Connect with us

Lajme

AKI: Një vit pas shfuqizimit të balancuesit – kthim para vitit 2001!

Published

on

Sot bëhet një vit nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizua mekanizmi i njohur si “balancues” – instrumenti që garantonte përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në institucionet publike. Aleanca Kombëtare për Integrim vlerëson se ky vendim, i cilësuar si “politik e jo juridik”, ka prodhuar pasoja të rënda për barazinë etnike në shtet.

Nënkryetari i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arbër Ademi, ka thënë sot se shfuqizimi i Balancuesit përbën “sulm institucional ndaj barazisë” dhe një “kthim para vitit 2001”, në kohën kur shqiptarët përbënin më pak se 0.2 për qind të administratës shtetërore.

“Ky vendim nuk ishte teknik, as administrativ, por politik dhe antikushtetues, sepse synonte fshirjen e deklarimit etnik dhe çmontimin e të drejtave kolektive të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit”, tha Ademi.

Sipas tij, para heqjes së balancuesit, shqiptarët përfaqësoheshin me rreth 22 për qind në administratën publike, ndërsa pas vendimit, kjo përqindje ka rënë ndjeshëm.

“Në shumicën e institucioneve shtetërore përfaqësimi i shqiptarëve në punësimet e reja nuk kalon as 5 për qind, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të afërm të pushtetit aktual. Nëse kjo vazhdon, brenda një periudhe të shkurtër përfaqësimi real i shqiptarëve do të bjerë nën 20 për qind”, paralajmëroi Ademi, duke e cilësuar situatën si “spastrim të heshtur institucional”.

Sipas të dhënave që ai përmendi, nga mbi 12 mijë të punësuar të rinj për të cilët flet Qeveria, më pak se 500 janë shqiptarë. “Kjo është fotografia reale e një administrate që po kthehet në monopol etnik të njëanshëm”, shtoi Ademi.

AKI akuzon Qeverinë se, në vend që të korrigjojë padrejtësinë, po e “betonon” diskriminimin përmes draftligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të hartuar nga VMRO-DPMNE dhe profesorja Karakamisheva, dhe të përkrahur nga koalicioni VLEN.

Sipas deklaratës, drafti është “katastrofë kushtetuese dhe morale”, sepse:
• nuk parasheh kuota apo përqindje për përfaqësim etnik;
• nuk obligon institucionet të evidentojnë përkatësinë etnike të të punësuarve;
• nuk përmban asnjë sanksion për shkelësit e parimit të përfaqësimit të drejtë;
• dhe bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës.

“Ky është ligj që jo vetëm nuk e avancon balancuesin, por e varros përfundimisht – dhe ajo që është më e dhimbshme, me firmë shqiptare. Kjo është tradhti politike dhe kombëtare”, tha Ademi.

Aleanca Kombëtare për Integrim kërkon që draftligji i ri të tërhiqet menjëherë dhe Qeveria të rikthejë mekanizmin e balancuesit në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit.

“Sot përfaqësimi i shqiptarëve po bie me ritme alarmante, institucionet po kthehen në struktura të mbyllura etnike dhe asnjë zyrtar qeveritar nuk mban përgjegjësi. Çdo ditë pa balancues është një hap më shumë drejt padrejtësisë, pabarazisë dhe asimilimit institucional”, u shpreh Ademi.

Në fund, Ademi paralajmëroi se nuk do të lejojë “kthimin para vitit 2001” dhe kërkon që barazia të mbetet themel i shtetit.

“Barazia nuk është opsion, është detyrim kushtetues dhe kombëtar”, tha ai.

Continue Reading