Smart News

VLEN: BDI dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit me vetting-un ndërkombëtar

Duke marrë parasysh se BDI-ja opozitare dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit me propozime për veting ndërkombëtar për të gjithë politikanët gjatë 30 viteve të fundit, VLEN riafirmon propozimin e saj për një luftë të vërtetë kundër korrupsionit politik.
Ne jemi një gjeneratë politikanësh që nuk fjalosim kot, por kalojmë në veprime konkrete. Nëse BDI-ja me të vërtetë do të kishte dëshiruar të luftonte korrupsionin politik, ajo ka pasur plot 22 vite pushtet për të ndërmarrë hapa konkretë. Përkundrazi, kjo udhëheqje e inkriminuar e BDI-së inicoi ndryshime të turpshme në Kodin Penal për të amnistuar raste të shumta të korrupsionit politik.

Qëllimi i VLEN-it është të ndërtojmë një mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë
funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, të cilët kanë përfituar padrejtësisht përmes abuzimeve me detyrën e tyre zyrtare.
Politika nuk duhet të jetë më biznesi më fitimprurës!
Ose do t’u shërbejmë qytetarëve dhe shtetit në kuptimin e vërtetë të fjalës, ose do të bëhemi një vend fantazmë. Të gjithë të rinjtë do të largohen dhe nuk do të mendojnë të kthehen. Prandaj, nëse BDI-ja me të vërtetë dëshiron që të pastrohen të gjitha rastet e korrupsionit politik, me pasoja të vërteta ligjore, e jo vetëm me ndalimin e veprimtarisë politike, atëherë le të deklarojë menjëherë nëse deputetët e saj do të nënshkruajnë iniciativën tonë për ndryshime në Kushtetutë, e cila ne jemi të bindur se duhet t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut.

Një amendament kushtetues që do ta çojë Maqedoninë e Veriut një hap të madh përpara në integrimin në BE.
Ja propozimi i VLEN-it: Ligjet mund të kenë fuqi retroaktive edhe në rastet që lidhen me vjetërsimin e përgjegjësisë penale për abuzimet e kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar gjatë ushtrimit të detyrave publike, ku janë shkaktuar dëme në fondet publike dhe mjetet buxhetore në nivel qendror dhe lokal, dhe ku me ato abuzime është përfituar pasuri e paligjshme.
Arsyetimi: Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Ky amendament do të jetë pika 5, dhe do të vijë pas pikës 4 që parashikon se: “Ligjet dhe aktet e tjera nuk mund të kenë fuqi retroaktive, përveç në raste të veçanta kur kjo është më e favorshme për qytetarët”.
Amendamenti i propozuar do të jetë bazë dhe do të hapë mundësinë për ndryshime dhe plotësime me një nen të ri 112-a në Kodin Penal, ku të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale të kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, të mos vjetërsohen kurrë. Kjo përfshin edhe zgjerimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, të regjistruar në emër të personave të tjerë.
Ky amendament do të sigurojë një bazë kushtetuese për rishikimin e të gjitha proceseve gjyqësore për personat e zgjedhur dhe të emëruar ish apo aktual. Me këtë amendament do të krijohet një bazë kushtetuese për rishikimin e të gjitha procedurave gjyqësore ndaj ish ose aktualëve të zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetërsisë së përgjegjësisë eventuale penale.
Ky amendament, në fakt, do të përmbushë kërkesat e qytetarëve për sigurimin e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe barazisë përpara ligjeve dhe procedurave gjyqësore për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët janë propozuar nga partitë politike dhe që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, dhe që kanë abuzuar me ndikimin e tyre dhe kanë ushtruar presion për të shtyrë procedurat kundër tyre deri sa ato të vjetërsohen. Ne besojmë se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për të çrrënjosur zakonet shumë të këqija të korrupsionit politik dhe shmangies së drejtësisë përmes përpjekjeve për të ndikuar në drejtësi, është një plagë e madhe për shoqërinë tonë dhe e bën politikën profesionin më të urryer.

Exit mobile version