Smart News

Vetëm maqedonisht, edhe aty ku drejton VLEN – Shqipja e shpërfillur, injorohet edhe emri kushtetues i shtetit!

Shpërfillja e gjuhës shqipe po kthehet në përditshmëri edhe në institucionet që udhëhiqen nga kuadrot e VLEN-it. Si të kishte hyrë në fuqi një dekret i heshtur qeveritar, urdhri për të anashkaluar shqipen po zbatohet me përpikmëri.

Sot, në inaugurimin e Shtëpisë së Shëndetit në komunën e Ilindenit, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në sy binte mungesa e gjuhës shqipe në tabelën hyrëse të institucionit – pavarësisht se bëhet fjalë për një institucion publik dhe një komunë ku jetojnë edhe shqiptarë.

Por ky nuk ishte skandali i vetëm. Në sfondin e podiumit ku mbaheshin fjalimet zyrtare, mungonte emërtimi kushtetues i shtetit – “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Në vend të tij, figuronte vetëm emri i vjetër, “Maqedonia” – një provokim i hapur që bie ndesh me marrëveshjen e Prespës dhe i cili mund të konsiderohet si ofendim institucional ndaj Greqisë dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ky episod shton më tej shqetësimin për standardet kushtetuese dhe diskriminimin gjuhësor, veçanërisht kur ndodh në prani dhe me heshtjen e ministrave shqiptarë. Heshtja e Azir Aliut në këtë rast vetëm sa e legjitimon këtë praktikë dhe i jep sinjal administratës se gjuha shqipe mund të injorohet pa pasoja – madje edhe kur udhëheqin shqiptarët vetë. /SmartNews/

Exit mobile version