Zudi Xhelili, analist politik, në një prononcim për agjencinë informative Flaka, ka komentuar rezultatet e sondazhit më të fundit të realizuar nga portali MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë “Market Vision”, i cili ka matur përkrahjen për liderët dhe partitë politike në Maqedoninë e Veriut.
“Sondazhi i fundit dëshmoi qartë se përkrahja për opozitën shqiptare është më shumë se dyfish në krahasim me koalicionin qeveritar VLEN. Ky është një tregues i qartë i humbjes së legjitimitetit nga ana e partive që vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri pa mbështetjen e shumicës shqiptare”, theksoi Xhelili.
Ai nënvizon se VLEN ka humbur pothuajse gjysmën e elektoratit që nga momenti kur Aleanca për Shqiptarët (ASH) u largua nga koalicioni. “Në të njëjtën kohë, dy liderët kryesorë të opozitës shqiptare – duke iu referuar Arben Taravarit dhe drejtuesve të tjerë të Frontit Kombëtar – gëzojnë një përkrahje të lartë dhe në rritje. Për dallim nga kjo, tre liderët e VLEN-it mbeten në kuota minimale, nga vetëm 1 deri në 2%, çka tregon mungesën e besimit të qytetarëve ndaj tyre”, deklaroi Xhelili për FLAKA.
Sipas tij, largimi i ASH-së nga qeveria ka qenë një sinjal i fortë politik. “Ai tregoi se margjinalizimi dhe përjashtimi i shqiptarëve nga proceset vendimmarrëse duhet të marrë fund. Ky hap ka sjellë ndjeshëm një ripozicionim të elektoratit shqiptar.”
Xhelili shton se paralajmërimet për një bashkim të mundshëm mes Frontit Europian dhe Frontit Kombëtar për zgjedhjet lokale e rrisin ndjeshëm mundësinë për fitore të sigurt në shumë komuna. “Një bashkëpunim i tillë do të ketë ndikim të madh në riformatimin e skenës politike shqiptare dhe do të sigurojë një përfaqësim më të drejtë e më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore.”
Ai përfundoi se sondazhet janë një pasqyrë e asaj që ndodh në terren, por dinamika e re politike, veçanërisht bashkimi opozitar, do të jetë vendimtar në ndërtimin e një alternative të fuqishme dhe legjitime për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.