Aleanca Kombëtare për Integrim në Tearcë ka reaguar ashpër ndaj, siç thonë, presioneve politike dhe institucionale ndaj qytetarëve dhe bizneseve në këtë komunë, përcjell SmartNews
Në një konferencë për media, kandidati për këshillin komunal të Tearcës nga AKI, Jetmir Bajrami, tha se fushata zgjedhore duhet të jetë garë idesh, vizionesh dhe programesh për të ardhmen, jo terren për frikësime e kërcënime.
“Gjatë ditëve të fundit, po përballemi me një tendencë të hapur për presion politik dhe institucional ndaj aktivistëve, bizneseve dhe qytetarëve që mbështesin Aleancën Kombëtare për Integrim.
Në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, operatorët ekonomikë po sulmohen, ndërsa aktivistët tanë ndalohen deri në tre apo katër herë në ditë, vetëm për të ushtruar frikë dhe presion psikologjik.
Ky aktivitet është në kundërshtim me ligjin, me parimet demokratike dhe me standardet që garantojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Ne kemi reaguar zyrtarisht edhe pranë OSBE-së, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke i njoftuar për këto shkelje serioze dhe për klimën e frikës që po tentohet të krijohet në komunën tonë.
Ne kërkojmë që:
1.Organet kompetente të ndalin menjëherë këto veprime të paligjshme;
2.Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Prokuroria Publike dhe institucionet ndërkombëtare të ndjekin nga afër situatën në Tearcë;
3.T’u garantohet bizneseve dhe qytetarëve e drejta për të vepruar e për t’u shprehur lirshëm, pa frikë e pa kërcënime.
Fushata duhet të zhvillohet me ide, plane dhe argumente — jo me frikësime, kërcënime e shantazhe.
Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me dinjitet, qetësi dhe besim se qytetarët e Tearcës e dinë mirë kush po punon për zhvillim dhe kush po përdor aparatin e shtetit për presion politik”, përfundoi Bajrami./SmartNews.mk/