Në prag të zgjedhjeve lokale të caktuara për më 19 tetor, të shtunën më 23 gusht fillon shqyrtimi publik i Listës Zgjedhore, i cili zgjat 20 ditë, pra deri më 11 shtator në mesnatë. KSHZ e nënshkruan Listën Zgjedhore të mbyllur, përkatësisht ekstraktet e Listës Zgjedhore mbi të cilat do të votohet, më së voni deri më 3 tetor.
Qytetarët, kërkesën për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në ekstraktet e Listës Zgjedhore që është vendosur për shqyrtim publik, e paraqesin me shkrim në njësinë rajonale të KSHZ-së ose në zyrën lokale të vendbanimit, ose me email tek KSHZ-ja. Kërkesës i bashkëngjiten edhe dëshmitë përkatëse. Kërkesat për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në Listën Zgjedhore paraqiten gjatë periudhës 23 gusht – 11 shtator.
Shqyrtimi i Listës Zgjedhore u mundësohet edhe të burgosurve. Personat në paraburgim ose në burg, kërkesën për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në ekstraktet e posaçme të Listës Zgjedhore gjatë shqyrtimit publik, e paraqesin përmes organit kompetent për ekzekutimin e sanksioneve deri tek KSHZ, nga 23 gusht deri më 11 shtator.
KSHZ, mbi bazën e kërkesave dhe paraqitjeve të qytetarëve, është e detyruar të vendosë me aktvendim brenda 24 orëve nga dita e pranimit të kërkesës. Kundër aktvendimit me të cilin refuzohet kërkesa, qytetari brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative në mënyrë elektronike. Gjykata Administrative vendos brenda 24 orëve nga pranimi i padisë dhe vendimi i dërgohet menjëherë paditësit në mënyrë elektronike. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës Administrative, i nxjerrë mbi padinë për regjistrim, ndryshim ose fshirje, bëhet pjesë përbërëse e Listës Zgjedhore të nënshkruar nga KSHZ-ja.
Kërkesën për dorëzimin e Listës Zgjedhore, partitë politike e dorëzojnë tek KSHZ në mënyrë elektronike, më së voni më 11 shtator.
KSHZ, brenda tre ditëve (më së voni më 14 shtator) nga dita e përfundimit të shqyrtimit publik, ua dorëzon Listën Zgjedhore partive politike që kanë paraqitur kërkesë deri në ditën e përfundimit të shqyrtimit publik.
Partitë politike, brenda pesë ditëve nga dita e pranimit të Listës Zgjedhore nga KSHZ (më së voni deri më 19 shtator), dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave.
KSHZ mbi bazën e kërkesës së paraqitur vendos me aktvendim brenda 3 ditëve nga dita e pranimit të kërkesës, në pajtim me Rregulloren për metodologjinë e qasjes së plotë, kryerjes së ndryshimeve dhe fshirjes së të dhënave në Listën Zgjedhore.
Kundër aktvendimit të KSHZ-së, partia politike mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë brenda 24 orëve nga pranimi i padisë.
Ministria e Punëve të Brendshme, një ditë pas përfundimit të shqyrtimit publik (më 12 shtator), dorëzon listën e shtetasve që kanë paraqitur kërkesë për lëshim të kartës së re të identitetit ose pasaportës për çfarëdo arsye nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e shqyrtimit publik, si dhe listën e personave që mbushin 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve. KSHZ këto persona i regjistron në Listën Zgjedhore me detyrë zyrtare.
Organi kompetent për ekzekutimin e sanksioneve, më së voni 30 ditë para ditës së përcaktuar për zgjedhje (deri më 18 shtator), dorëzon të dhëna për personat që janë në paraburgim ose që vuajnë dënim me burg, bazuar në evidencën që e mban ky organ. Të dhënat dorëzohen në formë elektronike dhe patjetër përmbajnë numrin unik amë të qytetarit.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, më së voni 30 ditë para zgjedhjeve (deri më 18 shtator), në bazë të evidencës së vet dhe në bazë të të dhënave të dorëzuara nga personat përgjegjës në institucionet e kujdesit jashtëfamiljar, ia dorëzon KSHZ-së të dhënat për personat që janë paraqitur për të votuar në këto institucione.
Gjykatat Themelore deri më 18 shtator ia dorëzojnë KSHZ-së të dhënat për personat të cilëve me vendim gjyqësor të formës së prerë u është hequr plotësisht ose pjesërisht zotësia për të vepruar, kur gjykata ka konstatuar se personi nuk ka aftësi të shprehë vullnet juridikisht të vlefshëm në zgjedhje, si dhe të dhënat për personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e paraburgimit.
Lista Zgjedhore, në të cilën janë bërë të gjitha ndryshimet që kanë dalë nga shqyrtimi publik, KSHZ e mbyll më së voni 15 ditë pas përfundimit të shqyrtimit publik, pra deri më 26 shtator. KSHZ e nënshkruan Listën Zgjedhore të mbyllur, përkatësisht ekstraktet e Listës mbi të cilat do të votohet, më së voni 15 ditë para ditës së zgjedhjeve, pra deri më 3 tetor.