Zaevi: Ndihmë për kompanitë që janë mbyllur për dy javë, hotelierët ankohen për vonesën e pagave

e postuar më at 18:03
65 0

Firmat dhe të gjitha kompanitë e tjera të cilat për shkak të valës së tretë të koronavirusit do të qëndrojnë të mbyllura për 2 javë, do të përfshihen në pakon e pestë masash. Këtë e bëri me dije kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se është paraparë që të mbulohet një përqindje nga ndihma për hotelierët që kanë pësuar më së shumti, duke shtuar se ata do të mund të punojnë pjesërisht.

“Është paraparë të mbulohet një përqindje nga të ardhurat e realizuara në 3 muaj e parë të këtij viti si ndihmë e drejtpërdrejt. Ashtu siç ishte gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, objektet hotelierike që punojnë me porosi, do të mund të vazhdojnë edhe pas fillimit të orës policore, por kuptohet me leje adekuate për lëvizje. Në mënyrë shtesë gjatë ditës mund të shesin ushqim dhe pije nga sporteli, “take-away” ose “to-go”, por nuk do të ketë shërbim në vetë lokalet”, deklaroi Zaevi.

Nga sektori turistiko-hotelierik thonë se gjenden në situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe se nuk arrijnë t’i paguajnë detyrimet që i kanë. Prandaj, siç shpjegojnë, janë detyruar ose t’i largojnë nga puna punëtorët ose t’i mbyllin bizneset e tyre.

“Presim institucionet kompetente të mundësojnë që ndihma nga pakoja e pestë të paguhet menjëherë, të jepet mbështetje të pakthyeshme financiare për veprimtaritë që janë përfshirë në masat kufizuese”, deklarojnë nga Oda turistike-hotelierike.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se janë paraparë lehtësime në aplikim për marrje të ndihmës për rrogat e shkurtit dhe marsit. Siç shpjegon, këtë do të mund të bëhet me vetëm një aplikacion.

“Sa i takon masës për rrogat të cilën e marrin kompanitë, me qëllim që të kompensohet periudha e humbur, përmes një zgjidhjeje amendamenti mundësohet që më 15 prill të aplikohet për dy muaj – edhe për shkurt, edhe për mars dhe në këtë mënyrë kompanitë do ta realizojnë masën lidhur me shumat që i kanë paguar për mars, siç parashikonte ligji”, tha Besimi.

Ndryshe, deri më tani janë realizuar katër pako ekonomike, por pakoja e pestë tani për tani mbetet e bllokuar në Kuvend.

nga kategoria