Taravari sërish ‘dush të ftohtë’ BDI-së: Manovrat tuaja, populli do ti ndëshkoj me votë

e postuar më at 21:43
32 0

Në kolumnën e tij të fundit, kryetari i Komunës së Gostivarit dhe Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari i kujton “martesat e shumta” dhe “braktisjen e parimeve” të BDI-së për pushtet.

“Sa për bashkëpunimin eventual me ndonjë parti, PO – ASH mund të bashkëpunojë me cilëndo parti që e do të mirën e popullit dhe që ka përafërsi vizionare, ashtu si ndahet me çdo parti që gënjen e grabit popullin. I kujtojmë, sidomos “të shqetësuarës BDI” se ASH-ja ishte partia që e braktisi pushtetin për të mbrojtur parimet e veta, e BDI-ja ka braktisur çdo parim për të mbajtur pushtetin”, shkruan Taravari.

Kjo kolumnë e tij vjen menjëherë pas konferencës për shtyp që pati Taravari e ku foli mbi zgjedhjet lokale dhe bashkëpunimet e mundëshme subjekte të tjera politike. Këto bashkëpunime të paralajmëruara, sipas Taravarit, më së shmti i kanë “djegur” BDI-së.

“Para disa ditësh, dola në një konferencë për shtyp ku ndër të tjera fola edhe për zgjedhjet lokale që priten të zhvillohen këtë tetor. Në këtë kontekst unë paralajmërova se ndoshta një nga bashkëpunimet eventuale të ASH-së mund të jetë edhe ai me VMRO-në. Natyrisht duke mos vënë asnjë pikë pasi në këtë fazë parazgjedhore jemi ende në vlerësimet e programeve dhe ende nuk kemi vendosur se me cilën parti jemi më afër këto zgjedhje përsa i përket vizionit mbi zhvillimet politike. Mirëpo duket se kjo hipotezë imja, ky “ndoshta” bashkëpunim me VMRO-në ka vënë flakën tek shumë parti, e ajo që po digjet fare është BDI-ja. Aktivizoi menjëherë portalet e saj duke sajuar lloj lloj titujsh akuzues e padyshim qesharak sepse kësaj partie nëse po i dridhej toka në këmbë, tani po i shembet fare!”, shkruan më tej Taravari.

BDI-ja ka qenë gati dhe e gatshme kurdoherë që të qeveriset nga kushdo, me kushtin e vetëm që të mbetet në pushtet, thotë Sekretari i ASH-së.

“Me logjikë të arratisur, është në fazën më kritike të saj. Si kurrë ndonjëherë deliron aq sa seriozisht duhet ose të tërhiqet nga skena politike për t’i lënë vetes pak nder, ose të bëhemi gati për të parë një fund të BDI-së me faturë të frikshme. Pretendimet e kësaj partie se tashmë sipas tyre, ne kemi ndarë datë e kemi dhënë fjalë se kë kolltuk do japim e kë s’do lëshojmë, janë delirium i bazuar në martesat e saj të shumta politike për të mbetur në pushtet. Ndryshe nga ajo që vret natën e qan ditën partnerët e saj, vetëm e vetëm që të mbetet në sarajet e Shkupit, ne priremi nga qëllime krejt të tjera për të filluar një bashkëpunim. Është interesante të shikosh aftësinë kameleonske të BDI-së ndër zgjedhje dhe ndryshimin e jashtëzakonshëm, metamorfozën epike që është krejt e ndryshme nga ajo e Franc Kafkës, por që me siguri do e bënte këtë të fundit të luante nga varri! Dihet që historia e kësaj partie i ka rrënjët në mal. Lindja e saj në rrethana heroike ishte dhe është një dokument që kjo parti herë e valëvit si flamur zgjedhor dhe herë e eliminon në emër të shoqërisë multietnike. Interesant është fakti që BDI-ja është e vetmja parti shqiptare që rreh gjoksin se është vetëm ajo që paska luftuar me pushkë malit kundër armikut maqedonas, sepse natyrisht pushkë nuk del kundra mikut…ndërkohë kryeministri i vendit etiketon vetëm ASh-në si parti shqiptare dhe të papërshtatshme për bashkëpunim sepse është shqiptare, a këtej luan me lodrat e qeverisë bash me ata që nëse do të ishte viti 2001 do ta kishin zënë rob lufte Zaevin”, shkruan Taravari.

Sipas Taravarit, kryeministri aktual nuk ka frikë nga BDI-ja dhe e kaluara e saj dhe në fakt ka të drejtë.

“BDI-ja prej kur erdhi nga mali në kolltukun qeveritar duket se pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e saj. Uniformat ushtarake të disa prej funksionarëve u zëvendësuan me kostume të shtrenjta aq sa rroga vjetore e një të punësuari shtetëror, gjerdanët e fishekëve u zëvendësuan me pëllumba paqeje, dhe nga duart hoqën hartat e sulmeve në mal duke u zëvendësuar me bashkëjetesën në fushë. Nga kjo bashkëjetesë e cila dukej aq jetëgjatë, aq e lumtur dhe aq shpresëplotë, që u kurorëzua me Marrëveshjen e Ohrit, sot pas 20 vjetësh ka ndodhur shumë gjëra por vetëm kjo Marrëveshje ende nuk është zbatuar. Pra, ish-luftëtarët e ngjitur në Qeveri, me pamjen e re që të kujtonte disa dëshmitarë të Jehovait, u pa që kishin një kimi të fortë me pushtetin. Ata arritën të qeverisnin plotësisht të lumtur e të gëzuar me Gruevskin i cili do të largohej nga pushteti me forcë nga opozita e bashkuar, të cilës i printe de jure Zoran Zaev e desh u vra de facto Ziadin Sela. Me rënien e Grueskit populli priste me padurim ndëshkimin e këtij diktatori sipas akuzave të rënda që asokohe Zaevi i bënte atij, jo vetëm kaq, shqiptarët në veçanti prisnin që Ali Ahmeti dhe disa funksionarë të tjerë të BDI-së të gjykoheshin ashpër po njësoj bazuar në akuzat e forta të Zaevit. Ky i fundit shkonte cep më cep e kamera më kamera, duke i thënë shqiptarëve se ka bomba të forta për Ahmetin dhe BDI-në qeveritare. Tek të gjithë ne prisnim që me ardhjen në pushtet të Zaevit ky shtet i munduar të kishte më në fund drejtësi, ndodh çudia e çudive. Papritur në rrethana krejt misterioze Gruevski arratiset pavarësisht që ishte një i akuzuar politik i nivelit të lartë. Kjo ishte një ngjarje që solli krisjen e parë të figurës së Zaevit në popull, madje puna shkoi deri aty sa shumë zëra thanë se ishte një ujdi midis xhentëllmenësh Zaev-Gruevski, ku i pari falte lirinë, i dyti dhuronte pushtetin pa andralla. Mirëpo nuk pati kohë të përtypej çudia e arratisjes aq të lehtë të Gruevskit, sepse nuk do të vononte çudia tjetër. Zaevi i cili i kish premtuar shqiptarëve se do të bënte drejtësi për ta duke nxjerrë në shesh të zezat e Ahmetit dhe shpurës së tij, jo vetëm nuk mori asnjë hap ta dënonte këtë të fundit, po fare befasisht e merr si partner në qeveri. BDI-ja e cila deri dje kish pasur një bashkëjetesë të lumtur me Gruevskin, tani nusëronte me armikun e tij më të madh politik, Zaevin. Aq i panatyrshëm ishte ky ndryshim sa hutoi të madh e të vogël. Shtoheshin pikëpyetjet e shqiptarëve për BDI-në e cila pa asnjë dyshim është partia më misterioze shqiptare. Duke harruar pushkët në mal, duke heshtur para vrasjes politike të partnerit të saj, ajo martohej me vrasësin duke ndërruar vellon e zezë me vellon e nusërisë. Kllounata vazhdoi edhe më e madhe. Në fushatë politike BDI-ja harroi thirrjet e famshme “UÇK UÇK…” dhe dilte duke ftuar Shqiptarët që të votonin ata që dikur i kishte shpallur armiq!!!”, shkruan Taravari.

Manovrat e pista të BDI-së për të mbajtur pushtetin nuk quhen shkathtësi politike, por janë veprime skandaloze që populli i ka dënuar me votë, thekson më tej në shkrimin e tij Taravari, dhe shton se “Ndëshkimi i popullit është kamufluar me mekanizma kriminalë si është vjedhja e votës, por dihet se me popullin nuk ia del askush ndaj dhe BDI-ja ka marrë rrokullimën drejt fundit”.

BDI-ja ka vetëm një gjë të pandryshueshme: emrin e partisë! Çdo premtim i saj ka qenë jo vetëm gënjeshtër por edhe parimisht i kundërt me vizionet e saj ndër vite. Kështu njëherë kemi BDI ultra-nacionaliste që shkon në mal për të vrarë armikun me plumb. Pastaj papritur harron luftën duke lënë në mëshirë të fatit luftëtarët e vërtetë disa prej të cilëve jetojnë në kushte mjerimi. Kështu na shfaqet një BDI e ulur krah për krah me ata që dikur i quante armiq. Kur armiqtë e dikurshëm sulmohen nga disa të tjerë, BDI-ja rreshtohet menjëherë krah më të fortit. Kushtet janë të rënda, sepse telendiset keq, premton kryeministër shqiptar nëse vjen në pushtet, madje garanton nën emrin e saj se do të ketë pa asnjë dyshim Kryeministër shqiptar. Me 100 marifete vjen në pushtet dhe…kryeministër shqiptar nuk ka! Thjesht nuk ka! Çfarë bën BDI-ja për të mbrojtur burrërinë e saj, jep dorëheqjen?! Jo! Aspak! Hesht! Flet vetëm për jeshillëqe e kullota duke e kthyer popullin në dele që i përdor për tregti e ushqim!”, mbyll shkrimin e tij Arben Taravari i cili është kolumnist i rregullt në gazetën Koha me fjalinë e fundit se “Kjo është BDI-ja pra, e cila ka kohë që ka humbur të drejtën për të folur për parime dhe politikë!”

T F

nga kategoria