Me fillimin e sezonit të verës dhe ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka publikuar një mesazh mirëseardhjeje, duke i siguruar ata për përkushtimin maksimal të institucionit që ai udhëheq në përmirësimin e kushteve të jetesës në qytet.
“Motra dhe vëllezër, ju që keni ardhur si çdo verë në Gostivarin tuaj, më lejoni që në emrin e Komunës tonë t’ju uroj mirëseardhje,” shkroi Limani në një status në Facebook. Ai theksoi se komuna po punon intensivisht për të realizuar projekte të shumta infrastrukturore, të cilat do ta transformojnë qytetin.
“Sikurse e shikoni, rrugë të reja po ndërtohen dhe një numër rekord projektesh na presin përpara. Puna është forma më e mirë për të shprehur respektin dhe dashurinë për secilin nga ju!”, përfundoi Limani, duke lënë të kuptohet se vera e këtij viti do të shoqërohet me investime konkrete në zhvillimin urban të Gostivarit.