Zëvendësministri për Punë të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar fuqishëm lidhur me incidentin e një punonjësi të MPB-së që hodhi flamurin kombëtar shqiptar. Në një postim publik, Iseni ka konfirmuar nisjen e procedurës disiplinore ndaj punonjësit në fjalë dhe ka paralajmëruar sanksione të rrepta për shkelje të ligjit dhe mosrespektim të simboleve kombëtare.
“Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha grupeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim,” ka theksuar Iseni.
Ai ka shtuar se ligjet do të zbatohen njësoj për të gjithë, ndërsa institucionet do të jenë garant për respektimin e tolerancës dhe të drejtave të komuniteteve.
Duke iu referuar nenit 319 të Kodit Penal, Iseni ka rikujtuar se çdo akt që nxit përçarje, intolerancë ose urrejtje përmes fyerjes apo shkatërrimit të simboleve kombëtare ose fetare, është i dënueshëm. “Nuk do të lejoj që një sjellje e tillë, sidomos kur vjen nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të mbetet e pandëshkuar,” ka thënë ai.
Zëvendësministri ka dënuar çdo mosrespektim të simboleve shtetërore dhe kombëtare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së bashkëjetesës dhe respektit reciprok.
“Dje të gjithë së bashku e dënuam aktin e fyerjes së flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sot, po ashtu e dënoj dhe konfirmoj se do të ketë përgjegjësi për punonjësin që veproi në mënyrë fyese ndaj flamurit, i cili është simbol kombëtar i shqiptarëve,” ka përfunduar Iseni.
Ky qëndrim vjen në një moment kur sensibiliteti për respektimin e simboleve kombëtare është në qendër të diskutimeve publike në Maqedoninë e Veriut.