Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për presidenti i koalicionit VLEN, Arben Taravari në debatin presidencial tha se do të jetë president i të gjithëve.
“Programi im zgjedhor është në 4 gjuhë, në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe angleze. Tani do të fillojë edhe shpërndarja e programit i cili po ashtu ndodhet në ueb-faqen”, tha Taravari.
Taravari shtoi se përvoja e tij në udhëheqjen e Komunës së Gostivarit që është e ngjashme sikurse Maqedonia, vetëm se 65% janë shqiptarë, 20% maqedonas, 12% turq dhe 3% romë.
“E them me krenar se në të gjitha zgjedhjet, në vitin 2017 dhe 2021 edhe kur kundërkandidati im nga BDI ka pasur koalicione me këto parti turke dhe rome, duhet ta dimë se çdo qytetar rom ose turk nuk është anëtar i një partie. Unë ju përgëzoj për koalicionet që keni bërë, mirëpo unë besoj se kredibiliteti i njeriut është shumë me rëndësi për ta fituar e këtyre qytetarëve. Kam arritur që në komunën e Gostivarit të mbajmë një kohezion të brendshëm dhe ju garantoj se në qoftë se bëni një anketim në Komunën e Gostivarit, do ta shihni se percepcioni i qytetarëve është se kryetari i komunës është munduar të jetë i barabartë me të gjithë”, tha Taravari.
Taravari po ashtu theksoi se ai është kandidati i vetëm shqiptar për president, ndërsa kundërkandidati i tij, Bujar Osmani është në koalicion laraman me partitë tjera, ndërsa si koalicion VLEN, targeti kryesor është vota shqiptare, por edhe elektorati i pakicave.