Organizata HUTA Tetovë ka reaguar ndaj mënyrës së prezantimit të donacionit prej 800.000 eurosh nga kompania serbe Unipromet Çaçak, me pronar Ratko Popoviq, për rinovimin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, duke shprehur shqetësim për konotacionin monoetnik që, sipas tyre, i është dhënë projektit në komunikimin publik.
Sipas reagimit të HUTA-s, prezantimi i donacionit është fokusuar vetëm në trashëgiminë maqedonase të objektit, duke anashkaluar plotësisht historinë e pasur shqiptare që lidhet me këtë shkollë. Ata kujtojnë se ndërtesa në fjalë nuk ka qenë vetëm një vatër arsimore për nxënës maqedonas, por edhe për shqiptarët, sidomos gjatë periudhës 1941-1945 kur aty ka funksionuar shkolla fillore e parë shqipe “Tajar Tetova”.
Reagimi i plotë:
“HUTA Tetovë, organizatë e përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare në rajonin tonë, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me mënyrën në të cilën është prezantuar donacioni prej 800.000 € nga Kompania Unipromet Çaçak, me pronar nga Serbia, Ratko Popoviq, për rinovimin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, duke iu dhënë një konotacion ekskluzivisht monoetnik.
Sipas dëshmisë mediatike, këtij projekti i jepet konotacion monotetnik për shkak siç potencohet që nga kjo godinë kanë dal shumë figura të shquara maqedone.
Ne duam të potencojmë institucionet qendrore dhe lokale që ky objekt nuk i ka shërbyer vetëm popullit Maqedonas por edhe ati Shqiptarë, pasi që në këtë shkollë gjatë gjithë kohrave kanë mësuar edhe nxënës shqiptarë, por veçmas gjatë periudhës 1941-1945 në këtë godinë ka qenë e vendosur shkolla fillore e parë shqiptare “Tajar Tetova”.
Ne i bëjmë thirrje Komunës së Tetovës dhe donatorëve privatë:
1. Të ndërmerren hapa konkretë për të përfshirë historinë shqiptare të këtyre godinave.
2. Të pastrohet komunikimi publik nga elementë që mund të interpretohen si përkrahje e ndarjes identitare në institucion.
3. Transparencë në përmbajtjen e marrëveshjes, kushtet që mund të përfshijë, si dhe ndikimin e mundshëm të saj në komunitet.
HUTA Tetovë mbetet e gatshme për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim me partnerë lokalë dhe nacionale, me qëllim që çdo investim në edukimin dhe trashëgiminë tonë të përforcojë unitetin dhe identitetin kulturor shumëgjuhësh që na karakterizon si zonë.
Ju falenderojmë për vëmendjen dhe shpresojmë në reflektim institucional dhe përmbushje të vlerave të përbashkëta”, përfundojnë nga Huta.