Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën e tij për televizionin shqiiptar Euronews Albania u shpreh se partia që drejton ai ka pasur rezerva që kur filloi procesi i Ballkanit të Hapur për shkak se nuk ka qenë inkluziv që në fillim.
“Kemi theksuar se për tre arsye, kjo nismë mund edhe të mos funksionojë. Kjo nismë ka qenë asimetrike, jo-inkluzive dhe paraleliste, duke pasur parasysh se në ndërkohë ishte procesi i Berlinit. Për të njëjtat arsye, edhe shtetet evropiane kishin rezervat për këtë nismë”, u shpreh Taravari duke shtuar se pas tërheqjes së Shqipërisë, Ballkani i Hapur mund të shpallet i vdekur.
Sipas Taravarit, Ballkani i Hapur i solli më shumë dëme se sa përfitime rajonit dhe se që në fillim nuk ka qenë gjithpërfshirës si në Kosovë, po ashtu edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, te një pjesë në Mal të Zi si dhe te opozita e atëhershme në Maqedoninë e Veriut.
“Dobësia e Ballkanit të Hapur ishte se në mënyrë paralele zhvilloheshte me procesin e Berlinit”, u shpreh kreu i ASH-së, Arben Taravari.
Ndryshe, gjatë ditë së sotme Aleanca për Shqiptarët përmes në kumtese u shprehën se ky projekt polarizoi edhe më tepër Ballkanin Perëndimor në një kohë tanimë të trazuar për rajonin dhe kontinentin.