezakeve, të djemve dhe jaraneshave të kryetarëve të partive.”
Në fund, Selmani shprehet e zhgënjyer që projekti për të cilin votuan nuk solli ndryshimin e premtuar:
“Ne votuam për Ndryshim të vërtetë, për meritokraci, për barazi, për politikë dhe njerëz që mbajnë fjalën. Por në vend të kësaj, morëm një kopje të vjetër të filmit të njëjtë, vetëm se këtë herë regjia ishte më e shtrenjtë. Tetori do të jetë interesant, e Çairi do të jetë vendimtar!” /Flaka Media/