Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, kërkon që shqiptarët si shtetformues në Maqedoninë e Veriut, në ekzekutiv të mos jenë vetëm numerikisht të përfaqësuar, por të kenë rol vendimmarrës.
Ai këtë deklaratë e ka bërë duke paralajmëruar se cili duhet të jetë roli i shqiptarëve në qeverinë e ardhshme – pozitat e tyre dhe jo vetëm përfaqësim simbolik, siç ndodh aktualisht me VLEN.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Taravari është pyetur për vizionin e tij mbi rolin që duhet të kenë shqiptarët në qeverinë e ardhshme – përfaqësim numerik apo ndikim real në vendimmarrje?
Në përgjigjen e tij, kreu i ASH-së pohon qartë se shqiptarët si autoktonë në Maqedoni, duhet të jenë pjesë e çdo niveli të shtetit.
“Shqiptarët janë shtetformues dhe autoktonë në këto troje. Është e padiskutueshme që ata duhet të jenë pjesë e çdo niveli në shtet”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.