Connect with us

Lajme

ASH: VLEN i hap rrugë ndikimit serb në sektorin e energjisë – Skandal në ndërmarrjen shtetërore MEPSO

Published

on

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin më të thellë dhe denoncon me përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare një skandal të paprecedentë që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë energjetike dhe sovranitetin institucional të shtetit. Bëhet fjalë për një vendim të ndërmarrë nga drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, i cili më 27 gusht 2025 ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me kompaninë serbe “IMP-Telekomunikacije DOO Beograd”, me objekt furnizimin e pajisjeve për telembrojtje në linjën 400 kV Shkup–Vranjë.

Ky akt, që në pamje të parë mund të paraqitet si një procedurë teknike e zakonshme, në fakt përfaqëson një rrezik strategjik dhe politik, duke e shndërruar një marrëveshje të thjeshtë komerciale në një instrument për zgjerimin e ndikimit të “botës serbe” në sistemin energjetik të Maqedonisë së Veriut – një shtet anëtar i NATO-s dhe pjesë e arkitekturës euroatlantike të sigurisë.

Fakti që kompania serbe nuk është e regjistruar si tatimpaguese në vend ngre dyshime serioze mbi transparencën, ligjshmërinë dhe qëllimet e kësaj kontrate, e cila kap vlerën 1.463.200 denarë (rreth 23.791 euro) me TVSH. Por përtej aspektit financiar, ajo që e bën këtë çështje veçanërisht alarmante është dimensioni gjeopolitik dhe i konfliktit të interesit politik.

Burim Latifi është kushëri i zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, përfaqësues i koalicionit VLEN, dhe për rrjedhojë, nuk mund të përjashtohet dyshimi se kjo marrëveshje është fryt i ndërhyrjes politike dhe i favorizimit familjar, në dëm të interesit shtetëror.

Në këtë kontekst, Aleanca për Shqiptarët ngre publikisht këto pyetje thelbësore:

Si është e mundur që një kompani me seli në Beograd, në kushte të rrethanave gjeopolitike të tensionuara, të përzgjidhet për një projekt brenda infrastrukturës kritike të energjisë së një vendi të NATO-s?

A ka ndikuar zyrtarisht apo joformalisht zëvendëskryeministri Izet Mexhiti në këtë proces, për të mbështetur një të afërm të tij?

A është kjo marrëveshje sinjali i parë i penetrimit të “botës serbe” në rrjetet strategjike të Maqedonisë së Veriut, përmes individëve të lidhur me koalicionin VLEN?

Duke parë seriozitetin e çështjes, Aleanca për Shqiptarët kërkon:

Shkarkimin e menjëhershëm të Burim Latifit nga drejtimi i MEPSO-s, si akt i domosdoshëm për rikthimin e besimit publik;

Hapjen e një hetimi të pavarur parlamentar dhe prokurorial, për të zbardhur rrethanat e nënshkrimit të kontratës, mundësinë e konfliktit të interesit dhe ndikimet politike të mundshme;

Anulimin e kësaj kontrate të rrezikshme dhe kërkojmë auditim të menjëhershëm dhe publik të të gjitha kontratave të ngjashme të nënshkruara nga MEPSO gjatë mandatit të Burim Latifit.

Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë ngjarje si shkelje të rëndë të interesit shtetëror dhe një përpjekje për të vënë themelet e ndikimit të Beogradit në sistemet jetike të vendit përmes aleancave politike të brishta dhe lidhjeve klienteliste.

Në një kohë kur rajoni ndodhet përballë kërcënimeve hibride, gjeopolitike dhe të sigurisë, tolerimi i ndikimit serb në sektorë kyç përbën jo vetëm papërgjegjësi politike, por edhe një tradhti të qartë ndaj interesave kombëtare dhe orientimit euroatlantik të shtetit.

Continue Reading