Smart News

Taravari përkujton 9 Korrikun e 1997-ës: “Ngjarje që ndryshoi historinë e shqiptarëve në Maqedoni”

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përkujtuar sot ngjarjet e 9 Korrikut të vitit 1997 në Gostivar, duke i cilësuar si një moment kthesë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Taravari ka nderuar kujtimin e tre heronjve të flamurit – Nazmi Saliu, Dr. Shpend Iseini dhe Milaim Dauti – të cilët, sipas tij, mbeten simbol i krenarisë kombëtare dhe sakrificës për kauzën shqiptare.

“Viti 1997 ishte një nga ngjarjet më domethënëse në mbrojtje të kauzës kombëtare, që tronditi botën shqiptare dhe që ndryshoi njëherë e përgjithmonë sjelljen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,” ka shkruar Taravari, përcjell PressOnline.al

Ai ka kujtuar edhe dënimet e rënda që u shqiptuan ndaj përfaqësuesve të atëhershëm të Komunës së Gostivarit, përfshirë Refik Dautin, atëherë kryetar i Këshillit Komunal, dhe Rufi Osmanin, kryetar i Komunës, i cili u dënua me 13.8 vjet burg për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar.

“Figura më emblematike, simboli i gjallë i Sovranitetit të Flamurit Shqiptar është padyshim profesor Rufi Osmani. Mendoj se ai është një nga figurat e rralla që meriton titullin hero në të gjallë të tij,” ka theksuar Taravari.

Ai ka shtuar se ndjehet i privilegjuar që është bashkëqytetar i këtyre figurave të shquara, duke përmbyllur mesazhin e tij me thirrjen që ata të mos harrohen kurrë.

“Qofshin gjithnjë të kujtuar dhe të nderuar,” ka shkruar kreu i ASH-së.

Exit mobile version