Zaev: Ballkani s’është më bombë e kurdisur

e postuar më at 23:22
78 0

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, deklaroi se ai beson se Ballkani nuk është më një bombë e kurdisur, por se është një Ballkan evropian mbi të cilin po ndërtohen ura miqësie, ku zgjidhjet gjenden përmes dialogut dhe bisedave.

“Unë jam i bindur se edhe ato zgjidhje që nuk janë gjetur ende, do të gjenden përmes dialogut,” tha Zaev për televizionin N1.

I pyetur se si e shikon idenë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, Zaev tha se mund të dokumentojë se e ardhmja e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës “nuk është e ardhmja për të cilën kërkojnë as qytetarët e Kosovës, as qytetarët e Shqipërisë, as qytetarët e të gjithë rajonit”, sepse, siç tha ai, “e ardhmja jonë është në BE”.

“Evropa pa kufij, Evropa ku njerëzit punojnë, bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin dhe jam i bindur që këto janë ide të individëve, se ato janë në pakicë dhe nuk do të kenë të ardhmen e tyre, sepse besoj se përmirësimi i bashkëpunimit në rajonin tonë është pjesë e jona. Ne jemi duke zhvilluar Procesin e Berlinit, i cili ofron një mundësi për bashkëpunim të shkëlqyeshëm rajonal,” tha Zaev.

Ai shprehu besimin se çështjet e tjera në rajon do të kapërcehen përmes dialogut.

“Nuk është e lehtë të gjesh një zgjidhje, unë kalova disa procese të vështira – ligjin për përdorimin e gjuhës në Maqedoninë Veriore, kalova një marrëveshje me Bullgarinë, Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, emri kushtetues i vendit ndryshoi dhe nuk është e lehtë, kjo është me të vërtetë e vështirë. Serbia, Kosova dhe vendet e tjera kanë sfidat e tyre përpara, ose Bosnjë e Hercegovina, por patjetër, përmes dialogut, diplomacisë, miqësisë, mund të gjenden zgjidhje edhe për këto çështje,” tha Zaev.

nga kategoria