Vlerësojnë nga OEMVP: Imunizimi, investimet kapitale dhe pakoja e pestë kyçe për daljen nga kriza

e postuar më at 17:52
81 0

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion që i mbron interesat afariste të bizneseve në vend, vazhdon përpjekjet e saja në drejtim të dhënies së sugjerimeve dhe kahjes që institucionet duhet të marrin, me qëllim të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes si parakusht për rritje dhe zhvillim ekonomik të vendit.

“U bënë më se 1 vit që kur vendi ynë hyri në listën e shteteve të prekura nga Virusi i Kovid 19, dhe që atëherë iu nënshtrua rrethanave të krijuara të cilat më vonë pasuan me krizë socio-ekonomike. Vendimi i djeshëm për zgjatje të orës policore dhe mbyllje të disa sektorëve afarist është dëshmi për krizën në të cilën ndodhemi dhe pasojat e mëdha të cilat e presin ekonominë e vendit. Nisur nga situata me pandeminë në nivel global e rajonal, ne si Odë vlerësojmë se menaxhimi me krizën është duke u zhvilluar me hapa shumë të ngadaltë në krahasim me vende tjera të rajonit, qoftë në aspekt të sigurimit të vaksinave, dhe rrjedhimisht imunizimit apo qoftë aspekti i stimulimit të bizneseve. Marrë parasysh ndjeshmërinë e ekonomisë së vendit, varësinë e saj nga tregjet e huaja, lindin shqetësime të shumta mbi ekonominë, me theks të veçantë konkurrueshmërinë e kompanive të vendit, andaj imunizimi kolektiv është hapi i parë drejt daljes më të sigurt nga kjo krizë”, thonë nga OEMVP.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i të vaksinuarve në RMV është rreth 9000 persona që paraqesin vetëm 0.45% të popullsisë. Vendet e rajonit kanë avancuar më tepër në këtë drejtim, ku kanë siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave, e madje disa prej tyre kanë arritur edhe imunizim të mbi 15% të popullsisë.

OEMVP vlerëson se në kategoritë me prioritet për vaksinim, duhet të inkuadrohen edhe bizneset, si shtyllë e shoqërisë dhe ekonomisë në vend, të cilët përfaqësojnë pjesën dërmuese të të punësuarve, dhe kontribuojnë në stabilitetin ekonomik dhe financiar të shtetit.

“Me qëllim që të rikthehet aktiviteti ekonomik, shteti duhet të stimulojë sektorët që kanë potencial zhvillimor-ekonomik, para se gjithash, projektet kapitale-infrastrukturore. Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, vërehet një normë shumë e ulët e realizimit të shpenzimeve kapitale, të cilat arrijnë vetëm 10.18% të mjeteve të parapara në buxhet. Nga 394 milion euro të planifikuara, janë realizuar vetëm 40 milion të cilat për fat të keq nuk janë shpenzime të karakterit zhvillimor, por që më tepër paraqesin shpenzime fikse të institucioneve përkatëse. Në rast se vazhdon ky trend dhe ky vëllim i investimeve kapitale, përfundimi i vitit 2021 do të jetë ndër më të dobëtat në aspekt ekonomik, pasi që do të arrinim normën e realizimit të mbi 40% të mjeteve të planifikuara. Duke pasur parasysh faktin që ne si vend kemi shumë projekte infrastrukturore të pa realizuara ndër vite, të cilat përveç rëndësisë strategjike, paraqesin mundësi për zhvillim të barabartë rajonal dhe rigjallërim për shumë kompani të sektorëve të ndryshëm. Realizimi i këtyre projekteve me një dinamikë të përshpejtuar nënkupton sigurimin e mjeteve likuide për kompanitë të cilët janë të prekura nga kriza, ruajtjen e vendeve të punës dhe intensifikimin e aktivitetit afarist”, shtojnë nga OEMVP.

Ata e rikujtojnë Qeverinë për projektet të cilat i ka në programin e saj, por nuk i ka realizuar, siç janë Autostrada Shkup-Bllacë, realizimi i korridorit të 8-të Pan Evropian dhe hapja e terminalit doganor në Jazhincë me infrastrukturë adekuate. Këto projekte në aspekt afatshkurtër do të stimulojnë aktivitetin ekonomik ndërsa në aspekt afatmesëm do të ndikojnë në rritjen e këmbimit tregtar me shtetet e rajonit.

Me qëllim të zbutjes së efekteve të krizës në ekonominë e vendit, OEMVP apelon deri tek institucionet qeveritare që:

– Të jepen instruksione të qarta për qarkullim gjatë orës së zgjatur policore për të punësuarit që punojnë në ndërrime.

– Të sigurohet numër i mjaftueshëm i vaksinave Anti-Kovid për gjitha grup moshat

– Vendosja e biznesit në listën prioritete për imunizim, si mënyrë për evitim të ndonjë krize tjetër ekonomike

– Ngritja e kapaciteteve për imunizim që të mundësohet dalje më e shpejtë nga kriza.

– Realizimi prej së paku 80% të investimeve kapitale, me theks të veçantë projektet infrastrukturore të cilat do të rigjallërojnë ekonominë e brendshme të vendit.

– Mos të bllokoheт sjellja е pakos së pestë të masave, me qëllim të ndihmohen kompanitë sidomos në këtë periudhë të mbylljes së disa sektorëve dhe zgjatjes së orës policore.

nga kategoria