Sport
UEFA shqyrton një format të ri për kualifikueset e Kupës së Botës dhe Evropianit
Për të shmangur ndeshjet e mërzitshme kualifikuese, apo ndeshjet shumë të pabarabarta midis kundërshtarëve të kalibrave të ndryshëm, UEFA thuhet se është gati të ndryshojë sistemin e kualifikimit për ekipet kombëtare për Kampionatin Evropian dhe Kupën e Botës, për të ofruar më shumë përballje kokë më kokë midis ekipeve “të mëdha”.
Sipas L’Equipe, UEFA e ka diskutuar çështjen për ca kohë dhe po shqyrton një model të ngjashëm me atë të aplikuar në Ligën e Kampionëve.
Presidenti Aleksander Ceferin kishte përmendur tashmë mundësinë e një formati të ri dhe më modern në Samitin e Futbollit në Lisbonë. Në shqyrtim do të ishte mundësia e përdorimit të Ligës së Kombeve si rrugë kualifikuese, ose miratimi i një sistemi të ngjashëm me Ligën e Kampionëve, me një kampionat të vetëm prej 54 ekipesh ose dy grupe me nga 27 ekipe .
Kjo do të lejonte më shumë ndeshje midis ekipeve kryesore kombëtare, pa ndikuar në shanset e ekipeve më të vogla. Megjithatë, formati i ri mund të hyjë në fuqi vetëm pas vitit 2028, kur të skadojnë të gjitha kontratat aktuale komerciale dhe televizive.
Formati i ri i ligës, i modeluar sipas Ligës së Kampionëve, do të sillte gjithashtu përfitime ekonomike për federatat, pikërisht për shkak të marrëveshjeve më të mira televizive dhe mundësisë së ndeshjeve më emocionuese dhe spektakolare.
