Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njëherësh edhe kandidat për president në intervistën e tij për “Bota sot”, foli mbi situatën politike.
Sipas tij, situata politike është shpresëdhënëse më shumë se çdoherë dhe se partitë opozitare shqiptare janë më të bashkuara se kurrë.
“Aktualisht partitë shqiptare në Maqedoni janë më të bashkuara se kurrë. E vetmja parti që rri e veçuar se është e kapur nga tentakulat e pushtetit, është BDI-ja”, shprehet Taravari.
Në lidhje me mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti, Taravari theksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje kjo nuk është hera e parë që jep dhe se është i lumtur për këtë mbështetje.
“Është normale dhe nuk është hera e parë dhe mendoj se LVV-ja është një forcë e shtuar në përpjekjet e shqiptarëve të këtyre anëve për respekt dhe barazi. Jam i lumtur të kem mbështetjen e kësaj Lëvizjeje”, thotë Taravari.
Taravari po ashtu foli edhe për deklaratën e Aleksandar Vuçiq se Albin Kurti dëshiron ta rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin duke thënë se Vuçiq po shëron komplekset e tij.
“Komplekse të rrezikshme që i kushtojnë shtrenjtë jo vetëm shqiptarëve por Ballkanit, Evropës dhe më gjerë! Vuçiç ka nevojë të shërojë komplekset e tij sepse po na kushton të gjithëve në stabilitet personaliteti i tij i deformuar”, shprehet Taravari.