Smart News

Tragjedi familjare në Maqedoninë e Veriut: Daja vret nipin dhe djalin e tij, më pas vetëvritet!

Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Prilepit të shtunën pasdite, ku një burrë ka vrarë me armë zjarri nipin dhe djalin e tij 11-vjeçar, përpara se të vetëvritej. Tragjedia ndodhi rreth orës 15:00, në një lagje pranë Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Prilep, transmeton Flaka

Sipas portalit Infomax, i cili raporton nga vendngjarja, autori i dyshuar kishte ftuar në shtëpi nipin dhe të birin, dhe pas rreth një ore, i kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Rasti, sipas të njëjtit burim, është denoncuar në polici rreth orës 15:30, por ekipi policor është paraqitur në vendngjarje shtatë orë më vonë, rreth orës 22:30.

Në ato momente ndodhi edhe një incident tjetër serioz, përcjell Flaka. Sipas Infomax, një inspektor i SPB–Prilep ka tentuar të hyjë në shtëpi, por autori i dyshuar e ka kërcënuar me një bombë dore, duke i kërkuar të largohej menjëherë. Polici ka arritur të shmangë përshkallëzimin e situatës duke u tërhequr.

Pas këtij momenti, autori ka aktivizuar një bombë, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve përreth. Për shkak të rrezikshmërisë së situatës, SPB–Prilep ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës, një ekip special ka arritur në vendngjarje përmes helikopterit.

Megjithatë, ndërhyrja për neutralizimin e autorit përfundoi pa sukses, pasi në ato momente ai ka kryer vetëvrasje.

Pas përfundimit të dramës, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e krim-teknikës, Prokurorisë dhe Mjekësisë Ligjore, të cilat kanë nisur ekspertizën për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, transmeton Flaka. Deri më tani nuk dihen motivet që çuan në këtë akt të rëndë, ndërkohë që MPB nuk ka dalë ende me një prononcim zyrtar.

Informacionet janë të siguruara nga portali Infomax, ndërsa autoritetet shtetërore ende nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi rastin. Flaka

Exit mobile version