Smart News

VLEN shqyrton seriozisht mundësinë e listave të përbashkëta me VMRO-DPMNE – Eksperimenti i dytë

Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është hapur një debat i ri strategjik: koalicioni VLEN, pjesë e shumicës aktuale qeverisëse, po shqyrton mundësinë e daljes me lista të përbashkëta per këshilltarë me VMRO-DPMNE-në, partinë maqedonase që aktualisht është në pushtet.

Propozimi ka ardhur me zë të qartë nga Lëvizja BESA, e cila këtë model e konsideron si një eksperiment të dytë elektoral në marrëdhëniet ndëretnike, pas bashkëpunimit të kaluar që pati me LSDM-në. Si një nga promotorët e kësaj ideje përmendet edhe emri i Adnan Azizi, përfaqësues i BESA-s në kuadër të VLEN-it.

Burime nga brenda koalicionit bëjnë të ditur se kjo nismë ka hasur në rezistencë të pjesshme brenda vetë VLEN-it. Konkretisht, një pjesë e Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit dhe një segment i Alternativës, i cili ndodhet nën ndikimin e Afrim Gashit, aktualisht kryetar i Kuvendit, janë skeptikë për një bashkëpunim të tillë me një parti që historikisht ka mbajtur qëndrime nacionaliste ndaj shqiptarëve.

Megjithatë, të tjera zëra brenda koalicionit po e shqyrtojnë me kujdes këtë propozim, duke mos e përjashtuar mundësinë që një bashkëpunim i tillë të jetë politikisht i leverdishëm në rrethana të caktuara.

Tema pritet të trajtohet më konkretisht në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së VLEN, ku do të diskutohet nëse ky skenar do të mbështetet si strategji zgjedhore apo do të refuzohet për shkak të përplasjes me qëndrimet e mëparshme politike të partive shqiptare në pushtet.

Exit mobile version