Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka zhvilluar një mbledhje në selinë qendrore në Reçicë të Vogël, ku janë miratuar disa nga emrat që do të garojnë në zgjedhjet lokale të ardhshme. Lajmin e bëri të ditur nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, i cili tha se strukturat partiake kanë votuar njëzëri për kandidatët e propozuar, shkruan Flaka.
Sipas konfirmimit zyrtar, Valdet Xhaferi do të jetë bartës i listës për Këshillin Komunal në Gostivar. Me këto vendime, BDI brenda Frontit Kombëtar ka kompletuar dyshen e garës në Gostivar, ku tashmë është zyrtarizuar edhe kandidatura e Valbon Limanit të ASH-së për kryetar komune. Kjo do të thotë se Valbon Limani do të garojë për kreun e komunës, ndërsa Valdet Xhaferi do të udhëheqë listën e këshilltarëve në emër të Frontit Kombëtar.
Zyrtarizimi i këtyre emrave vjen në prag të një fushate që pritet të jetë e ashpër, ku përplasjet politike midis Frontit Kombëtar dhe koalicionit VLEN janë më të theksuara. Flaka