Sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, lidhur me premtimin për një investim prej 70 milionë eurosh në Spitalin e Tetovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Uzairi i ka cilësuar këto zotime si “premtime boshe” të bërë për qëllime elektorale, duke kujtuar se pak javë më parë i njëjti ministër kishte dhënë një premtim tjetër që nuk u realizua.
Postimi i plotë i Uzairit:
“Perla e radhës nga “fabrika e premtimeve”
Azir Aliu dhe Bilall Kasami zbarkuan në Tetovë për të premtuar 70 milionë euro investim në Spitalin e Tetovës.
Të dashur qytetarë dhe ju heronjtë e Spitalit të Tetovës, mos harroni: vetëm pak javë më parë i njëjti ministër ju tha “do merrni vendim dhe pikë”. Pikën e morët… vendimin jo! Dhe këtë herë as nuk ju pa në sy, sepse e di që nuk mbajti fjalën.
Por ja ku kthehet tani jo me vendime, por me miliona… në letër.
E për ta bërë “filmin” më interesant, në skenë hyn edhe Bilall Kasami, që bën figurantin e premtimeve të rreme.
E dimë, është fushatë zgjedhore… por të paktën, kur të gënjeni, mos e bëni aq trashë sa të ofendoni inteligjencën e qytetarëve.
Sepse dinjiteti i mjekëve, infermierëve dhe gjithë stafit të Spitalit të Tetovës nuk blihet me premtime boshe”, ka përfunduar Uzairi.