Të shtunën, në mënyrë të jashtëzakonshme, u caktua seancë e Kuvendit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshime për të cilat nevojitet parimi i votimit me Badinter. Deputetët e opozitës shqiptare nuk u konsultuan për asgjë, ndonëse kjo ka qenë gjithmonë praktikë e zakonshme kur bëhet fjalë për ligje që prekin Kodin Zgjedhor.
Opozita shqiptare, edhe pse e anashkaluar, tregoi gatishmëri për kompromis dhe ofroi mbështetje për ligjin, me kusht që qeveria të shfuqizojë vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë – vendim që duhej të binte vetvetiu pas konstatimit nga Gjykata Kushtetuese se metodologjia e ndarjes së qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë është antikushtetuese.
Fatkeqësisht, nuk pati asnjë gatishmëri nga shumica parlamentare, por edhe, për çudi, nga VLEN-i për ta pranuar këtë kompromis. Për këtë arsye, opozita shqiptare nuk e përkrahu ndryshimin e ligjit.
Qeveria dhe shumica parlamentare nuk kanë asnjë argument për të akuzuar opozitën shqiptare. Maskat ranë. U bë e qartë se Mickoski dhe qeveria e tij kanë një agjendë të qartë diskriminuese ndaj qytetarëve me të drejtë vote.
Është paradoks i madh që mërgimtarët shqiptarë kanë të drejtë vote, por nuk kanë asnjë ndikim në përcaktimin e numrit të këshilltarëve. Një tjetër padrejtësi në një shtet ku pjesa shqiptare brenda qeverisë bën vetëm sehir.
Asnjë ministër shqiptar dhe asnjë deputet shqiptar nga pushteti nuk e hapi gojën për këtë çështje. Ky është, në fakt, paradoksi i VLEN-it.
Tentativa për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor pa konsultim dhe pa transparencë dështoi. Dështoi sepse funksionoi parimi i shumicës së dyfishtë – Badinteri, që mbrojti barazinë politike dhe interesin e qytetarëve.
Aleanca për Shqiptarët rithekson se do të mbrojë gjithmonë interesin politik dhe të drejtën e barabartë të qytetarëve, përballë çdo tentative për përjashtim, manipulim dhe diskriminim.
Aleanca për Shqiptarët