Në kuadër të Samitit të “Balkan Health Business Forum” në Edirne, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Prof. Dr. Kemal Memişoğlu.
Në fokus të bisedimeve ishte tragjedia e ndodhur në qytetin e Koçanit, ku Turqia ofroi ndihmë të menjëhershme dhe mbështetje të madhe për të lënduarit. Me këtë rast, ministri Taravari shprehu mirënjohje të veçantë për ndihmën e ofruar.
“Një falënderim të veçantë, në emrin tim dhe në emër të gjithë vendit, i shpreha ministrit turk të shëndetësisë prof. dr. Kemal Memişoğlu për ndihmën e madhe që na kanë dhënë, sidomos në tragjedinë e Koçanit. Miqtë e vërtetë shihen në ditë të vështira!”, tha Taravari.
Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan gjithashtu për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e shëndetësisë, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.