Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u mbajt të shtunën, një pjesë e tifozëve të pranishëm në sallë shpërthyen me kore antishqiptare.
Lidhur me këtë, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ka quajtur të rënda dhe të papranueshme thirrjet raciste.
Tutje Krasniqi tha se thirrjet “vdekje për shqiptarët” e “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, në prani të Kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar, janë të rënda e të papranueshme dhe dëmtojnë bashkëjetesën në këtë shtet dhe përtej tij.
Krasniqi tha se shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike.
“Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e evropiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përgjegjësi të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, sepse heshtja konsiderohet miratim. Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës. Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit! Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më”, ka shkruar Krasniqi.