Smart News

Zgjedhjet presidenciale, filloi sot mbledhja e nënshkrimeve

Duke filluar nga sot dhe deri më 8 mars kandidatët për president duhet të mbledhin 10 mijë firma nga votues të regjistruar në listën zgjedhore për të zyrtarizuar kandidaturën. Kjo ose mbledhja e të paktën 30 nënshkrimeve nga deputetët në Kuvend janë dy opsionet e vetme për kandidim.

BDI-ja filloi me mbledhjen e firmave për kandidaturën e Bujar Osmanit, kurse kreu i kësaj partie pas hedhjen së firmës në Kërçovë përsëriti se këto zgjedhje janë mundësi për të hequr pengesat në rrugën drejt BE-së.

“Vendi ynë duhet të ecë përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, drejt guximit për të përmbyllur çështje të rëndësishme që momentalisht na paraqiten si pengesë për hapjen e horizonteve të reja… me këto zgjedhje përcaktuese për ardhmërinë, të thuhet “ndal” Rusisë dhe “po” Evropës…”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve e hapi edhe E Majta me kandidaten e saj Biljana Vankovska. Ajo u ankua për obstruksione si pengesa për qasje deri në zyrat e KSHZ-së për personat me aftësi të kufizuara dhe mungesën e rrymës në njërën nga zyrat.

“Jemi të gatshëm të përballemi me një milion probleme dhe për këtë qëllim dhe si sfidë presim që qytetarët vërtetë të tregojnë frymë politike avanturiste, të sigurojnë që më shumë kandidatë në debatin e vërtetë politik të na japin mundësinë të prezantohemi vetë me programet dhe njohuritë tona, me vizionet tona për vendin sepse garojmë në një garë e cila nuk do të jetë e pastër dhe nuk është e pastër që nga dita e parë”, u shpreh Biljana Vankovska, kandidate e të Majtës.

Nënshkrime do të duhet të mbledhë edhe kandidati i VLEN, Arben Taravari, kreu i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, aktivistja qytetare Mersiha Smailloviq, kryetari i komunës së Karposhit dhe kryetari i GROM-it, Stevçe Jakimovski dhe kandidati i pavarur por që vjen nga radhët e VMRO-së, Vele Markovski.

Kandidatja e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja Gordana Siljanovska nuk do të ketë nevojë për mbledhjen e firmave të votuesve pasi ka siguruar 30 firma nga deputetët. Nëse siguron të njëjtën mbështetje nga deputetët, për nënshkrimet e 10 mijë votuesve s’do të ketë nevojë as Stevo Pendarovski, i mbështetur nga LSDM-ja. Megjithatë nuk ka pengesë që ata të mbledhin firma nga votuesit vullnetarisht.

Nënshkrimet mblidhen në njësitë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në tërë territorin e vendit. Orari i punës në zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 20:00, duke përfshirë ditët, të shtunën dhe të dielën dhe ditët e festave. /Alsat.mk

Exit mobile version