Kandidati i koalicionit AKI në Tetovë , Bajram Rexhepi, deklaroi sot para qytetarëve se është i bindur se në prag të zgjedhjeve lokale po zhvillohen përpjekje për blerje votash, dhe shtoi se tetovarët nuk janë të gatshëm të shiten për asnjë shumë ose çmim.
Gjatë fjalimit të tij, Rexhepi e cilësoi këtë praktikë si një rrezik të madh për të ardhmen e qytetit dhe të familjeve tetovare, duke theksuar se zgjedhjet lokale janë vendimtare për brezat e ardhshëm. “Unë e di se ju nuk shiteni. Unë e di se ju nuk bliheni. Jam i bindur se nuk ka para që mund të blejë dinjitetin tonë,” tha ai.
Rexhepi paralajmëroi se ata që tentojnë të ofrojnë para, kontrata pune apo joshje financiare për të blerë vota, do të demaskohen publikisht: “Kjo sot është hera e parë dhe e fundit që flas për këtë temë në këtë mënyrë. Nga sot e tutje, nëse vazhdoni me të njëjtin avaz, ju siguroj se do t’ju demaskojmë fuqishëm.”
Ai i bëri thirrje disa kompanive — pa i përmendur emra — që të mos përfshihen në “lojëra të pista” dhe t’i shmangen përdorimit si “vegla të një pakice vasalësh”. “Mos luani me dinjitetin e të parëve tuaj dhe të pasardhësve tuaj. Jeta nuk fillon dhe nuk mbaron me këto zgjedhje lokale,” shtoi Rexhepi, duke paralajmëruar edhe përgjegjësi ligjore për personat që kryejnë praktika të tilla.
Kandidati akuzoi gjithashtu planet e supozuara për shitjen e pasurive publike — nga monopoli i parkingjeve e deri te ndërmarrjet rajonale — dhe theksoi se qytetarët duhet të jenë vigjilentë ndaj çdo tentative për privatizim që mund të dëmtojë interesin publik.
Nga AKI thanë se do të monitorojnë procesin dhe do të bëjnë denoncime publike dhe ligjore në rast se dalin prova për blerje të votave ose presion ndaj votuesve.
Zgjedhjet lokale në Tetovë pritet të jenë sfiduese dhe me garë të fortë; prej tyre, sipas Rexhepit, varet masa e përgjegjshmërisë qytetare dhe mbrojtja e interesave publike për brezat e ardhshëm.
Postimi i plotë i Bajram Rexhepit:
Jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për ne, për fëmijët tanë, për prindërit tanë. Janë zgjedhje nga të cilat varet e ardhmja jonë. Të gjithë bashkë mund të numërojmë edhe shumë arsye të tjera pse janë kaq të rëndësishme këto zgjedhje. Por ajo që dua ta ngre si shqetësim sot është diçka shumë e dhimbshme.
Madje ndoshta edhe më e dhimbshme sesa shitja e monopolit për 1 euro, shitja e parkingjeve me çmime qesharake, dëmtimi i stadiumit të qytetit apo zhvatja e organizuar përmes “Saubermacher”-it.
Sot jam këtu para jush vetëm për t’ju bërë një thirrje, juve, bashkëqytetarë të mi:
Unë e di se ju nuk shiteni. Unë e di se ju nuk bliheni. Jam i bindur se nuk ka para që mund të blejë dinjitetin tonë, fëmijët tanë, motrat dhe nënat tona! Jam i bindur se edhe ata që përpiqen t’ju ofrojnë para, kontrata të reja pune apo joshje financiare, nuk e kanë të lehtë. Sepse ata e dinë se tetovari nuk blihet, vota e tetovarit nuk shitet dhe tetovari nuk nënçmohet për një grusht parash.
Por pse e bëjnë atëherë këtë gabim aq të madh e të pafalshëm?
A janë në hall për veten e tyre,apo edhe ndoshta me keq?
A i shantazhon kryetari në ikje?
Nga këtu dua t’u bëj thirrje disa kompanive – të cilat të gjithë i njohim, edhe pse sot nuk dua t’i përmend me emra, që të reflektojnë sa nuk është vonë!
Mos hyni në lojëra të pista. Mos u bëni vegël e një pakice vasalësh. Mos luani me dinjitetin e të parëve tuaj dhe të pasardhësve tuaj. Jeta nuk fillon dhe nuk mbaron me këto zgjedhje lokale. Ne do të jetojmë bashkë në këtë qytet dhe do ta shohim njëri-tjetrin në sy shumë herë.
Kjo sot është hera e parë dhe e fundit që flas për këtë temë në këtë mënyrë. Nga sot e tutje, nëse vazhdoni me të njëjtin avaz, ju siguroj se do t’ju demaskojmë fuqishëm. Prandaj, që sot – sepse nesër do të jetë shumë vonë, thirni mendjes, reflektoni dhe shkurt e shqip: mos hyni në aventura të tilla, sepse përndryshe do të turpëroheni nga vetja, nga fëmijët tuaj dhe do të përgjigjeni përpara ligjit.